Vokrri: Në të ardhmen shtet dhe ligë të përbashkët
Fadil Vokrri
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, thotë se për të ardhmen e lojtarëve nga Kosova në Kombëtaren e Shqipërisë do të vendosin vetë ata. Vokrri ishte këtë javë në Tiranë...
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, thotë se për të ardhmen e lojtarëve nga Kosova në Kombëtaren e Shqipërisë do të vendosin vetë ata. Vokrri ishte këtë javë në Tiranë... -Zoti Vokrri, problem kryesor që shtrohet mes federatave, veç organizimit, është ai i lojtarëve nga Kosova në Kombëtaren e Shqipërisë. Pavarësisht nëse nuk jemi në atë stad zhvillimi të këtyre raporteve ndërmjet të dy federatave, çfarë besoni se duhet të ndodhë? A duhet të kenë ata të drejtë për të zgjedhur, apo do të jetë më mirë të mbeten në një kombëtare? Fadil Vokrri: “Ajo është e drejtë e pacenuar e atyre lojtarëve që të luajnë nga ana juridike dhe sigurisht ata të bëjnë zgjedhjen më të mirë që është e mundur për ta. Mirëpo sigurisht edhe ne do të bisedojmë me Federatën e Shqipërisë dhe do ta zgjidhim në mënyrën më konstruktive e do të jetë sigurisht në harmoni të plotë çdo vendim i marrë. Prapëseprapë, të fundit janë ata që do të vendosin për fatin e tyre se ku do të luajnë”. -Të kuptojmë që nuk do të ketë asnjë shtrëngim, asnjë presion, as diskutim të veçantë nga FFK e FSHF për t'i “detyruar” të zgjedhin njërën apo tjetrën Kombëtare? “Nuk është detyrim. Ata janë njerëz të rritur me eksperiencë si në futboll, ashtu edhe në jetë. Kështu që është një e drejtë e pacenuar e tyre, po e përsëris, që të zgjedhin kombëtaren se ku do të luajnë. Mirëpo, prapëseprapë, nuk ma merr mendja se as Federata e Shqipërisë ka interes të bëjë ndonjë presion, e aq më pak as Federata e Kosovës”. -Në 1942 daton i vetmi kampionat i përbashkët ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Madje, Prizrenin asokohe e kemi pasur në gjysmëfinale kundër Tiranës. Ka shanse të kemi ligë të përbashkët? “Unë momentalisht, në situatën aktuale është shumë vështirë, është edhe ireale. Unë u dëshiroj gjeneratave të reja që do të vijnë që ta bëjnë këtë në një shtet të përbashkët”. -Ju nuk u harrojnë për ndeshjet kundër Flamurtarit të Vlorës me Partizanin e Beogradit, 1986 (2-0/1-2). Atëherë ishit pjesëtar i Kombëtares së ish-Jugosllavisë në 12 ndeshje e 5 gola. Do t’u vinte mirë që shqiptarët përsëri të përballeshin kundër njëri-tjetrit si ju? “Ato ishin ndeshje të vështira, mirëpo futbolli e bëri të vetën dhe profesionalizmi aq më shumë. Ne ishim pjesë e shtetit shqiptar që ishte jashtë shtetit shqiptar. Sot jemi dy shtete në kushte të barabarta, me pavarësi të plotë, kështu që, mendoj se në një të ardhme koha do të bëjë të vetën dhe ne do të bëjmë një kampionat të vetëm kombëtar”.