Konsensusi specifik i Edi Ramës
Edi Rama është akuzuar, në debatet publike që nga 2005-a, kur e mori pushtetin partiak me anë të të ashtuquajturve “këpëdarë” (anëtarë të këshillit të përgjithshëm drejtues), si përçarësi më i pafytyrë i PS-së. Këpëdarët ishin njerëzit e zgjedhur kokërr më kokërr nga pretenduesi për kreun e PS-së, i cili ua bëri shesh me lule militantëve të tij vetjakë të rinj, për të mirat që do t’i prisnin ata vetë, në radhë të parë, por edhe kryetarit të ri, - pa dyshim, duke shtuar edhe popullin shqiptar, si një garniturë që do të përmbyllte kuadrin e suksesit imagjinar. Euforia dhe fjalimet bombastike në mburrje të vetvetes, si edhe nihilizmi kundër çdo përparimi dhe suksesi të njëmendët të qeverisjes, ishin dalja e tij në publik, duke u mbështetur fort, fillimisht në atë aradhe injorantësh, që quheshin nga militantët fanatikë të grupit të vogël fillestar të tij, përveçse këpëdarë, edhe “kongresmenë” (!). Gazetarë, të majtë apo të djathtë pa dallim, u zbavitën shumë me intervistat që u merrnin këtyre farë kongresmenëve, me pyetjen e parë se “ç’domethënë kongresmen?” dhe kishin përgjigjjet nga më të çuditshmet e nga më qesharaket! Do të ishte interesante të ribotohej fjala e parë e Ramës pasi u zgjodh kryetar i këpëdarëve, (qoftë edhe në atë “Kurbanin” ekstravagant që duket se do të pësojë fatin e “Refleksioneve”) për diskreditimin që i bëri qeverisjes tetëvjeçare paraardhëse, si më të korruptuarën, më të shthururën, më të dështuarën, me përfundimin e paharruar: - “E kishim me hak që e humbëm pushtetin!”. Tani, për inkoherencë, - sëmundje të cilën e ka të pashërueshme, - ai nuk guxon ta përmendë më. Por, amà, po na e ofron si një etalon të tërthortë të një zhvillimi properëndimor, meqë atë dështimin e tij si ministër i Kulturës, me aktivitet nul, vetëm sa e përmend në “Kurban”, me “suksesin” që paska ndaluar cigaren në bashki, me afishe të mëdha mureve të bashkisë!
Meqë po flasim për “sukseset” e tij si kryetar bashkie, përmend edhe atë sheshin e pirgjeve para ministrive, ato bojatisjet me bojaxhinj të importuar nga jashtë, me përdorim të ngjyrave të një portokallie të ndezur, të kritikuar pamëshirshëm nga ekspertë të estetikës, por edhe atë sahatin e qendrës së Tiranës, të cilit ishte e pamundur t’i gjendej dermani, për një periudhë që e kalonte 1 ½ vjet!
Arrijmë në përfundimin që një person megaloman që nuk arrinte dot për së mbari të drejtonte një ministri të Kulturës, (me aktivitet zero) dhe me artistët tërësisht të futur në grevë të urisë, të keqtrajtuar mizorisht nga policia me shkopinjtë e gomës, të thurur me telat metalikë, që sakatuan dhe shndërruan në invalidë mjaft nga artistët tanë. Kjo temë trajtohet tangjencialisht në “Kurbanin” e tij, që është një vepër që e shndërron në mënyrë banale të vërtetën në rrenë! (Një nga gënjeshtrat e pagëlltitshme është dhënë publikisht nga kolonel M. Avari). Tani, në ditët kur Shqipëria kërkon presidentin e saj konsensual, na kërcënon orë e çast me faktorin ndërkombëtar që i duket se admiron logjikën e tij ekstravagante, kur njeriu i qetë dhe i aftë, z. Bujar Nishani, u votua me votë të fshehtë, me + 73 vota, 2 të pavlefshme dhe 1 kundër. Shpresa e rrjedhjes së votave të PD-së dhe aleatëve të saj, nga ai që ëndërron të bëhet kryeministër, iu flashk atij që synonte të na çonte në zgjedhje të parakohshme. Sipas shumë analistëve të paanshëm, édhe zgjedhjet e parakohshme do t’i humbiste.
