Kriza në Greqi, rekord papunësie gjatë muajit maj

Norma e papunësisë në Greqi ka arritur një tjetër nivel rekord gjatë muajit maj, më i larti i të gjitha kohëve për vendin e zhytur në borxhe. Të dhënat e fundit tregojnë se norma e papunësisë u rrit në 23.1 për qind, dhe gati për 55 për qind janë të moshës 15-24 vjeç duke krijuar një situatë të dëshpëruar.
Shifra për këtë kategori është rritur në muajin maj në kuotën 54.9 për qind, nga 51.5 për qind që ka qenë në prill, dhe është më e larta në radhët e 27 vendeve anëtare të BE-së.
Të mbytur nga një recesion i thellë të gjithë ata që kërkojnë një vend pune i kanë humbur të gjitha shpresat . Muajin e kaluar kryeministri grek, Antonis Samaras, deklaroi se pritet që ekonomia të tkurret me 7% deri në fund të 2012-ës, një shifër më e lartë se reçesioni prej 5% që ishte parashikuar më parë nga Banka Qendrore e Greqisë.
Reformat ekonomike të imponuara nga qeveritë që nga viti 2010, kanë shkaktuar një recesion të thellë dhe kanë koditur tregun e punës. Shkurtimet e buxhetit të vendosura nga BE-ja dhe FMN si një kusht për të shpëtuar vendin nga borxhet kanë shkaktuar mbylljen e bizneseve. Dhjetëra mijëra biznese janë mbyllur që nga kriza filloi në vitin 2010.
Greqia është tani vendi i dytë pas Spanjës me papunësi më të madhe në zonën e euros, ndërkohë që sa vijnë e bëhen më të forta hipotezat e ekspertëve për një dalje të shtetit helen nga zona euro.