Ekskluzive/ Mikel Janku: “Holanda e 64-ës, një kujtim i bukur”

Me Holandën e lidh një fije e padukshme, madje e përjetshme në karrierën e tij si futbollist. Kundër "portokallinjve", ish-portieri i Kombëtares shqiptare, Mikel Janku, ka zhvilluar ndeshjen e parë zyrtare me përfaqësuesen kuqezi. Atëherë 22-vjecar, një surprizë befasuese e trajnerit Zyber Konci, Janku do të ruante me fanatizëm, për 45 minuta në pjesën e parë, katërkëndorin kuqezi, për t'u ndëshkuar në pjesën e dytë fillimisht nga pika e bardhë (sa i zi mund t'i jetë dukur djaloshit Janku ai rreth bari!) nga Dan Shrijvers, që kundwr Shqipërisë regjistronte golin e dytë me fanellën e Holandës në 7 takime. Për t'u ndëshkuar edhe një herë tjetër nga Beni Muler (Bennie Muller) në Roterdam. "Një gol i shënuar me kokë, që gjithmonë më rëndon në kujtesë, pasi munda ta prek me majat e gishtwrinjve, por pa mundur të shmag golin", - thotë Janku, sot 64-vjecar, i shndërruar në një nga penat me prestigjioze të gazetarisë sportive.
Albania-sport e takoi portierin që për 9 ndeshje mbrojti ekipin Kombëtar të Shqipërisë nga ndeshja e parë eliminatore e Kampionatit Botëror 1966 kundër Holandës (1964) dhe deri tek e fundit e tij, për kualifikueset e Kampionatit Europian kundër Jugosllavisë (1967), në mjediset e redaksisë së gazetës të mirënjohur sportive "Sport Ekspres", për t'i marrë një intervistë ekskluzive në lidhje me kujtimet e tij për ballafaqimet kundër përfaqësueses holandeze, të parën e Shqipërisë në kualifikueset e një Kampionati Botëror dhe të 28-n ndeshje ndërkombëtare të Shqipërisë, që nga ndeshja e saj e parë më 22 shtator 1946, kundër Malit të Zi.
Zëvendëskryeredaktori Janku, gjithmonë brilant në të folur, falë dhe profesionit të tij, por gjithmonë i lëvizshëm në karrigen rrotulluese, ku duart (të shenjta për të) duken sikur kapin ende topa, rrëfen jo pa nostalgji një kohë të artë të tij, ku nuanca e zërit e tradhton pak, teksa ngjyroset "portokalli".
-Albania-Sport: Presor Mikeli, nga ndeshja e së mërkurës me Holandën na ndajnë vetëm pak orë, ndërsa Albania Sport dëshiron t'ju rikthejë në kohë, 42 vjet më parë, kur Shqipëria ndeshej për herë të parë me Holandën...
-Mikel Janku: Për mua ishte ndeshja e parë me ekipin Kombëtar dhe shumë gjëra janë thellë në kujtesën time. Vetë fakti që Shqipëria merrte pjesë për herë të parë në kualifikueset e një Kampionati Botëror, ishte një ngjarje e madhe për futbollin shqiptar dhe për dashamirësit e tij kudo në vendin tonë. Futbollli në vitin 1964 ka qenë ndër kënaqësitë më të mëdha. Kjo ndeshje pritej me padurim dhe kishte krijuar një gjendje emocionale për lotarët dhe specialistët e futbollit, para të cilëve ishte shtruar një detyrë e madhe, pasi konsiderohej si një hap i metejshëm i konfirmimit të fubollit shqiptar në Europë. Gjithsesi, tashmë e kishim një përvojë nga ballafaqimi me Danimarkën për kualifikueset e Kampionatit Europian 1964. Shqipëria humbi me Danimarkën 4-0 në Kopenhagen dhe fitoi 1-0 në Tiranë, me golin e shënuar nga Panajot Panos. Goli ynë u shënua shumë shpejt qysh në minutën e 3-të, dhe u krijua ideja se mund edhe të kishim ndonjë shans kualifikimi, por goli i Panos ishte i vetmi në këtë takim. Duke iu rikthyer ndeshjes së parë me Holandën në Roterdam, më 24 maj 1964, dua të them se e kishim një përvojë, por vetë emërtimi i kompeticionit: Kampionat Botëror, na krijonte një farë stresimi në planin psikologjik, në sensin e kërkimit të një paraqitjeje sa më të mirë. Dua të përsëris edhe faktin se grupi i lojtarëve të grumbulluar kishte përvojë të pakët ndërkombëtare si lojtarë, po të bwsh edhe një llogari të thjeshtë, se përpara ndeshjeve me Danimarkën në vitin 1963, Kombëtarja e Shqipërisë kishte luajtur për herë të fundit në vitin 1958 me Gjermaninë Lindore, pra një kohë e gjatë shkëputjeje. Nga ana tjetër ne ishim të panjohur në arenën ndërkombëtare dhe, me thënë të drejtën, kjo na rëndonte jo pak. Në momente të vecanta gjatë ndeshjes ka patur edhe vendime arbitrare në dëmin tonë.
