Greqia e para për investime në Shqipëri

Plot 270 kompani greke kanë investuar deri tani në Shqipëri rreth 550 milionë euro. Sektorët ku Greqia ka derdhur para janë kryesisht bankat dhe kompanitë e sigurimeve, ndërsa nuk mund të lihet jashtë edhe telekomunikacioni
Gjatë viteve 2001-2006, Greqia i ka dhënë vendit tonë afro 78 milionë euro ndihmë financiare, ndërsa për vitin 2008, ndihma llogaritet në vlerën e rreth 2.6 milionë eurove
Greqia është vendi i parë në listën e investitorëve të huaj në Shqipëri, ndërsa fare mirë mund të thuhet se është partneri i dytë tregtar. Kjo është deklarata e djeshme e sekretarit të Përgjithshëm të Çështjeve Ekonomike në Ministrinë e Jashtme greke, Nikolaos Tachiaos, gjatë punimeve të forumit të dytë ekonomik Greqi-Shqipëri. “Greqia mban vendin e parë në atë segment që u përket investimeve dhe është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë. Rrjedhimisht, është e natyrshme që çështjet e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve të përbëjnë një nga prioritetet tona”, tha dje Tachiaos. Sipas tij, 270 kompani me interesa greke kanë investuar në vendin tonë rreth 550 milionë euro. “Lidhur me vlerën e investimeve, unë mund të them se 270 shoqëri greke kanë investuar rreth 550 milionë euro në këtë vend në sektorin bankar dhe siguracione, në telekomunikacion, në ndërtim, në transport, në tregun e karburanteve etj”, tha sekretari i Përgjithshëm i Çështjeve Ekonomike në Ministrinë e Jashtme greke. Lidhur me bashkëpunimin ekonomik, Tachiaos nënvizoi se sasia e pastër e fondeve greke për ndihmën për përparim që Shqipëria ka marrë nga Greqia gjatë periudhës 2001-2006 arrin në 78.3 milionë euro, ndërsa për vitin 2008, bazuar në të dhënat e deritanishme, llogaritet që ndihma për zhvillim të arrijë në 2.6 milionë euro.
Shqipëria, larg krizës financiare
I pranishëm në forumin e dytë ekonomik Greqi-Shqipëri ishte edhe ministri Genc Ruli, i cili lidhur me krizën financiare globale, tha se ajo nuk mund të ketë efekte thelbësore në ekonominë e Shqipërisë. “Jemi koshientë që bota dhe për më tepër pjesa e zhvilluar e saj ndodhet e përfshirë në një krizë, e cila, tej të qenit krizë financiare dhe e tregjeve të kapitalit, tani po përkthehet edhe si një krizë ekonomike. Dy vendet tona janë më në anë të kësaj krize dhe e ndjejnë më pak, por nuk janë të imunizuara. Të qenit ekonomi të vogla përbën një avantazh, duke u ekspozuar më pak në të gjitha përmasat e kësaj krize”, theksoi Ruli. Duke e cilësuar krizën financiare globale si një krizë që do të prekë të gjithë vendet, sekretari i Përgjithshëm i Çështjeve Ekonomike në Ministrinë e Jashtme greke tha dje, se “qeveria greke nga ana e saj ka përgatitur një program mbështetjeje të likuiditetit të sektorit financiar në një shumë prej 28 bilionë eurosh, i cili do të votohet këto ditë në Kuvend, pas miratimit të Komisionit Evropian dhe i cili do të ruajë qarkullimin e parave nga sektori financiar drejt ekonomisë reale”.
Ruli për biznesin
Sipas kreut të METE-s, shumë kompani greke kanë investuar dhe janë prezente në sektorë prioritarë të ekonomisë, si në telefoninë celulare, sistemin bankar, por edhe në sektorë të tjerë, si industri tekstilesh dhe këpucë dhe në industrinë minerare. “Eksportet e vitit 2007 rezultojnë me një rritje 10 për qind dhe importet 16 për qind, por edhe gjatë gjashtëmujorit të vitit 2008, në krahasim me atë të vitit 2007, ka rritje të eksporteve shqiptare drejt Greqisë në masën 30 për qind dhe të importeve në masën 22 për qind. Shqipëria ka nënshkruar rreth 32 marrëveshje të mbrojtjes reciproke dhe nxitjes së investimeve me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe një sërë marrëveshjesh për mënjanimin e tatimit të dyfishtë”, tha Ruli.