E. Rama dështoi edhe këtë radhë, siç e tha F. Nano në një fjalë të tij shumë të rreptë, duke e akuzuar Edin si përçarës dhe si humbësin e radhës. Paçka se ky humbjen e quan fitore, kur është fjala për personin e tij. Ndërkaq koalicioni Berisha-Meta, si edhe aleatët e tjerë, treguan edhe këtë radhë se përbëjnë një bashkësi politike solide dhe të shëndoshë. Ndërsa mjaft nga simpatizantët e F. Nanos, në mënyrë delikate e të tërthortë, e shfaqën opinionin e tyre se kryetari historik i PS-së kërkonte një trajtim më të mirë nga ai që i zuri vendin, me vetëm një pesëvjeçar veprimtarie partiake. Ç’është e vërteta kryetari i PD-së, z. Berisha, pati më tepër mirëkuptim që Nano të ishte njëri ndër të propozuarit nga PS-ja. Është interesant edhe ballafaqimi i gazetarëve me Ramën, në kohën e mbledhjeve të përbashkëta për të gjetur gjuhën e njëjtë për zgjedhjen e presidentit. Të gjitha pyetjet e gazetareve për shkakun përse F. Nano nuk kandidohej nga PS-ja, bëhej sikur nuk dëgjoheshin nga kryetari i tanishëm i PS-së. Nuk donte as ta zinte me gojë! Veçse z.Nano doli hapët dhe foli sinqerisht. Kërkonte të kandidohej. Natyrisht që mëtonte nga PS-ja listën emërore të nominimit me 20 firmat minimumi. As këtë shans nuk ia dha Edi Rama. Atëherë, në pasditen e 12 qershorit, mbajti një konfëerencë shtypi, ku shqiptoi atë që Edi Rama e quajti thuajse të pamundshme: E sfidoi Ramën ashtu siç e kishte paralajmëruar. Do të formonte një degë të re të PS-së, në mbështetjen e shumë e shumë të ofruarve nga brenda radhëve të PS-së dhe të simpatizantëve të tij, që e kishin mbuluar me mesazhe inkurajimi; kishte përgatitur stafin e tij të punës dhe e kishte quajtur Ramën një aventurier ordiner. Duke i mbajtur të tijtë nën grusht të hekurt, ai kujtonte se ai zë i fuqishëm që buçiti si Lëvizja për Mendimin Ndryshe brenda radhëve, kishte marrë fund. Por ja që s’po i dalin hesapet. Kastriot Islami e paralajmëroi me dashamirësi se po vepronte në mënyrë të papërgjegjshme. Edvini e përjashtoi fare nga partia!
***
Edvini u soll në mënyrë të papërgjegjshme edhe ndaj lëshimit të madh që i bëri Dr. Berisha, duke iu shmangur asaj që kishte premtuar që në fillim, për kandidatin nga një element i nivelit të lartë të PD-së. Nuk iu bë asgjë e mirë. Po si u soll Edi Rama me z. Zaganjori? Njeri me personalitet të lartë, që s’kishte qenë asnjë ditë anëtar i PD-së. Edi u soll buzërrudhur e kërcënues. Kësaj nuk i thonë miratim, që të mos e përdorim fjalën e konsumuar konsensus. Z. Zaganjori, i shoqërisë civile, e dinte se çdo veprim i tij i paanshëm, do të keqinterpretohej. Ai dha dorëheqjen. E njëjta gjë ndodhi edhe me z. Artan Hoxha. Kishte qenë vetëm një vit ministër i Transportit dhe i Ekonomisë. Edhe me atë filluan kërcënimet, mesazhet shpifëse. Ndonëse me integritet dhe me tipare asnjanësie të karakterit, edhe Artani nuk e përballi dot atë gjendje të padurueshme me të cilën do të duhej të ndeshej. U kuptua se konsensus nuk do të kishte edhe po t’i ofrohej një njeri me tiparet e Gandhit. Duhej doemos qe të ofronte edhe Rama personat e tij. Nuk e bëri. Donte të kishte fjalën e fundit, fjalën vendimtare. Por mirëkuptimi, që do të ishte shumë mirë të zëvendësonte fjalën e ngatërruar konsensus, nuk mund të arrihej kurrë.. Gjithmonë jo, e jo! Edhe sikur të kishe 500 ditë në dispozicion!
Së fundi, ditët u ngushtuan në zgrip. Aventurat, siç kishte thënë z. Nano, nuk mund të zgjatnin pa mbarim. U kandidua z. B. Nishani dhe u votua me votë publicitare. Urime të përzemërta, për të mirën e Shqipërisë, jo të kapriçiove të E. Ramës!