E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH: Na duhet të blejmë energji

Pavarësisht se kushtet klimaterike këto ditë janë në favor të korporatës, asaj prapë i duhet të blejë energji. E kësaj radhe bëhet fjalë për tenderin e madh që do të zhvillohet në 17 mars, për blerjen e 52 milionë eurove energji. Por kjo nuk do të thotë se korporata është keq për furnizimin me energji. Energjia që korporata kërkon të blejë arrin në 727.200 MWh, energji kjo e cila do të përdoret për periudhën prill-qershor. Burime pranë korporatës kanë thënë për gazetën “Korrieri”, se blerja e kësaj sasie energjie do të sjellë kufizim normal me energji përgjatë muajve të stinës së pranverës. Sakaq, nga ana e KESH-it ka përfunduar hartimi i termave të tenderit dhe pranimit të kontratave të operatorëve. Konkretisht, tenderi për blerjen e energjisë do të realizohet në 3 lote dhe energjia elektrike do të lëvrohet në vendin tonë nëpërmjet njërës prej linjave të interkonjeksionit: ose atë me Greqinë, Malin e Zi apo Kosovën. Po ashtu, sipas KESH-it, në kriteret e përzgjedhjes do të përzgjidhen kompanitë që ofrojnë çmime më të ulëta. Përveç kësaj, korporata do të pranojë edhe ofertat që ofrojnë sasi më të ulëta energjie se sasia totale e kërkuar në lote, ose që nuk ofrojnë energji elektrike për të gjithë lotet. Në rastet e ofertave të paraqitura nga një bashkim shoqërish, gjatë vlerësimit të plotësimit të kërkesave të përcaktuara nga ana e korporatës do të merren parasysh kualifikimet, gjendja ekonomike e financiare dhe aftësitë teknike e profesionale të këtij bashkimi të marrë së bashku. Fondet për blerjen e energjisë janë nga të ardhurat që vetë kompania ka siguruar nga fondet e buxhetit të shtetit, që janë planifikuar nga buxheti i këtij viti. Po ashtu, nuk duhet të harrojmë faktin që kompania ka zhvilluar edhe një tender të madh gjatë muajit mars, por nga i cili nuk arriti të sigurojë energji. Edhe gjatë vitit të kaluar, korporata shpenzoi shuma të konsiderueshme parash për blerje energjie. Importet e energjisë elektrike gjatë vitit 2007, për shkak të kushteve hidrologjike jashtëzakonisht të vështira, arritën një rekord historik prej 49 për qindësh të konsumit të përgjithshëm vjetor, me një çmim mesatar importi prej 69 eurosh MWh, ku shpenzimet për blerje energjie kapën shifrën prej 193 milionë eurosh. Pra, viti i kaluar përfshinte sasinë më të lartë të energjisë që është blerë. Sakaq, për këtë vit korporata ka parashikuar sasi më të vogla të energjisë nga importi. Plani i korporatës përfshin që i gjithë viti 2008 të furnizohet me energji të prodhuar në vend në sasinë e 4.198 GWh, kurse importi do të jetë 2.306 GWh.   Të dhëna: Sasia e energjisë që do të blihet: 727.200 MWH Loti I - Blerje energji elektrike në sasi 288.000 MWh dhe vlerë limit prej 20.184.250 eurosh Loti II - Blerje energji elektrike në sasi 223.200 MWh dhe vlerë limit prej 15.856.798 eurosh Loti III - Blerje energjie elektrike në sasi 216.000 MWh dhe vlerë limit prej 16.440.279 euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›