E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia nuk drejtohet nga ekonomistëNga Sadedin ÇelikuStudimet e fundit kanë treguar se ekonomia e tregut nuk vetërregullohet dhe nuk mjafton ofertë-k

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ekonomia nuk drejtohet nga ekonomistëNga Sadedin Çeliku

Studimet e fundit kanë treguar se ekonomia e tregut nuk vetërregullohet dhe nuk mjafton ofertë-kërkesa, nëse nuk ka asistencën dhe mbështetjen e qeverive në përgjithësi dhe atyre që kanë politika të qarta për ekonominë në veçanti. Këtë e vërtetoi kriza financiare që pllakosi gjithë botën.

Shkalla e rëndësisë për prioritetin që i do dhënë ekonomisë fillon nga struktura që krijon një forcë politike.

Në vendin tonë zhvillimi ekonomik bëhet në mënyrë kaotike dhe spontane, po të kemi parasysh rritjen e papunësisë, mungesën e prodhimit, bilancin e import-eksportit, rritjen e deficitit buxhetor pa asnjë studim, kreditë tregtare me interesa të larta, mungesën e masave për uljen e shpenzimeve, mosreflektimin e krizës financiare dhe efektet e saj në buxhetin e shtetit e mjaft plagë të tjera që e kanë burimin te politikat e gabuara të qeverisë.

Pikërisht aty ku duhet të jenë prioritetet nuk ka ministri.

Për shembull, mungon Ministria e Turizmit. Këtë sektor në Ministrinë e Kulturës e mbulojnë vetëm katër vetë dhe një agjenci, ku dominon një personel jashtë profilit.

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit është bërë një bashkim mekanik që e vërejmë vetëm në Holandë. Vendi ynë është pa ujë, transport dhe telekomunikacion e megjithatë në emër të numrit të vogël të ministrive abuzohet deri në pikën që këta sektorë i lëmë jashtë vëmendjes.

Ministri Ekonomie më vete nuk ka dhe për rrjedhojë nuk ka kush t’i bëjë politikat ekonomike. Me problemet e integrimit nuk merret ministria përkatëse, por Ministria e Punëve të Jashtme. Kjo e fundit nuk merret me problemet ekonomike. Shikoni vendet e zhvilluara. Diplomacia e tyre fokusohet në problemet ekonomike e tregtare. Pse mungojnë këshilltarët ekonomikë në strukturat e ambasadave tona apo kursejmë?!

Kështu mund të flasim dhe për ministritë e tjera, ato janë kthyer në ministri licencash, nuk bëjnë punë tjetër. Ministria e Transportit është shndërruar në ministri rrugësh; Ministrisë së Arsimit i ka ardhur bixha me shkollat e universitetet jopublike; Mjedisit i kanë mbetur licencat e peshkimit; Ministria e Shëndetësisë ka dhe ajo riskun e vet me klinikat e farmacitë private.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria është vendi i dytë me borxhin më të madh në ekonomitë evropiane në zhvillim. Në 2007 borxhi i qeverisë ishte 52.7% e produktit të brendshëm, kur në ekonomitë e tjera të ngjashme ai luhatet 3.5-45%. Borxhi i Shqipërisë ka ardhur në ulje konstante nga 87% që ishte në 1990 në 52.7% në vitin 2007.

Në vitin 2008 kjo tendencë u përmbys sërish dhe borxhi u rrit për herë të parë pas shumë vitesh në 54% të produktit të brendshëm bruto. Shkak ishin financimet e mëdha për rrugën Durrës-Kukës-Morinë. Niveli i lartë i borxhit bën që qeveria të harxhojë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave nga taksat vetëm për pagimin e interesave të tij. Qeveria shqiptare nuk i pranon parashikimet e FMN dhe as rekomandimet.

Shkak për këtë është paaftësia dhe rritja e shfrenuar e shpenzimeve për qëllime elektorale, gabime këto që rëndojnë mbi taksapaguesit shqiptarë.

Gabimi më i rëndë është keqadministrimi i burimeve dhe potencialit njerëzor. Kudo në administratën publike dominojnë militantët me dhe pa arsim. E ç’i duam ekonomistët, kur ekonomia u rregulluaka vetë? Ata janë katandisur në shitës. Janë me mijëra studentët që vazhdojnë studimet në vendet perëndimore dhe me qindra të tjerë për mastera dhe doktoratura. Me qindra janë të diplomuar. Askush nuk kujtohet për këta dhe as e merr mundimin njeri në Ministrinë e Arsimit të administrojë këtë pasuri, madje ajo nuk ka edhe strukturë për ndjekjen e tyre kudo që janë. Ata e kanë mendjen te njehsimi i diplomës apo gradës shkencore edhe po të kesh mbaruar Harvardin; dhe te licencat e shkollave jopublike. Sa turp!

Edhe pse Shqipëria është një nga vendet me rritjen e ekonomike më të madhe në rajon, të dhënat zyrtare tregojnë se zhvillimi i ekonomisë nuk është shoqëruar me krijimin e vendeve të reja të punës. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se paradoksalisht kjo rritje e kënaqshme e ekonomisë ka mundur të hapë vetëm 54.000 vende pune të reja në 8 vjet ose 5.8% më shumë. Por edhe këto nuk janë vende të mirëfillta pune, të cilat kanë ardhur si pasojë e rritjes së biznesit. Sipas saj, 40 nga 54 mijë vendet e reja të punës që janë krijuar që nga viti 2001 i përkasin sektorit bujqësor, pasi qeveria i regjistron fermerët si të punësuar. Duke patur parasysh se me mijëra vetë dalin të papunë nga reformat, si dhe nga efektet që shtrihen në ekonomi nga kriza financiare, rezulton se shifrat e papunësisë janë të njëjtat.

Ekonomia shqiptare ka mjaft sëmundje që duhen kuruar, se për t’i shëruar nuk ka mundësi më, dhe për të bërë këtë duhet vullnet politik dhe përkushtim.

Le të shpresojmë se qeveria e re, që do të dalë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, do të ndalë erozionin ekonomik dhe do të ngjallë besimin e shpresën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›