Fatos Nano përfundoi me sukses vizitën 5 ditore në Shqipëri
Edhe pse mediat e pushtetit nuk e publikuan aktin ceremonial të largimit të Fatos Nanos nga Shqipëria, burimet tona konfirmojnë, se miku i afërt i dhe ortaku qeveritar e politik i PD, i LSI dhe personalisht i kryeministrit Sali Berisha, i dha fund vizitës së tij 5 ditore në Shqipëri. Ish-politikani Fatos Nano është përcjellë në Rinas, i blinduar për egoizëm nga një eskortë sigurie Garde Republike të nivelit të treshes shtetërore President-Kryeministër-Kryetare Kuvendi. Ai ka qenë i shoqëruar nga 3 njerëzit më të besuar të Berishës: Basha, Ruli, Olldashi dhe nga kreu i LSI Ilir Meta e ministri i Jashtëm Edmond P Haxhinasto. Përpara hipjes në avionin e prenotuar nga qeveria SALI, Fatos Nano ka ripërsëritur edhe njëherë deklaratën e tij, se edhe pse prej 6 vitesh e gjysëm, qëndron e relaksohet në ekzil qejfi në Vjenë, Londër, Athinë, Romë e kudo ku i pëlqen, ai kërkon ti shërbejë vendit dhe politikës shqiptare, duke u kthyer në politikën aktive dhe në një post, që siç është e qartë, po e bisedon dhe po e përgatit me ish-armiqtë e tij Berisha, Topalli, Meta.
Vizita e tij në Shqipëri, u përligj me promovimin e 57-të të librit të Blendi Fevziut, mbasi në fakt kjo vizitë ka qenë e planifikuar mes tij dhe Berishës, por që nuk është bërë publike, deri në momentin që politologu ekzilant qejfi Fatos Nano, mbërriti në Rinas. Në fakt, kjo vizitë e tij pritej të bëhej, mbasi 2 ditë përpara ardhjes në Shqipëri, atdhetari Fatos Nano e dha sinjalin e kësaj vizite, me një intervistë në një nga kabaretë e Londrës, duke folur me tone mjaftë prekëse për fatet e kombit dhe zhvillimet politike. Gjatë 5 ditëve të vizitës së tij në Shqipëri, ekzilanti qejfli Fatos Nano, zhvilloi një seri takimesh të hapura e të mbyllura. Dha intervista, hëngri dreka qeveritare me kryeministrin dhe me disidentët e tij të mbetur e të lënë në Shqipëri dhe në politikë. Sipas burimeve, ai bëri një takim kokë më kokë me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila i kërkoi ndjesë, që në vitin 1998 kishte ideuar dhe realizuar protestën e PD, me arkivolin e Fatos Nanos, të përgatitur me bukë peshku të shkruar VDEKJE, me gjak qëndrestarësh të PD. Një takim e bisedë shpresëdhënëse e mbështetëse, Fatos Nano zhvilloi në vilën e Ilir Metës në Gjirin e Lalëzit, me rastin e gjyqit të bllokut. Takime skutash, Fatos Nano bëri edhe me 3-4 opozitarë të opozitës, të cilët i instruktoi të jenë produktiv në betejën për rrëzimin e Edi Ramës nga kreu i PS dhe për mbështetje të plotë të Sali Berishës e Ilir Metës, duke përçarë PS e duke furnizuar LSI me anëtarë. Në axhendën e tij propagandistike të vizitës së Fatos Nanos, nuk mungoi as sulmi kundër liderit të PS Edi Rama dhe malli e keqardhja për socialistët e thjeshtë. Pas takimeve, ai bëri deklarata publike në televizione dhe natyrisht edhe dy tre lojë poker në kazino.
Gjatë vizitës, deklaratën e parë, miku i madh i Shqipërisë dhe i qeverisë Fatos Nano, e bëri si përshëndetje për arritjet e shkëlqyera të qeverisë SALI. Edhe pse bëri, sikur me kryeministrin SALI u takua në mbrëmjen promovuese të librit të Fevziut, burimet thonë, se ata sapo ishin ndarë nga një drekë pune në vilën 31 dhe pasi kishin dalë prej andej, kishin ecur në korsi të ndryshme, për të shkuar veç e veç, atje ku shtrënguan duart edhe njëherë formalisht përpara kamerave. Në takimet e hapura, u mësua se çfarë u tha prej Fatos Nanos. Ai deklaroi, se është aktiv dhe se do jetë aktiv në politikë e në çdo pozicion që do të besohet. Ai tha, se ndiente dhimbje, që PS kishte përjashtuar Kaç Islamin, mbasi ajo kohë i kujtonte kohën e tij e të Saliut, kur përjashtonin anëtar partie nga PPSH. Një nga takimet e papublikuara, ishte edhe kafja e loja bilardo e bërë me Kaç Islamin dhe një grup opozitarësh të opozitës, të cilit Fatos Nano i dha një seri këshillash, se si si duhet të veproj publikisht për të demaskuar grupin parlamentar PS dhe sidomos Edi Ramën, por natyrisht duke u konsultuar në çdo hap me PD, me pronarin e LSI, me analistët e qeverisë, me intelektualët LULI. Veçanërisht, Nano i la porosi Kaçit, që të këshillohej me kryeministrin SALI, i cili ka qenë, është dhe do të jetë mbështetja mediatike, infrastrukturore dhe financuese dashamirëse e Kaç Islamit dhe e armiqve të Edi Ramës e të PS, në këtë betejë të vështirë e të vazhdueshme, për rrëzimin e Edi Ramës, për përçarjen, shkatërrimin dhe uzurpimin drejtimit të PS.
Në këtë vizitë 5 ditore, Fatos Nano ishte i shoqëruar dhe nga bashkëshortja e tij Xhoana Nano, e cila, qëndroi më tepër nën shoqërinë e bashkëshortes së kryeministrit SALI në vilën qeveritare në Durrës, mes të cilave, krahas problemeve të punës të dy bashkëshortëve të tyre SALI-FATOS, u shkëmbyen eksperienca reciproke, rreth biznesit të zonjës Nano dhe bamirësive të zonjës Liri Berisha.
Duke lënë Rinasin, me një përshëndetje të përzemërt prej xhentëlmeni, i kënaqur për suksesin e plotë që pati kjo vizitë, i emocionuar nga garancitë që i dhanë miqtë e bashkëpunëtorët e tij të afërt në qeveri e në politikë për “fatet e Shqipërisë”, Fatos Nano premtoi se brenda muajit mars, do krijoj gjithë mundësitë praktike, për të ardhur për një vizitë tjetër më të gjatë kohore në Shqipëri, që ndoshta do të jetë pranvera e riatdhesimit të tij në Shqipëri, si President Republike.
