E Diel, 1 Nëntor 2026

Sllaven Biliç, kandidat për stolin e Hamburgut

Sllaven Biliç mund të jetë trajneri i ri i Hamburgut. Ndonëse kroati shpreson të rinovojë me përfaqësuesen e vendit të tij dhe ka hedhur poshtë oferta nga klube anglezë, “Kiker” thekson se të dërguar të HSV-së udhëtuan këto ditë për në Zagreb, që të bindin njërin prej trajnerëve më të mirë të momentit. Hamburgu ka edhe një kandidat tjetër, që është holandezi i Tventes së Enshedes, Fred Ruten, 45 vjeç. Treshja e Hamburgut që shkoi në Zagreb përbëhej nga Bernd Hofman, Ditmar Bajersdorfer dhe Katja Kraus. HSV e vlerëson Biliçin 39-vjeçar sidomos për aspektin taktik, duke ndihmuar Kroacinë që të dilte e para dhe pa probleme në një grup të vështirë me Rusinë, Anglinë, Izraelin apo Maqedoninë. Ai e njeh futbollin gjerman, sepse ka qenë profesionist në Karlsruhe nga 1993 deri më 1996, me 66 ndeshje në Bundesligë. Biliç ka luajtur edhe në Premier Ligë me Uest Hamin dhe Evertonin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›