Zhbërja
Me një lehtësi tronditëse shumica e Kuvendit miratoi një ndryshim në ligjin për Arsimin e Lartë. Në këtë ndryshim parashikohet që autoritetet universitare do të kenë të drejtën e mandateve të njëpasnjëshme në zgjedhjet universitare, gjë që zhbën në fakt atë që po kjo maxhorancë bëri para jo më shumë se katër vitesh. Kujtoj luftën e gjatë prej babëzitësish që u zhvillua në atë kohë. Qeveria e PD kërkoi që mandati i autoriteteve universitare të ishte katërvjeçar dhe pa të drejtën e përsëritjes. Qartësisht, PD, e cila sapo kishte marrë pushtetin, kërkonte të vendoste njerëzit e saj në krye të universiteteve, gjë që mund ta bënte vetëm nëse ishte e sigurtë që do të largonte autoritetet ekzistuese prej tyre. Largimi duhet të ishte egërsisht sipas stilit komunist, por vetëm në përmbajtje. Në formë duhej të bëhej me ligj dhe kështu u bë. PD miratoi në Kuvend ligjin më të keq të bërë ndonjëherë për universitetet e këtij vendi. Kjo gjë u kundërshtua po kaq egërsisht nga njerëzit e socialistëve në krye të universiteteve të asaj kohe dhe nga partia e tyre me argumentin se mohohej e drejta që kanë individët për tu zgjedhur. PD fitoi sepse kishte shumicën në Kuvend dhe që atëhere, mandati i autoriteteve të sotëm konsiderohet të jetë 4 vjeçar dhe pa të drejtën e një mandati tjetër vazhdues. Ashtu si para katër vitesh, edhe sot e kësaj dite, PD ka po të njëjtin qëllim: të ketë njerëzit e saj në krye të universiteteve. Ajo që ndryshon sot në krahasim me katër vite më parë është se këtë rradhë universitetet do të vazhdojnë të mbeten vasalë të pështirë të politikës jo më nëpërmjet kufizimit të mandatit të autoriteteve universitarë, si dikur, përkundrazi, nëpërmjet zgjatjes së këtij mandati.
* * *
Është jasht çdo dyshimi që universitetet e këtij vendi janë shndrruar në kavie të politikës. Nuk ka eksperiment që të mos jetë kryer në fillim në kurrizin e tyre, e pastaj diku tjetër. Nuk ka sharlatan që nuk iu ka hypur njëherë në kurriz dhe nuk ka përjetuar ëndjen shtazarake të komandimit të të aftëve, të degdisjes së tyre deri në qoshen nga ku zëri nuk vjen më kurrë, të shqyerjes së mendimit të lirë, të kooperativizimit apo të manaxhimit katundaresk. Nuk ka mbetur sharlatan që nuk e ka provuar njëherë se si mund të drejtohet politikisht sistemi universitar i këtij vendi, se si para se të bëhet një politikë duhet të mendohet se si të zhbëhet ajo, duke i lënë përfundimisht universitarët e vërtetë të këtij vendi në mes të asgjësë, pa asnjë mjet në dorë për të ndryshuar universitetet, madje pa kurrfarë qëllimi, misioni. Le të fillojmë me vitin 2005. U projektua reforma e sistemit të kërkimit shkencor dhe po të mos ishte këmbëngulja e autorit të këtyre rreshtave dhe e ndonjë kolegu tjetër, ajo do të ishte si në formë ashtu edhe në përmbajtje, as më shumë dhe as më pak, vetëm një hakmarrje ndaj drejtuesve të Akademisë së Shkencave të asaj kohe. Gjithsesi u arrit që të krijohej një dokument relativisht i plotë në të cilin reforma konceptohej si një ristrukturim thelbësor i krejt sistemit kërkimor të vendit. Vendin qendror e zinin universitetet dhe misioni thelbësor i reformës ishte edukimi i studentëve nëpërmjet kërkimit shkencor. Asgjë nuk ndodhi nga ato që u shkruan në letër aq sa vërtet shumë vonë e kuptuam që, ndërsa ne përgatitnim reformën në letër, diku tjetër projektohej zhbërja e saj. Sot, nuk ka mbetur pothuajse asgjë nga ato që parashikonim të ndodhnin, përveçse disa qendra të mjeruara që akoma i karakterizojnë si kërkimore dhe disa njerëz të hutuar që vinë vërdallë e ndërrojnë karriget e tavolinat me njëri tjetrin. Ish