- Sa e përgatitur ishte Shqipëria për këtë ballafaqim?
- Jemi përgatitur gjatë për këtë ballafaqim të parë në Kupën e Botës, për një përiudhë 15-ditore. Një grumbullim me shumë seriozitet dhe me një impenjim të lavdërueshëm nga të gjithë ne. Kishte një interesim të jashtëzakonshëm, pasi kjo shihej edhe në planin politik, pasi ishte një ballafaqim në arenën ndërkombëtare. Interesant është fakti që ekipi Kombëtar shkoi në Holandë me vetëm 13 lojtarë. Mund të jetë një rast unikal që një përfaqësuese niset në një aktivitet ndërkombëtar me 13 futbollistë: 11 lojtarë të formacionit të parë, një lojtar rezervë, që në atë ndeshje ishte Mico Papadhopulli dhe një portier i dytë, i ndjeri Shefqet Topi. Udhëtuam me avion në drejtim të Budapestit. Atëherë, gjatë gjithë javës, mbërrinin vetëm dy avionë në Rinas. Në atë kohë, mos gabohem, operonin avionë të shoqërive hungareze dhe ceke, apo ndonjë linjë tjetër. Drejtuesit kishin problem të madh kombinimin e udhëtimit me avion me datën e ndeshjeve. Atë natë kemi fjetur në Budapest dhe ajo që është më e vecanta është fakti se kemi bërë një stërvitje në stadiumin më të madh të Budapestit. Një kënaqësi e madhe ishte edhe për vetë punonjësit e stadiumit. Edhe ata e konsideronin një ngjarje, pasi për herë të fundit kishin parë një ekip Kombëtar shqiptar në vitin 1950, në fitoren e bujshme 12-0 të hungarezëve. Pas një ndalese në Amsterdam, udhëtuam drejt Roterdamit, në qytetin ku ishte programuar edhe zhvillimi i ndeshjes. Stadiumi ishte rreth 60 mijë-vendësh dhe i përkiste skuadrës së PSV Eindhoven. Ato që na bënë përshtypje nuk ishin vetëm fushat e pamata, por edhe fakti se kudo kishte fusha stërvitjeje. Hidhje një sy rreth e rrotull dhe shihje fusha me porta të vendosura nga të gjitha anët.
- Holanda ishtë edhe ndeshja juaj me Kombëtaren...
- Ishte me Kombëtaren, por nuk ishte ndeshja e parë ndërkombëtare për mua. Kisha luajtur si portier me Partizanin në Kupën e Kampioneve kundwr Norcepingut në Tiranë dhe kampiones së Bullgarisë, Spartak Pllovdiv; kisha luajtur në Turneun e Vendeve ish-Socialiste në Hanoi, ku morëm medaljet e argjendta. Kjo ishte ndeshja e parë dhe emocionet ishin normale, aq më tepër kur edhe ndeshja me Holandën i përkiste eliminatoreve të Kampionatit Botëror.
- A pati interesim nga media holandeze për ndeshjen?
- Media atje ishte e pranishme, por ne shumë pak na interesonin ata. Jeta jonë e atyre viteve na detyronte të mos ishim të interesuar se cfarë bëhej në Holandë apo cfarë shkruanin ata. Cdo moment i kishim nëpër këmbë: në hotel, në stadium. Na shikonin ndonjëherë edhe me habi, ndoshta duke menduar se cfarë kërkojnë këta në Holandë. Trajneri ynë, Zyber Konci, që pa dyshim kishte kontakte më shumw me ta, kishte mësuar edhe një fakt. Gazetarët holandezë i kishin pohuar se ne e kishim gjetur kombëtaren e tyre në një moment të papërshtatshëm. Kampionati holandez sapo kishte përfunduar dhe lojtarët kishin kërkuar të bënin pushimet. Për ne kjo ishte e paimagjinueshme se si një lojtar përpiqej t'i shmangej Kombëtares.
