E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomiku

Fakulteti Ekonomik nuk do të pranojë këtë vit më shumë studentë seç është kapaciteti maksimal i tij. Drejtuesit e këtij fakulteti kanë rënë në një mendim, se shtimi edhe më tej i numrit të pranimit të studentëve do të dëmtojë nivelin e mësimdhënies. Në një bisedë për gazetën “Korrieri”, Fatmir Memaj, zëvendësdekan në fakultetin Ekonomik, është shprehur se gjatë këtij viti do të pranohen për të filluar studimet vetëm 1 200 studentë. Ai thotë se edhe ky numër është mbi kufirin normal të peshës që duhet të mbajë fakulteti. “Ne jemi shprehur për të mos pasur rritje të kuotave, sepse vetë politika jonë ka qenë e tillë, që të arrijmë një kapacitet maksimal dhe ta mbyllim me kaq numrin e pranimeve”. Profesor Memaj thotë se aktualisht, fakulteti është mbi kapacitetin maksimal që mund të mbajë, qoftë si godinë, ashtu edhe në numrin e stafit pedagogjik, i cili është i pamjaftueshëm. “Ky numër studentësh me normat që ka Evropa, duhet t’i shërbejë një staf prej minimumit 250 pedagogësh, ndërsa ne jemi 104. Në raport me studentët, ne kemi minimumi dy herë më pak pedagogë”. Sipas zëvendësdekanit Mema, kjo ndikon edhe në cilësinë e punës që kryen stafi pedagogjik. I pyetur lidhur mbi propozimin e hedhur për pranimin e studentëve në fakultetin Ekonomik, mbi bazën e mesatares 8.5, zëvendësdekani Mema u shpreh se kjo mesatare duhet vendosur si kriter vetëm për disa lëndë specifike, që kanë lidhje me ekonominë, siç janë lëndët natyrore apo Njohuria për Ekonominë. “Njerëzit kanë mendime të ndryshme dhe ato duhen kuptuar vetëm në një kontekst, për t’u dhënë drejtim nxënësve aty ku ata janë më të zotët. Përveç mesatares së përgjithshme, mund të propozohet njëkohësisht një mesatare e disa lëndëve bazë natyrore si: Fizika, Kimia, Biologjia, pastaj Anglishtja dhe Njohuria për Ekonominë, pasi mendojmë se këto janë dijet që i japin fuqi studentit që vjen për Ekonomik”. Profesor Memaj thotë se nuk mund të vijë në fakultetin Ekonomik një maturant i cili është i mirë në histori. Sipas tij, problemi më i madh sot është deficiti që paraqet sistemi aktual. Kjo, pasi një nxënës që merr një notë të lartë në rrethe, nuk mund të krahasohet me një nxënës i cili vlerësohet në Tiranë. Por ai shprehet i bindur se, me gjithë problemet që sjell sistemi aktual, asnjë nxënës i mirë nuk do të mund të ngelet jashtë dyerve të fakultetit Ekonomik.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›