Ekonomiku redukton pranimet
Universitet i Tiranës publikon kuotat e studentëve që do të pranojë për vitin akademik 2010-2011-të
Fakulteti i Drejtësisë, 300 studentë më shumë, ndërsa Infermieria propozon 200 kuota më tepër
Fakulteti i Ekonomikut, që prej disa vitesh është shndërruar në shembullin e liberalizimit të Universitetit publik (kjo për shkak të numrit të madh të studentëve që pranon), këtë vit ka vendosur të ulë paksa numrin e studentëve që do të mirëpresë për vitin akademik 2010-11-të. Universiteti i Tiranës ka publikuar dje kuotat që do t'i propozojë për miratim Këshillit të Ministrave.
Në total për këtë vit propozohen 5460 të drejta studimi për UT, rreth 300 më shumë se sa vitin e kaluar. Por, nëse disa fakultete kanë krijuar kushtet për të pranuar më shumë studentë në auditorët e tyre, disa të tjera kanë ulur numrin e pranimeve.
I pari në listën e fakulteteve që ka reduktuar numrin e të drejtave të studimit është fakulteti i Ekonomikut. Vetëm një vit më parë ky fakultet pranoi 1230 studentë, në të gjitha degët e tij, ndërsa këtë vit ka ulur numrin e pranimeve me rreth 100 kuota, duke i kërkuar qeverisë që të miratojë 1140. Reduktimet kanë ndodhur pothuajse në të gjitha degët e ekonomikut.
Kështu nëse vitin e kaluar në degët administrim biznesi dhe financë kontabilitet, u pranuan përkatësisht 460 për secilën degë, për këtë vit propozon që secila degë të pranojë 50 studentë më pak. E thënë ndryshe, të drejtën për të studiuar administrim biznes do ta fitojnë vetëm 410 studentë, po kaq është edhe numri i studentëve që do të studiojnë për Financë Kontabilitet.
Fakulteti i Drejtësisë
Më shumë kuota ka propozuar fakulteti i Drejtësisë. Nëse gjatë vitit të kaluar ky fakultet pranoi 400 studentë, këtë vit ka propozuar të pranojë 300 më shumë. Për vitin akademik 2010-2011-të do të kenë mundësi të ndjekin vitin e parë për drejtësi plotë 700 studentë.
Fakulteti i Mjekësisë
Për të dytin vit me radhë fakulteti i Mjekësisë ka ulur sërish numrin e kuotave të pranimit. Kështu prej 300 të drejtave të studimit për mjekësi të përgjithshme që ky fakultet ofronte vitin e kaluar, për këtë vit propozon vetëm 200.
Numër më të ulët pranimesh do të ketë edhe për degët e farmacisë dhe të stomatologjisë. Numri i studentëve që do të nisin studimet për farmaci në tetor, do të jetë 60, rreth 40 studentë më pak se sa viti i kaluar.
Një nga fakultetet që ka rritur kuotën e pranimit të studentëve për këtë vit akademik është edhe fakulteti i Infermierisë. Duke qenë se gjatë vitit 2009-të, ky fakultet inauguroi edhe godinën e re, me më shumë ambiente, është më se i gatshëm të presë më shumë studentë, për këtë arsye ka propozuar që të pranojë 200 studentë më shumë.
Studimet part-time
Për sistemin më kohë të pjesshme, fakulteti që ka propozuar më shumë kuota është ai i Historisë dhe i Filologjisë, i cili ka shprehur gatishmërinë për pranimin e 750 studentëve.
I dyti në listë është Fakulteti i Infermierisë që ka propozuar pranimin e 345 studentëve në programin me kohë të pjesshme. Edhe për këtë vit akademik pranimi në programin e studimit part-time për degën e Biologjisë, do të jetë i pakufizuar.
Shikoni dokumentin ne pdf