Eksperimenti i Postës, pensionistët mbeten pa para
Drejtoresha: Po informatizojmë sistemin. Nga 1 prill merren me grafik.
Kaos në zyrat e Tiranës, qindra të moshuar në radhë.
Pilotimi i mënyrës së re të shpërndarjes së pensioneve është shkaku i kaosit në zyrat e postës në Tiranë. Prej dy ditësh pensionistët rrinë në radhë për të tërhequr pagesat e tyre, por në pjesën më të madhe të pikave ka qenë gati e pamundur. Ndërhyrjet që janë bërë për të informatizuar sistemin kanë çuar në fshirjen e të dhënave për datat e këtij muaji. Ankesat janë me qindra. Ka nga ata të moshuar, të cilët pranojnë se kanë qëndruar më shumë se 4 orë në radhë dhe sërish skanë mundur ta marrin pensionin. Ne me zor e presim këtë datë. Na thonë të presim sikur e kemi për qejf, jo për bukë, ishte fjalia më e shpeshtë që dëgjojë dje në zyrat postare të Tiranës. Nga sa konfirmon Posta Shqiptare, duket se pensionet e dy muajve do të merren bashkë në prill. Sipas tyre, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka derdhur në kohë fondin e pagesave, por sistemi po informatizohet dhe nevojitej të bëhej një grafik i ri shpërndarjeje. Në datën 1 prill ky shërbim do të fillojë i informatizuar. Sigurisht, do të ketë komoditet në ofrimin e këtij shërbimi dhe për këtë kërkohet edhe një grafik i saktë për të balancuar datat e shpërndarjes së pensioneve me qëllim eliminimin e radhëve dhe të konfuzionit, ku çdo pensionist do të ketë datën e tij të përcaktuar të marrjes së pensionit, tha Elena Andoni, drejtoreshë e Postës Shqiptare.
Sipas saj, në momentin e paraqitjes së klientit në sportel, do të eliminohen veprimet e bëra deri tani dhe menjëherë do të dalë informacioni për pensionin. Me mënyrën e re pensionistët do të pajisen me një mandat pagese, me masën e tyre të pensionit. Ndërkohë qe Posta Shqiptare ofron shërbimin e dërgimit të pensionit në shtëpi kundrejt një pagese prej 50 lekësh. Pas kaosit të krijuar në pikat e shpërndarjes së pensioneve, reagoi Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe të gjitha subjektet që ai ka kontraktuar për të shpërndarë pensionet duhet të kuptojnë mirë se janë në shërbim të pensionistëve, të cilët kanë të drejtë të tërheqin rregullisht dhe periodikisht çdo muaj pensionet e tyre, thuhet në deklaratën e këtij komiteti. Sipas tij, mënyra se si sillemi dhe trajtojmë pensionistët dhe moshën e tretë në përgjithësi, është një nga treguesit të nivelit të zhvillimit, kulturor, human dhe demokratik të shoqërisë sonë.
ZIRINA LLAMBRO