Janku, rezistuat në pjesën e parë, ndërsa në të dytën...
- E vërteta kjo është. Për pjesën e parë unë mund të them se ka qenë një ndër lojërat më të mira që ka zhvilluar Kombëtarja jonë, të paktën për ato vite, pavarwsisht se ky sot mund të jetë një përfundim subjektiv, duke krahasuar me nivelin e ndeshjeve të sotme, ku pjesa më e madhe e lojtarëve të përfaqësueses luajnë në kampionate të huaja. Pjesa e parë përfundoi në barazim 0-0, dhe unë, edhe tani jam i bindur se ky 45-minutësh duhet të kishte përfunduar me fitoren tonë edhe 3 apo 4-0. Mund të duket e habitshme sot, por kështu ka qenë. Mehdi Bushati, Pavllo Bukuoviku, Bahri Ishka kanë pasur raste të pastra shënimi, por ose gjuajtën jashtë kur portieri ishte i shtrirë, ose portieri holandez (Grafland) arriti t'i bllokojë. Në pjesën e parë holandezët ishin vizitorë të rrallë në portën time. Në pjesën e dytë vuajtëm edhe mungesën e përvojës, por edhe faktin që për Europën ne përbënim një ekip enigmatik dhe nuk e kishin për gjë të na ndëshkonin, sic ishte dhe rasti i penalltisë, kur në minutën e 3-të të pjesës së dytë, gjyqtari irlandez, Xhon Meigan, dha një penallti fantazëm. Mbrojtësi Dan Shrrijvers realizoi dhe gati 30 mijë shkikuesit në stadiumin e Fejenordit shpërthyen në frenetizëm. Holanda kaloi edhe disa momente të mira dhe katër minuta më pas, sulmuesi i Ajaksit të Amsterdamit, Beni Myller, shënoi me kokë golin e dytë. Ishte te pika e penalltisë dhe goditi shumë fort. Me gjithë kërcimin tim dhe prekjen e topit, nuk munda ta ndaloj. Gjithmonë e kam kujtuar atë gol me një pishmanllëk, pasi e preka topin dhe mund ta kisha evituar, por edhe pse tentova, nuk munda dot, pasi dhe topi ishte në trecerek lartësi.
-Edhe në ndeshjen e kthimit në Tiranë sërish një humbje 2-0?
- Ndeshja e kthimit në Tiranë u zhvillua pas disa muajsh, më saktë më 25 tetor 1964. Në atë kohë kishte një tjetër konceptim të taktikës apo filozofisë së ndeshjes, pavarwsisht forcave që kishim dhe kundërshtarit me të cilin përballeshim. Edhe nga sferat e larta të shoqërisë mbizotëronte opinioni se duhet të sulmojmë, të tregojmë forcën tonë, vitalitetin, mentalitetin e fitimtarit, duke harruar se në futboll ka mënyra nga më të ndryshmet për të fituar. E dyta, të paktën sipas meje, ne ramë edhe viktimë e ndeshjes së parë. Në ndeshjen e parë e gjetëm Holandën në ditët e parë pas përfundimit të kampionatit, ndërsa në të dytën kur sapo kishte filluar kampionati, në kulmin e formës fizike të lojtarëve. U goditëm dy herë në filllim dhe në fund të ndeshjes, kur në të 2' shënoi Heni Van Nee dhe në të 88' Frans Geurtsen, kur ekipi shqiptar thuajse sulmoi gjatë gjithë kohës. Dua të shtoj edhe një fakt, se ekipi holandez pati në dy takimet trajnerë të ndryshëm. Në ndeshjen e parë në Roterdam, trajner ishte hungarezi Elek Shvartc, ndërsa në Tiranë, Holandën e drejtoi anglezi Denis Nevil. Unë do të thosha se brezi ynë ka vendosur një nga gurët e historisë së Kombëtares shqiptare. Po në këtë kompeticion, barazimi me Irlandën e Veriut (1-1) në Tianë një vit më pas u konsiderua sukses pasi irlandezoveriorët arritën deri në 16 më të mirët e Kampionatit Botëror. Ky barazim u konsiderua si një surprizë.
-Le të kthehemi 42 vjet më pas, në ndeshjen e së mërkurës, më 11 tetor 2006. Cili është opinionin i një ish-lojtari, tashmë një specialist dhe gazetar i mirënjohur sportiv?
