Ekonomia në krizë, nafta nën 50 dollarë

Ekonomia botërore duket se është kthyer më shumë se tre vite pas, kur çmimi i naftës u prek nga një fenomen i tillë. Në atë kohë, ekspertët paralajmëruan për rritje çmimi deri në 200 dollarë, çka u ndal në vetëm 148 dollarë, ndërsa paralajmërimi mbetet ende i vlefshëm
Një tjetër goditje të rëndë ka pësuar dje ekonomia botërore lidhur me bursat financiare, çka është shoqëruar me rënie drastike të çmimit të naftës. Kështu, një fuçi me naftë bruto ka arritur të shitet dje nën 50 dollarë, çmim ky që kishte vite që nuk vihej re. Ky nivel tregon për një ulje çmimi me rreth 7 për qind krahasuar me një ditë më parë, kur një fuçi me naftë shitej me 55 dollarë. E megjithatë, duket se tashmë çmimi i shitjes së “arit të zi” po i afrohet kostos së prodhimit, kjo pavarësisht deklaratave të shpeshta të OPEC-ut për ndërprerje të prodhimit. Gjatë ditës së djeshme, çmimi ka rënë në pikiatë, ndërsa kufiri minimal ka qenë vetëm 49.4 dollarë për fuçi. Të dhënat nga “Financial Times” mbi ecurinë e bursës së Londrës tregojnë për një rënie çmimi për naftën në nivelin e 50 për qindëshit për harkun kohor të 52 javëve. Rënie gjatë ditës së djeshme ka pësuar edhe çmimi i gazit natyror, duke bërë që të arrijë në 6.2 dollarë për kiloatmosferë, nga 6.7 që ishte një ditë më parë. E megjithatë, treguesit financiarë vënë në dukje faktin se rënia e çmimit të këtij produkti energjetik po aq të rëndësishëm sa nafta, ka qenë afro 5 për qind krahasuar edhe kjo me një ditë më parë. Treguesit financiarë i referohen gjithmonë bursës së Londrës, ku edhe pretendojnë se blejnë grosistët shqiptarë.
Retrospektiva
Ekonomia botërore duket se është kthyer plot tre vite e gjysmë mbrapa, kur në bursa çmimi i naftës ishte thuajse i njëjtë me atë aktual. Në pranverë të vitit 2005, një fuçi me naftë bruto në bursa luhatej në kufijtë e 40 deri 60 dollarëve, kohë kjo kur Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi se një lëvizje e tillë e çmimit të fuçisë së zezë do të sillte efekte negative për ekonominë botërore. Në fakt, në mars të atij viti, ekspertët financiarë kishin parashikuar se çmimi i naftës do të arrinte në plot 100 dollarë për fuçi, ndërsa ekzistonte mundësia që edhe të dyfishohej, duke prekur kufirin maksimal të 200 dollarëve. Për fat të xhepave të konsumatorëve, një gjë e tillë nuk ndodhi deri muaj më parë, kur rritja e çmimit të “arit të zi” u frenua në 148 dollarë për fuçi.
E ardhmja
Nuk është momenti për t’u entuziazmuar lidhur me këtë rënie të çmimit të karburanteve në bursa. Kjo, sepse rënia drastike është fryt i kolapsit financiar që po pëson ekonomia mbarëbotërore, çka ka sjellë dhe do të sjellë bllokim të dhënies së kredive me pasoja uljeje të investimeve, duke bërë kështu shumë hapa prapa në zhvillimin industrial, që dukej se shkonte mirë. Një fenomen që po verifikohet lidhur me këtë, është ai i pengesës që po has industria e prodhimit të biotenaloit. Me pak fjalë, duke u kthyer tek retrospektiva, duket se paralajmërimi për arritjen e çmimit të naftës deri në 200 dollarë për fuçi sapo është dhënë përsëri.