Ekonomiku me laborator të ri informatike
Fakulteti i Ekonomisë përuroi dje laboratorin e informatikës, kërkimit shkencor dhe video-konferencës. Ndërtimi i këtij laboratori, me një kosto prej rreth 30 000 eurosh, u mundësua falë mbështetjes së konsiderueshme të NBG Bank. Në ceremoninë e përurimit, që u zhvillua pranë Fakultetit të Ekonomisë, morën pjesë rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, dekani i Fakultetit Ekonomik, Sulo Haderi, drejtori i Përgjithshëm i NBG Bank në Shqipëri, zoti Ioannis Kougionas, profesorë, studentë dhe punonjës të Fakultetit. Në fjalën e tij përshëndetëse, dekani i Fakultetit, Sulo Haderi, falënderoi NBG Bank për kontributin e rëndësishëm dhe çmoi bashkëpunimin e nisur, si një rrugë që do të çojë në përfitime të mëtejshme për studentët. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, tha se ky investim mundëson, mes të tjerave, kryerjen e leksioneve nga Tirana në degët e Universitetit në Sarandë dhe Kukës, falë teknologjisë më të fundit që është përdorur në këtë laborator. Drejtori i Përgjithshëm i NBG Bank në Shqipëri, zoti Ioannis Kougionas, u shpreh i nderuar që kishte mundësinë të kontribuonte për sistemin arsimor në Shqipëri në përgjithësi dhe për Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës në veçanti. Gjatë 16 viteve të operacioneve të saj në Shqipëri, NBG Bank përherë ka mbështetur projektet për zhvillimin e arsimit, duke e konsideruar këtë të fundit si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të shoqërisë. Zoti Kougionas premtoi se NBG Bank do të vazhdojë të jetë afër studentëve jo vetëm gjatë studimeve të tyre, por edhe pas diplomimit.