E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka më kthim prapa

Marti Ahtisari

Ahtisari i bën thirrje Serbisë të pranojë humbjen e Kosovës dhe të vazhdojë përpara

Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe Serbia po dëmton interesat e saj, duke mos e pranuar një gjë të tillë. Ka qenë kjo deklarata e ish-të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Marti Ahtisari. Duke folur në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Rojters”, diplomati finlandez tha se Serbia e ka humbur Kosovën që në qershor të vitit 1999, kur trupat e NATO-s morën nën mbikëqyrje territorin, për t’i dhënë fund spastrimit etnik të shqiptarëve. “Nuk ka kthim në të kaluarën. Kosova është tashmë e pavarur dhe do të kërkojë anëtarësim në institutet financiare ndërkombëtare për të përmirësuar ekonominë e saj, si prioritetin e parë të shtetit të ri”, - tha Ahtisari. Ish-presidenti finlandez kaloi 18 muaj duke u përpjekur të gjente një kompromis mes serbëve dhe shqiptarëve. Plani i tij për pavarësi të mbikëqyrur, me garancinë për të drejtat e minoritetit serb, po implementohet tani nga qeveria kosovare. Ahtisari tha se Serbia tani duhet të shohë drejt së ardhmes, në vend që të rrezikojë shanset e saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke rezistuar në mënyrë aktive. Diplomati rikujtoi një sondazh të vitit 2005, ku rreth 47 për qind e popullit serb shprehej se e kishin humbur Kosovën. “Populli duket të jetë më i zgjuar, sesa lidershipi politik i atij vendi”, - u shpreh ai. Serbia është mbështetur fort nga Rusia në të gjitha përpjekjet e saj kundër Kosovës. Sipas Ahtisarit, Rusia është një anëtare konstruktive e 6-shes së Grupit të Kontaktit, e cila udhëhoqi diplomacinë mbi Kosovën gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, dhe ajo vetë ka rënë dakord për shumë gjëra, që tani, mesa duket, i ka harruar. “Ajo çka më shqetëson më shumë, dhe këtë ua kam thënë edhe miqve të mi rusë, është qëndrimi i tyre në Këshillin e Sigurimit, që ndalon të rënit dakord mes anëtarëve. Kjo gjë kërcënon rolin e Këshillit të Sigurimit”, - tha ai. Diplomati kujton se në janar të vitit 2006, anëtarët e Grupit të Kontaktit, përfshirë këtu dhe Rusinë, ranë dakord se zgjidhja për Kosovën duhet të pranohej nga vetë ajo. “Duke qenë se mbi 90 për qind e kosovarëve janë shqiptarë, ne e dinim rezultatin”, - vazhdoi ai. Për ish-të dërguarin e posaçëm të OKB-së, tani është tepër e rëndësishme që Kosova të bëhet një anëtare e institucioneve ndërkombëtare financiare, siç është FMN-ja, për të filluar rimëkëmbjen e ekonomisë së shtetit të ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›