profesorët e instituteve kërkimorë të dikurshëm shtyhen qosheve nga kërkuesit e rinj, të cilët janë shfaqur në horizont si silueta, pa personalitet, pa ditur matematikë, me një anglishte që e flasin me të njëjtin stil sikur kafshojnë bukën e dikurshme të misrit hibrid dypërdorimshme: njëherazi si ushqim për njerëzit dhe për bagëtinë; por me një dokument partie në xhep dhe me instiktin e të qënit gjithmonë me partinë që është në pushtet. U projektua reforma në arsimin e lartë dhe u vendos në një Master Plan. Ekzaktësisht si me reformën në kërkimin shkencor, ndërsa përgatitej ky Master Plan, diku tjetër, ekzaktësisht në zyrën e ministrit, përgatitej edhe zhbërja e tij. Kjo gjë u provua shumë shpejt kur shumica e PD në Kuvend, në vitin 2007, miratoi një ligj që në substancë ishte në kundërshtim të plotë me Master Planin, ndërsa ky i fundit u hodh në të njëjtin kosh plehrash ku gjendet dinjiteti i shërbyesve të sotëm të popullit, pra politikanëve. Shumë vite më parë ishte nënshkruar nga politikanët e këtij vendi pjesmarrja në procesin e Bolonjës, por nuk pushuan asnjë ditë përpjekjet për të bërë të kundërtën në Shqipëri. Shpresat ishin të mëdha pas vitit 2005. Politikanët e PD bënë ekzaktësisht atë që nuk pritej: devijuan plotësisht politikën universitare nga procesi i Bolonjës dhe këtë e bënë pa iu hyrë asnjë gjëmb në këmbë. E zhbënë këtë proces në Shqipëri akoma pa e filluar atë, si zakonisht. Ajo që mbeti nga zhbërja ishin disa kualifikime prej të cilave Evropa kishte kohë që kishte hequr dorë, ndërsa studentëve të hutuar iu thoshnin, pacipërisht, se ishin bërë pjesë e procesit të Bolonjës. Dhe së fundi, sepse nuk ishte gjë tjetër veçse një mënyrë e rafinuar për të çuar paratë publike te xhepat e pronarëve të universiteteve private, vjen reforma financiare e universiteteve ose një nga djallëzitë më të pështira të politikanëve të sotëm. Është jasht çdo dyshimi që një reformë financiare do ta rivitalizonte sistemin universitar dhe për një reformë të vërtetë, esenciale, të ndershme, përpjekjet e vërteta kanë filluar që në vitin 1996. Përpjekja e sotme për të realizuar një reformë financiare, në fakt, nuk është gjë tjetër vetëm një zhbërje e të gjitha përpjekjeve të ndershme të kryera në këtë drejtim. Edhe në këtë rast, si në të gjitha rastet e tjera, qeveritarët që mbulojnë arsimin e lartë veprojnë ekzaktësisht si më parë: i thonë publikut atë që kanë kohë që e kanë zhbërë dhe përgatiten për të bërë financimin e universiteteve në kundërshtim të plotë me interesat e tij.
* * *
Tani po bëhet një zhbërje tjetër, ajo e sistemit të zgjedhjeve në universitete. Realisht, ky nuk është problemi më i madh që shtrohet sot, megjithëse pas tij fshihet interesi i politikës për të sunduar universitetet. Problemi më i madh është ai që vendoset në raportin midis zgjedhjeve universitare dhe vetë universiteteve. Pra, çështja nëse kështu si zhvillohen zgjedhjet në universitetet tona, a i shërbejnë progresit të tyre apo i zhytin akoma më shumë universitetet në baltën e prapambetjes? Gjendja në të cilën ndodhen një pjesë e madhe e mësimdhënësve dhe studentëve në universitete, pra gjendja në të cilën është shumë e dyshimtë mënyra se si kanë hyrë në universitet dhe akoma më shumë, mënyra se si i kanë marrë gradat dhe titujt, kjo për pedagogët, dhe se si i marrin diplomat, kjo për studentët; pra mënyra thellësisht e dyshimtë se si i marrin të dy palët kredencialet e tyre akademike, vë në një dyshim të thellë integritetin e një pjese të konsiderueshme të universitarëve të sotëm, dhe prandaj, në të njëjtjën kohë, vë në një dyshim të thellë edh
