Nuk ikim nga qeveria

Aleanca mes PBDNJ-së e PD-së do të vazhdojë edhe pas përplasjeve për kodin, por nuk përjashtohet shkëputja në 2009-ën
Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut do të vijojë të jetë pjesë e koalicionit aktual deri në përfundim të mandatit qeverisës, pavarësisht kundërshtive të shprehura lidhur me Kodin e ri Zgjedhor. Pra, përplasja mes PD-së e PBDNJ-së nuk do të shkojë deri në tërheqjen e ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale, që përfaqëson aktualisht partinë e Vangjel Dules në ekzekutiv. Në krahun tjetër, sipas burimeve nga PBDNJ-ja, funksionarë të lartë të kësaj force politike janë duke ristudiuar Kodin e ri Zgjedhor, lidhur me përcaktimin e hapësirave për të ndërtuar aleancat e mundshme në zgjedhjet e vitit 2009. “Pavarësisht kundërshtive që ne kemi pasur lidhur me Kodin e ri Zgjedhor, ne nuk kemi ndërmend të dalim nga koalicioni”, - i tha “Korrierit” sekretari i Përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis. Por, ndërsa ky i fundit heziton të flasë lidhur me atë çka do të ndodhë në zgjedhjet e vitit 2009, një tjetër zë brenda kësaj partie tha se asgjë nuk mund të përjashtohet. Pra, për momentin kjo forcë politike nuk përjashton jo vetëm mundësinë e ndërprerjes së aleancës me mazhorancën në 2009-ën dhe nisjen e bashkëpunimit me të majtët, por as daljen të vetëm në garën e ardhshme elektorale. Leonard Solis mjaftohet duke thënë se për momentin PBDNJ-ja po i përkushtohet riorganizimit të degëve në bazë, e prej disa ditësh kanë nisur takimet me elektoratin në disa zona. Në krahun tjetër, ish-ministri i Shëndetësisë sqaroi qëndrimin kundër të partisë ku ai bën pjesë ndaj Kodit të ri Zgjedhor, që u miratua me 112 vota “pro” në seancën plenare të së martës. “Ne dolëm kundër Kodit të ri Zgjedhor për përbërjen e komisioneve, grupet e numërimit të votave dhe transportin e votave. Dy partitë e mëdha kanë nga dy përfaqësues në komisione dhe kjo nuk është aq e padjallëzuar”, - sqaroi ai. Më tej, Leonard Solis tha se PBDNJ-ja po shikon mundësinë e ndryshimeve që mund t’i bëhen ende kodit të sapomiratuar. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, sipas tij, ka qenë gjithmonë për komisione me përbërje teknike, pra “jo” përfaqësues politikë, siç përcaktohet në kodin e ri. Në këtë qëndrim PBDNJ-ja është në një mendje edhe me disa parti të tjera të vogla, si Aleanca Demokratike e Neritan Cekës apo Demokracia Sociale e Paskal Milos. Përbërja jopolitike e komisioneve është edhe një ndër opsionet e LSI-së, që nuk përjashton as mundësinë tjetër, për përfaqësimin e të gjitha partive me njerëzit e tyre. saqellari@korrieri.com