E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten shanset për kalimin e TAP në Shqipëri, tjetër mbështetje për projektin

Projekti i Trans-Adriatik-Phipline i kompanisë azerbajxhanase Socar ka marrë një tjetër mbështetje nga konsorcium Shah Deniz, duke i rritur edhe më tepër shanset e kalimit të tubacionit të gazit në Shqipëri, Itali dhe Greqi.

Agjensia e lajmeve Reuters shkruan se është arritur një marrëveshje mes dy kompanive British Petroleum dhe Total për të financuar në ndërtimin e TAP. Sipas drejtorit menaxhues të TAP, Kjetil Tungland nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është e rëndësishme për besimin e TAP.

“Bashkëpunimi ynë me Shah Deniz ka një ndikim edhe më të gjerë. Marrëveshja jep një siguri më shumë për rezultate pozitive në përfundimin e kësaj vepre të madhe të korridorit të Jugut” tha drejtori i TAP per Reuters.

Sipas marrëveshjes parashikohet që të treja kompanitë të blejnë deri në 50% të aksioneve të projektit. Dy ditë më parë Greqia dhe Italia arritën një marrëveshje bashkëpunimi për të mbështetur projektin e ndërtimit të Korridorit Jugor të Gazit.

Ndërkohë gjatë muajit qershor kompania me e madhe e energjisë në Itali Enel tha se ishte e interesuar në përfshirjen e gazësjellësit TAP, duke kontribuar me reth 10 ose 20 për qind të aksioneve.

Ecuria e projektit do të varet edhe nga marrëveshjet ndërqeveritare mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për ta bërë TAP të jetë më konkurues ndaj projektit tjetër të Nabuco.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›