Ekonomia, parashikime të zymta për 2010
Ajo çka ka ndodhur deri tani mund të mos jetë asgjë përpara asaj që pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt. Shumë ekspertë mendojnë se efektet e krizës do të jenë më të forta në raundin e dytë, duke paralajmëruar një rënie më të madhe ekonomike. Përqendrimi i investimeve në një projekt të vetëm, rritja e borxhit dhe deficitit, rënia e tregtisë, zhvlerësimi i lekut, rënia e të ardhurave nga emigrantët, kredia e ulët, etj., janë faktorët që kanë ndikuar në tkurrjen e ekonomisë shqiptare. Qeveria parashikon të ketë një rritje ekonomike mbi 5 për qind, por ekspertët shqiptarë dalin në përfundimin e një zhvillimi jo më të madh se 2.5 për qind. Të mbledhur nën kujdesin e fondacionit SOROS, ekspertë të fushës paraqitën dje raportin e katërt mbi "Monitorimin e buxhetit janar-tetor 2009", si dhe shtruan disa nga parashikimet për vitin 2010. Sipas tyre, nisur nga ecuria e deritanishme, qeveria rrezikon të krijojë një gropë financiare prej 30 miliardë lekësh.
Treguesit fiskalë dhe sistemi makro janë tronditur nga një sërë faktorësh, efektet e të cilëve do të ndjehen edhe gjatë vitit 2010. Sipas ekspertes në fushën e financave, Adriana Berberi, qeveria është përpjekur gjatë vitit ta ndryshojë buxhetin për të rritur investimet, por në fakt të gjitha paratë shkuan për Durrës-Kukës, në masën 10 miliardë lekë. "Të mos harrojmë zgjedhjet parlamentare dhe shpenzimet marramendëse gjatë fushatës, të cilat dhanë ndikim në financat tona. Pas muajit gusht u vu re një rënie e investimeve, të cilat nuk i kaluan nivelin e 90 përqindëshit", tha ish-zëvendësministrja e Financave, Berberi. Sipas saj, mungesa e parave po vërtetohet nga deklaratat e bizneseve, të cilat ankohen se po paguhen për punët e bëra. Tjetër problem janë të ardhurat e privatizimeve, që nuk u përdorën për të shlyer borxhin, por për shpenzime.
"Buxheti i vitit 2009 përballet me dy risqe: mosrealizimi i të ardhurave dhe tejkalimi i deficitit. Në këto kushte, qeveria është përballë alternativave, që njëra është akti normativ për rregullimin e shpenzimeve", theksoi Berberi.
Një tjetër ekspert i njohur, Zef Preçi, e vuri theksin te raporti i rënduar mes qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare, si FMN-ja. Ndër të tjera, Preçi përmendi rastin doganave, e cila po përdor padrejtësisht referencat doganore, në masën deri në 80 për qind, ndërsa veçoi faktin se rritja e të ardhurave në disa zëra nuk është gjë tjetër vetëm përdorimi i dhunës verbale ndaj subjekteve private. Sa i takon investimeve dhe borxhit, ai tha se "përqendrimi i fondit të investimeve në vepra të mëdha, me kosto të lartë dhe tej mundësive shkakton rritje të deficitit buxhetor dhe të borxhit të brendshëm, me interesa shumë të larta. Këto janë me pasoja për buxhetet pasardhëse, si dhe gjithashtu nuk duhet injoruar fakti se projektet e mëdha kanë kosto të lartë mirëmbajtje, të cilat nuk janë evidentuar qartë në buxhetin 2010".
Sipas ekspertëve të ekonomisë, borxhi i Shqipërisë është rritur me 700 milionë dollarë në dy vitet e fundit dhe rrezikon të varfërojë shqiptarët. Një njohës i mirë i financave, Gjergj Teneqexhi, i dha rëndësi përgatitjes së buxhetit, që sipas tij, nuk kalon aspak në linja transparence. "Nuk ka një informacion të plotë sesa janë zhvilluar negociatat e Ministrisë së Financave me ministritë dhe institucionet e tjera në përgatitjen e buxhetit 2010. Po të shikojmë të dhënat, ka shumë kontradikta dhe mospërputhje të prioriteteve, planit, projeksionit si dhe programit afatmesëm", u shpreh Teneqexhi.