Ekonomitë bujqësore, Noka: Me 1 shtator nis regjistrimi

1 shtatori shënon fillimin e punës në terren për regjistrimin e njësive ekonomike bujqësore, ku INSTAT do të marrë të dhëna konkrete për çdo fermë në rang vendi si dhe të dhëna për karakteristikat e secilës prej tyre.
Gjatë ditës së sotme Ministria e Brendshme në bashkëpunim me INSTAT zhvilloi një takim me vendorët. Gjatë fjalës së tij Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, tha se ky është një proces shumë i rëndësishëm, pasi do të ndihmojë qeverinë shqiptare në hartimin e politikave më efikase për zhvillimin e vendit, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e drejtuesve lokalë.
“Roli juaj në procesin e regjistrimit është thelbësor. Por ky rol kërkon nga ju dhe administratat tuaja që të merrni të gjitha masat në kohën e duhur për realizimin me suksese të këtij procesi. Në emër të institucionit që unë drejtoj ju garantoj se do të keni mbështetje të plotë. Masat e marra deri tani nga ana jonë, në bashkëpunim edhe me INSTAT janë të plota dhe sigurojnë funksionimin korrekt të Komisioneve përkatëse”, u shpreh Noka.
Ministri Noka e vlerësoi si shumë të rëndësishëm ketë proces edhe në kuadër të punësimit, pasi sipas në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë do të mund të punësohen rreth 3500 Anketues, 750 Kontrollorë dhe 69 Mbikqyrës.
Regjistrimi i njësive ekonomike bujqësore do të shërbejë për konsolidimin e statistikave të sakta, që do të nevojiten në hartimin e politikave nga ana e qeverisë apo institucioneve të tjera.