"Kutitë" shuhen shpresat për kompromis

PD-ja është kundër hapjes së kutive, për të cilat ka një vendim gjyqësor. Nuk bihet për asnjë nga nenet e rëndësishme
Mazhoranca ka "rrëzuar" 3 nga 6 amendamentet e paraqitura prej socialistëve
TIRANË - Shuhen shpresat për gjetjen e një kompromisi mes shumicës dhe opozitës në Komisionin e Ligjeve për miratimin e ndryshimeve ligjore që do të lejonin hetimin e zgjedhjeve të shkuara parlamentare.
Ajo që ishte paralajmëruar në një mbledhje më parë, është konfirmuar gjatë seancës së djeshme, ku mazhoranca ka "rrëzuar" 3 nga 6 amendamentet e paraqitura prej socialistëve, çka përbënin dhe thelbin e gjithë kësaj iniciative.
Megjithëse ende nuk ka kaluar në proces votimi, deputetët e djathtë janë shprehur dje, me anë të relacionit të lexuar nga Viktor Gumi, kundër dhënies së shumicës në komisionin hetimor të opozitës, si dhe kundër hapjes së kutive, për të cilat ka një vendim gjyqësor.
Opozita
Komisioni i Ligjeve ka vijuar dje shqyrtimin e projektligjit të paraqitur prej grupit parlamentar socialist, me anë të të cilit kërkohet të ndryshohet ligji "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare", duke dëgjuar fillimisht relacionet e palëve respektive.
Të parët që kanë prezantuar qëndrimet e tyre kanë qenë socialistët, të cilët me anë të relatorit Saimir Tahiri kanë argumentuar edhe një herë në detaje nevojën dhe kushtetutshmërinë e ndryshimeve të propozuara.
Kështu Tahiri e ka nisur përmbledhjen e vet me një qëndrim politik, duke theksuar se ndryshimet e propozuara janë një përgjigje definitive ndaj domosdoshmërisë për të mbyllur përfundimisht kapitullin e manipulimit të zgjedhjeve me rezultat të montuar e fabrikuar nga pushteti e jo nga vullneti i zgjedhësve, duke bërë transparencë të plotë e të pakushtëzuar me qëllim evidentimin e parregullsive, moszbatimit të legjislacionit zgjedhor, evidentimin e përgjegjësive administrative dhe institucionale, si dhe hartimin e rekomandimeve specifike për Kuvendin në lidhje me përmirësimin e mundshëm të legjislacionit që do të parandalojnë përsëritjen e manipulimit zgjedhor në të ardhmen.
"Ky akt është përgjigja më e mirë për krizën politike dhe institucionale në vend, duke ofruar një zgjidhje përfundimtare jo vetëm për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009-të, por çfarë është më e rëndësishme, për zgjedhjet e ardhshme.
Dispozitat e projekt ligjit janë në përputhje me frymën dhe germën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me parimet themelore kushtetuese të shtetit ligjor, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të drejtat dhe liritë themelore si dhe kontrolli parlamentar si prerogativë kushtetuese e Kuvendit.
Projektligji mban parasysh praktikën e pasur të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimet e saj që në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë interpretuar dispozitat kushtetuese për hetimin parlamentar", - tha Tahiri në fjalën e vet.
Duke i hyrë komentimit të projektligjit nen për nen, deputeti socialist në emër të përfaqësuesve të majtë ka evidentuar faktin se projekt ligji saktëson mjetet dhe instrumentet hetimore në dispozicion të kontrollit parlamentar, veçanërisht në rastet kur objekt i hetimit parlamentar janë proceset zgjedhore, sepse janë mjetet dhe instrumentet hetimore ato që bëjnë të mundur një hetim të plotë, efektiv dhe shterues, me qëllim njohjen në thellësi të problemeve të evidentuara gjatë procesit zgjedhor si dhe parandalimin e tyre në të ardhmen.
Në të kundërt, ka theksuar Tahiri, kufizimi i tyre do të ishte jo vetëm antikushtetuese, por do të reduktonte hetimin parlamentar në një praktikë fare formale dhe aspak të dobishme.
Shumica
Më pas fjalën e ka marrë relatori i djathtë, Viktor Gumi, i cili pasi ka bërë një parashtrim të eksperiencave dhe praktikave të huaja, ka evidentuar se vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese bënë të pamundur që hetimi parlamentar të mbivendoset mbi atë të organeve të drejtësisë.
Për këtë arsye, ai është shprehur se për sa kohë nisma e socialistëve synon të hetojë edhe çështjet, për të cilat ka një vendim të Kolegjit Zgjedhor ato bien në kundërshtim si me parimet që përmban Kushtetuta ashtu edhe me praktikën e Gjykatës Kushtetuese.
