E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetaro-parti që kurrë su rritën

Share

Nga Altin Ketro

Po flitet këto ditë për një bashkim të partive me peshë të vogël elektorale, si një grupim i vetëm, për ti dhënë më tepër rëndësi pranisë së tyre në jetën politike të vendit. Afërmendsh që ekzistenca e tyre është e domosdoshme në shoqërinë tonë, sepse sido që të jetë, e thyejnë sadopak hegjemoninë e dy forcave të mëdha, PS-PD, duke ndihmuar në zbutjen e klimës politike që jo rrallë herë tejnxehet shqetësueshëm.

Në këtë këndvështrim, unë e shoh pozitiv hapin e tyre, qoftë edhe si mënyrë rezistence ndaj të mëdhajave. Ndonëse ndër vite këto parti janë parë si shtojcë a fasadë e dy partive kryesore, ato kurrë su rritën, por mbetën ashtu, të vogla. Unë e shoh në dy aspekte këtë handikap të tyrin.

Së pari, në elektorat ka një perceptim negativ për këto parti, sepse sa herë u është dhënë mundësia për të bashkëqeverisur me njërën nga dy partitë e mëdha, e kanë shfrytëzuar jo si një mënyrë për të shpalosur një vizion të kundërt drejtimi e menaxhimi nga ato, përfshi këtu transparencën, duart e pastra, meritokracinë, etj., por si një mënyrë për të nisur një valë punësimi, qëllimi i të cilët është shtimi i radhëve të partisë me anëtarë pa ideal, por interesaxhij të momentit për një vend pune; përfitimi i fondeve dhe shpërdorimi i detyrës nëpërmjet veprimeve korruptive që pastaj kanë ulur ndjeshëm besueshmërinë në sytë e publikut duke i treguar me gisht si parti parazite, misioni i të cilave nuk paska qenë shërbimi ndaj njerëzve, por klientelizmi dhe mjelja e sa më shumë të mirave publike përsa kohë ndodhen në qeverisje.

Së dyti, ajo çka i dallon këto parti në raport me PD-në dhe PS-në, është se ato identifikohen dukshëm vetëm me emrin e kryetarit të partisë që i drejton. Sa herë na duhet ti përmendim, për to përdoret rëndom togfjalëshi, partia e Metës, e Gjinushit, e Milos, e Ndokës e kështu me radhë. Po të shohësh edhe përbërjen, do vësh re se askush në nivelet e dyta të tyre nuk ka sharmin dhe karizmën e kryetarit. Këta të fundit, janë përpjekur që të trysnojnë çdo individ për të dalë si alternativë nesër, ose të paktën nuk i kanë dhënë më shumë liri veprimi për të qenë edhe ata protagonistë si përfaqësues të partisë së tyre, kësisoj kanë siguruar një vend të sigurtë në drejtimin e partive respektive për disa dhjetëvjeçarë. Ekziston mundësia edhe e mungesës së kapaciteteve të duhura njerëzore, por sërish këtu është faji i kryetarëve aktualë që skanë ditur të përthithin kontigjente të formuara politikisht e profesionalisht, dhe sidomos, të kenë autoritet dhe emër të mirë në publik.

Sado që të kërkosh, nuk gjen kurrkund një emër pasuesi tek PSD-ja, PDS-ja, PDK-ja, PR-ja, …. Sa i përket LSI-së, për të cilën mund të thuhet se ka një peshë më të madhe se të tjerat, duket që edhe ajo nuk do mundet të ekzistojë më pa emrin e Ilir Metës. Ato pak emra me autoritet që mendoheshin se do ishin një ditë në drejtim të kësaj partie, u larguan, ose më saktë, gjetën mënyrën për ti larguar. Pavarësisht se Meta u ka dhënë disi hapësirë individëve të tillë si Petrit Vasili, Edmond Haxhinasto a Panariti, besoj që edhe ata e shohin se ndjehen shumë inferiorë për të ngjitur në elektorat e bërë për vete atë. Fakti që ata e të ngjashmit e tyre në partitë e tjera, asnjëherë nuk kanë mundur dot të krijojnë një personalitet të vetin para elektoratit, ka sjellë që të vetmen shpresë mbijetese në politikë ta shohin tek kryetarët e tyre të përjetshëm.

Në kontrast të fortë me to, dy partitë e mëdha, të cilat akuzohen shpesh herë se janë nën diktatin e Berishës dhe Ramës, kanë mundur të zhvillojnë pasuesit e mundshëm të kryetarëve të tyre. Ndonëse PD-ja e ruan ende hijen e rëndë të Berishës, duhet thënë se aty kanë dalë individë si, Bamir Topi (dikur një emër shumë i fortë, i djegur nga Berisha), Topalli, Basha, apo edhe ato zëra racionalë me peshë në elektoratin blu që kanë treguar integritet e mbase presin momentin e duhur për të ridalë sërish në skenë.

Ndërkohë në kampin tjetër, Partia Socialiste në vite ka treguar se u ka dhënë hapësirë kujtdo që ka tentuar të vihet në drejtim të saj. Ashtu si dikur Rama, sot gjenden të gatshëm plot personalitete brenda radhëve të saj. Emra të tillë si, Pandeli Majko, Ben Blushi etj., kanë kohë që janë evidentuar në publik si potenciale të fuqishëm drejtimi në të ardhmen.

Është kjo arsyeja përse dy partitë e mëdha do vijojnë të mbeten dominuese të jetës politike, pasi kanë arritur gjithmonë të shfaqen në periudha kohe me disa fytyra të ndryshme nga ajo e kryetarit, duke u dhënë shpresë shumë të tjerëve për të patur një mundësi karriere e rritur kësisoj fuqinë e burimeve njerëzore që besojnë tek to. Ndërsa partitë e vogla do mbeten gjithmonë të tilla, përsa kohë nuk do arrijnë të heqin dorë nga babëzia që shfaqin se herë janë në qeverisje, të tregojnë se janë të ndryshme nga partitë e mëdha që jo rrallë herë kanë abuzuar rëndë në qeverisjen e vendit dhe njëkohësisht, të fillojnë të nxjerrin në pah individë a grup individësh të tjerë të spikatur, që do jenë e ardhmja e partisë. Vetëm atëherë ato do bëhen të besueshme për të fituar atë elektorat jo të pakët që ndjehet i zhgënjyer nga partitë e mëdha, duke dhënë njëkohësisht mesazhin se kanë dalë nga guacka e mbyllur e kryetaro-partisë e sdo shuhen bashkë me ta. Në fundit të fundit, që edhe ato parti të fillojnë të rriten, për të mirën e demokracisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›