E Diel, 1 Nëntor 2026

Fulllani: Ekonomia u ngadalësua

Banka e Shqipërisë uli dje tonet e optimizmit që pati shfaqur gjatë muajve shtator dhe tetor dhe paralajmëroi qeverinë "të marrë parasysh realitetin ekonomik të vendit." Këshilli Mbikëqyrës i BSH analizoi zhvillimet ekonomike dhe monetare të muajit nëntor dhe doli në konkluzionin se gjashtëmujori i dytë i këtij viti ka ecur më keq se sa gjashtëmujori i parë, por u përmbajt në dhënien e vlerësimeve mbi ritmin e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto.

"Të dhënat më të fundit të zhvillimeve në ekonominë e brendshme, tregojnë për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik. Në ndryshim nga gjashtëmujori i parë, ku rritja ekonomike është mbështetur nga ruajtja e kërkesës konsumatore dhe nga stimuli fiskal i dhënë në këtë periudhë, të dhënat ekonomike për tremujorin e tretë dhe për muajt në vazhdim sinjalizojnë një ecuri më të moderuar të kërkesës dhe të prodhimit në ekonomi," - tha guvernatori i BSH Ardian Fullani në përfundim të mbledhjes së këshillit.

Ecuria e ngadaltë e rritjes së indekseve të shitjeve me pakicë, të dhënat e ekonomisë së jashtme, të cilat vijojnë të karakterizohen nga ulja e eksporteve, performanca e treguesve fiskalë, të cilët duken të jenë nën nivelin e planifikuar dhe frenimi i kreditimit si pasojë e rënies së kërkesës për të, janë disa nga argumentet e renditura dje nga BSH në mbështetje të mendimit se ekonomia po ecën keq. Kritikat e BSH ranë si zakonisht mbi qeverinë si dhe paralajmëroi se disa reforma duhet të ndërmerren me urgjencë.

"Qëndrueshmëria afatgjatë e bilancit të pagesave kërkon një vëmendje më të madhe të politikë-bërësve, duke parashikuar edhe marrjen e masave politike apo të reformave strukturore," tha Fullani. Reforma e kërkuar nga BSH lidhet me stokun e borxhit të brendshëm. "Banka e Shqipërisë gjykon se përmbushja e objektivit afatmesëm fiskal për reduktimin e borxhit publik (në terma relativë) duhet të jetë udhërrëfyesi i politikës fiskale për periudhën e ardhshme," - tha dje Fullani.

BSH ka ofruar shpesh gjatë vitit të fundit këshilla për qeverinë si dhe ka ndaluar kreditimin e drejtpërdrejtë për buxhetin e shtetit, por qeveria nuk ka dhënë asnjë reagim ndaj këtyre këshillave dhe ka programuar edhe për vitin 2010 një deficit buxhetor prej 3.5 për qind të PBB-së. Stoku i borxhit publik u rrit në rreth 60 për qind të PBB-së këtë vit, kryesisht si pasojë e faktit se qeveria mori rreth gjysëm miliardi borxhe të reja, ndërkohë që ky vit duket se po mbyllet me rritje ekonomike të papërfillshme. "Ky objektiv duhet të materializohet në praktikë nëpërmjet ndjekjes së politikave fiskale të kujdesshme dhe gjithnjë të rakorduara me zhvillimet e ekonomisë reale," - thotë BSH.

Ecuri mikse

Ndërsa për ekonominë reale BSH shpjegon se ka patur përkeqësim gjatë gjashtë muajve të fundit, edhe për treguesit monetarë, rezultatet nuk kanë qenë tërësisht të mira. "Duke u kthyer në zhvillimet monetare, Banka e Shqipërisë gjykon se tabloja e tyre e paraqitur në muajin nëntor është mikse. Ritmi i rritjes së ofertës monetare është përshpejtuar dhe normat e interesit kanë shënuar rënie, por kreditimi i ekonomisë është ngadalësuar gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, aktiviteti kreditues i bankave është ngadalësuar, duke shënuar një rritje vjetore të portofolit të kredisë prej vetëm 12 për qind. Kredia për biznese mban peshën kryesore në zgjerimin e portofolit të kredisë, ndërkohë që kredia konsumatore dhe ajo hipotekore janë kontraktuar," - tha Fullani.

Nivelet e ulëta të zgjerimit të portofolit të kredisë reflektojnë jo vetëm problemet e likuiditetit në sistemin bankar, por së fundi dhe në një masë jo të vogël, edhe rënien e kërkesë për konsum dhe investime si rrjedhojë e dobësimit të aktivitetit ekonomik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›