"Në cilësinë e relatorit vlerësoj se projektligji ka nevojë të domosdoshme të përqaset me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës kushtetuese, pasi kjo përqasje i mungon sidomos në nenet 2 dhe neni 4 të tij.
Po ashtu, në aspektin teknik edhe dispozitat e tjera të projektligjit kanë nevojë për përmirësim teknik", - tha Gumi, i cili nuk ka mundur megjithatë t'i japë një përgjigje pyetjes së socialistëve se pse Kuvendi në vitin 2005 kishte hapur kutitë e votimit me kërkesë të LSI-së.
Megjithatë, ajo që u vërejt qartë edhe në analizimin nen për nen të këtyre propozimeve nga Gumi është se mazhoranca nuk ra dakord për nenet 2,3 dhe 4 të projektligjit, që lidhen pikërisht me kutitë e votimit.
Më pas mbledhja ka vijuar me pyetje nga deputetët dhe përgjigjet nga dy relatorët përkatës, ku natyrisht u vunë re shenja të forta nervozizmi mes palëve.
Qëndrimi i PD-së për nenet më të rëndësishme
Neni 3 i projektligjit
"3/a. Në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin apo të qeverisjes vendore, shumica e anëtarëve të komisionit hetimor i përket partisë më të madhe të opozitës".
Qëndrimi i PD-së
Ky nen mund të hiqet fare. Së pari, është një parim shumë i rëndësishëm që ka lidhje me parimin kushtetues së shumicës parlamentare, e aplikuar në të gjitha nivelet e jetës parlamentare.
Së dyti, një parim i tillë i ndërtimit të komisionit hetimor nuk shfaqet në asnjë prej legjislacioneve të vendeve të Europës Lindore ose asaj Perëndimore, në secilin prej këtyre legjislacioneve - në dijeninë time - shfaqet kompozimi i njëjtë i tij në përputhje me parimin e shumicën parlamentare dhe përfaqësimin e të gjithë grupeve parlamentare në Kuvend.
Neni 4 pika 3
Në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin ose për qeverisjen vendore dhe në shërbim të hetimeve mbi çështjet, shumica e anëtarëve të komisionit mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një apo disa kutive të fletëve të votimit, duke kryer rinumërimin e tyre për efekt të verifikimit të problemeve të mundshme të evidentuara gjatë procesit të pasqyrimit të rezultatit të numërimit të votave në tabelat përkatëse të rezultateve.
Qëndrimi i PD-së
Mbi bazën e praktikës kushtetuese shqiptare dhe asaj ndërkombëtare të cituar më lart, kjo pikë ka nevojë të riformulohet, sepse është në kundërshtim me Kushtetutën. Aktivitetet e komisioneve nuk duhet të zëvendësojnë dhe as të marrin kompetencat e organeve, të cilat për shkak të ligjit (kushtetutës) janë të detyruar të realizojnë kompetenca të këtilla.
Komisionet, duke qenë organizma të brendshëm të Kuvendit, nuk duhet të vendosen në pozicionin e një "super organi ", superior mbi të organet e tjera të autoritet publik. Hetime të një natyre të tillë deformojnë natyrën kushtetuese të funksionit të kontrollit parlamentar.
Objekti i hetimit të komisionit parlamentar është fokusimi në një çështje të veçantë dhe jo në një çështje të përgjithshme; komisioni hetimor parlamentar ngrihet kur ekziston në fakt çështja e veçantë dhe jo për të parë nëse mund të zbulohet ose të gjendet ndonjë e tillë në të ardhmen.
Procesi zgjedhor në Shqipëri, sikundër ka ndodhur në të kaluarën, është proces që luhet nga aktorë me mundësi gjurmimi, evidentimi dhe ankimi të çdo parregullsie në instancat më të larta të autoritetit shtetëror publik.
Instance më e lartë e saj për çdo fazë përfshirë edhe atë të konservimit të materialeve zgjedhore në kundërshtim me ligjin apo të kundërshtimit të numërimit të fletëve të votimit është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Vendimet KQZ-së në afatin e përcaktuar në Kodin Zgjedhor janë të ankimueshme në Kolegjin Zgjedhor, vendimi i të cilit është i formës së prerë.
Për pasojë nuk mund të ketë hetim, këqyrje apo publikim të materialeve zgjedhore dhe as të fletëve të votimit në rast se kur për to është dhënë një vendim gjyqësor, ose për to ka një vendim të KQZ-së i cili nuk është ankimuar në Kolegjin Zgjedhor apo kur për të dhënat apo fletët e votimit që janë në këto kuti nuk është bërë fare ankim nga subjekti zgjedhor.