- Le ta themi që në fillim se Holanda e tanishme nuk është ajo e vitit 1964. Sigurisht që nuk është dhe Holanda e kulmeve të saj, ku ajo fitoi Kampionatin Europian, u shpall dy herë nënkampione e Botës, apo ajo e dominuar nga lojtarë të Ajaksit të futbollit total. Megjithatë, më duket se është një moment se Holanda kërkon të ringjallet fuqishëm në arenën europiane dhe në përbërje të saj ka disa protagonistë me emër që luajnë në klubet të spikatura të Europës, pa harruar disa nga ekipet më të mira të Holandës, pavarwsisht se kampionati holandez nuk renditet ndër pesë më të rëndësishmit në kontinent. Holanda drejtohet nga një emër i madh si Van Basten, që vjen nga një karrierë e madhe si futbollist dhe tashmë me përvojë edhe si trajner. Duhet të jemi realistë në përballjen me Holandën. Më lejoni të bëj një krahasim. Nëse në Shqipëri do të vinte për të luajtur një skuadër si kampionia e NBA-së dhe t'i kërkonim ekipit tonë kampion të Shqipërisë të fitojë. Në basketboll kjo nuk ndodh. Në futboll edhe mund të ndodhë, pasi është vetë loja që ta mundëson këtë gjë. Kujtoj rastin me Gjermaninë në vitin 1967. Ajo që unë si gazetar, si dashamirës apo edhe si ish-futbbollist i Kombëtares, është që Shqipëria të mos bjerë nga niveli ku ka arritur futbolli ynë. Unë shpresoj vetëm te një mrekulli për të marrë pikë në Holandë, pasi realisht dua ta them me dhimbje se kemi pak shanse për rezultat pozitiv. Holanda mund të fitojë të paktën me dy gola, por uroj që të jem i gabuar.
Ndeshjet:
Holandë-Shqipëri 2-0 (0-0)
Kampionati VIII Botëror, Angli 1966. Paraeliminatoret e Grupit 5
24 maj 1967. Fejenord, stadiumi i Fejenordit, 28.475 shikues
Shënues: 1-0 48' Schrijvers (pen), 2-0 52' Muller
Holanda: Eddy Pieters Graafland -portier(Feyenoord Rotterdam), Guus Haak (Feyenoord Rotterdam),Hans Kraay (Feyenoord Rotterdam), Daan Schrijvers (D.W.S.),Cor Veldhoen (Feyenoord Rotterdam), Fons van Ëissen (PSV Eindhoven), Bennie Muller (Ajax Amsterdam), Gerard Bergholtz (Feyenoord Rotterdam), Piet Kruiver (Feyenoord Rotterdam), Klaas Nuninga (G.V.A.V), Lambert Verdonk (PSV Eindhoven). Trajner: Elek Schwartz, Hungari
Shqipëria: Mikel Janku-portier (Partizani), Fatbardh Deliallisi (Partizani), Skënder Halili (Tirana), Fatmir Frashëri (Partizani), Ali Mema (Tirana), Lin Shllaku (Partizani), Bahri Ishka (17 Nëntori), Mehdi Bushati (Dinamo), Pavllo Bukoviku (17 Nëntori), Panajot Pano (Partizani), Robert Jashari (Partizani). Trajner: Zyber Konci
Gjyqtar: John Meighan (Republika e Irlandës).
Shqipëri-Holandë 0-2 (0-1)
Kampionati VIII Botëror, Angli 1966. Paraeliminatoret e Grupit 5
25 tetor 1964, Tiranë, stadiumi Kombëtar "Qemal Stafa", 27.579 shikues
Shënues: 0-1 3' Van Nee, 0-2 87' Geurtsen
Shqipëria: Mikel Janku-portier (Partizani), Fatbardh Deliallisi (Partizani), Skënder Halili (Tirana), Fatmir Frashëri (Partizani), Ali Mema (Tirana), Lin Shllaku (Partizani), Bahri Ishka (17 Nëntori), Mehdi Bushati (Dinamo), Lorenc Vorfi (Dinamo) Iljaz Ceco (Dinamo), Panajot Pano (Partizani), Robert Jashari (Partizani). Trajner: Zyber Konci.
Holanda: Eddy Pieters Graafland -portier(Feyenoord Rotterdam), Guus Haak (Feyenoord Rotterdam), Rinus Israel (D.W.S.), Daan Schrijvers D.W.S.), Cor Veldhoen (Feyenoord Rotterdam), Fons van Wissen (PSV Eindhoven), Piet Fransen (G.V.A.V), Gerard Bergholtz (Feyenoord Rotterdam), Henny van Nee (Heracles), Frans Geurtsen (D.W.S.), Mick Clavan (Holland Sport). Trajner: Denis Neville