E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekskluzive / Qato: Një eveniment që do ta kishte zili edhe Don Kingu

Nga Altin B. Kodra
Bashkë-editor i Albania-Sport.com


Ka vetëm më pak se dy orë që ka mbërritur në Hotel "Rogner" Europapark të kryeqytetit dhe, sapo është akomoduar në dhomën e tij në këtë kompleks prestigjioz, ka vijuar programin e tij stërvitor, nën kujdesin e trajnerit të tij, në fushën e tenisit. "Udhëtimi më ka lodhur pak, edhe për arsye se jam zgjuar herët, që në ora 4 të mëngjesit dhe fluturimi sikur me trullosi pak", - rrëfen Qato, duke folur ekskluzivisht për Albania-Sport.com, në intervistën e dhënë para pak minutash. "Prandaj trajneri vendosi të zbrisnin këtu në fushën e tenisit, për të bërë disa ushtrime me karakter shkrythës", - shton ai, duke fshirë djersën nga fytyra, ndërkohë që dy truproja qëndrojnë gjithnjë në këmbë pranë tij. Në intervistën e tij ekskluzive për faqen tonë, ai shpreh mirënjohjen e tij të thellë për promotorin e tij, z. Ylli Ndroqi, të kompanisë "Yldon" sh.p.k., për pritjen madhështore që iu rezervua, që, sipas tij, "do ta kishte zili edhe Don Kingu". Përvec kësaj, Qato flet pak edhe për kundërshtarin e tij, rusin Zajcev, me të cilin do të jetë përballë nesër në ora 16:00, në Hotel "Rogner", për procedurën e peshimit, për të vijuar pastaj me ndeshjen, të shtunën në mbrëmje, në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" të kryeqytetit. - Kreshnik, mirëseerdhët… Cilat janë përshtypjet e tua në këtë rikthim në Shqipëri, vecanërisht para një evenimenti të këtyre përmasave? - Të them të drejtën, më ka bërë shumë përshtypje një pritje e këtij lloji dhe e këtyre përmasave. Me një makinë policie përpara, 3 makina të tjera shoqëruese të blinduara, një autobuz me foton time dhe të kundërshtarit tim, padyshim që janë përtej asaj që unë mund të kisha imagjinuar. Sinqerisht, kam mbetur pa fjalë, madje mund t'ju them edhe një batutë të bukur të trajnerit tim, i cili, duke parë këtë pritje, m'u kthye dhe më pyeti: "Mos na ka rastisur gjë mbërritja në Tiranë me atë të ndonjë delegacioni të lartë evropian?!" (Qesh). Përvec pritjes, më bëri përshtypje edhe prania e posterave të ndeshjes sime gjatë gjithë autostradës. Mund të them se ishin po aq të shumta në numër me ato të protagonistëve të zgjedhjeve të fundit lokale (të 18 shkurtit). Gjithsesi, përtej shakave, mund të them se është një pritje dhe një organizim që do ta kishte zili edhe promotori më i famshëm i boksit në botë, Don Kingu, i cili ka menxhuar duelet më të mëdha të ringut ndërkombëtar. Dhe nuk kam as dyshimin më të vogël, se i gjithë ky eveniment, i organizuar nga Z. Ylli Ndroqi dhe stafi i tij te "Yldon" Sh.p.k., do të jetë një sukses i padiskutueshëm dhe që duhet t'i bëjë shqiptarët të ndjehen krenarë. - Keni theksuar se jeni i informuar për kundërshtarin, por nuk keni pranuar t'i shikoni kasetat e ndeshjeve të tij … i trembeni Zajcevit? - Natyrisht që shtypi ka mënyrën e vet të nxjerrjes së lajmit, por unë nuk do të bie në grackën tuaj. Unë nuk trembem askujt, përfshirë këtu edhe Zajcevin, pasi besoj në forcat dhe aftësitë e mia dhe jam i sigurt në vetvete. E kam theksuar edhe më përpara se jam i informuar për kundërshtarin, pasi kasetat e tij i kanë studiuar trajneri dhe stafi im teknik. Arsyeja që unë nuk i kam parë kasetat është sepse, duke qenë një boksier i sikletshëm, që mundohet të shfrytëzojë aspektin psikologjik të kundërshtarit, duke e ndërthurur këtë me teknikën e tij, unë mund të ndikohesha negativisht nga këto kaseta, sepse do ta paragjykoja kundërshtarin ende pa filluar ndeshja. Dhe në boks, ky është një "handicap" i vërtetë, një pengesë psikologjike që mund të ndikojë në lojën tënde në ring. Unë futem në cdo ndeshje duke mos e paragjykuar kundërshtarin, por as duke mos e respektuar atë më tepër se c'duhet. - Shumica dërrmuese e të anketuarve në Albania-Sport.com, nuk e vënë në dyshim fitoren tuaj ndaj Zajcevit, madje, shumica e tyre, parashikojnë një fitore tënden me "knock-out" dhe jo me pikë… - (Buzëqesh) Më gëzon kjo përkrahje, ndonëse në të figuron disi edhe aspekti i patriotizmit shqiptar. Natyrisht, ëndrra e cdo boksieri është një fitore me "knock-out" dhe unë do të dëshiroja që ndeshjen ta mbyllja sa më shpejt, pasi 12 raunde janë të vështira. Por duhet të jemi realistë dhe unë mendoj se ndeshja do të vendoset me pikë. Gjithsesi, unë do ta pranoja fitoren, sido që të ishte, me "knock-out" apo me pikë. - Si ndjeheni tani, kur ju ndajnë dicka më tepër se 24 orë nga ndeshja më e madhe e jetës suaj? - Ndjehem në një formë të shkëlqyer dhe mjaft i zhdërvjellët, duke patur parasysh se kam humbur jo pak por 6 kg brenda këtyre 2-3 javëve të fundit. Pesha ime është 75 kg dhe boksierët në këtë kategori nuk duhet të jenë më poshtë se 72 kg dhe jo më tepër se 76 kg. Po kaq është edhe kundërshtari im, i cili vjen me një CV mbresëlënëse. Gjithsesi, unë besoj se 2-3 raundet e para të ndeshjes do t'i shfrytëzoj për ta studiuar nga afër kundërshtarin, ndërsa më pas do të vijojë beteja për fitore. - Faleminderit dhe suksese!

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›