Eksodi brazilian, 1176 emigrantë në këtë vit
Pëlqehen nga të gjithë dhe gjithnjë. Edhe pse nuk mund të thuhet se janë të vlefshëm, të paktën ata "japin spektakël" në fushë. Bëhet fjalë për futbollistët brazilianë, që transferohen nga vendi i tyre në drejtim të kampionateve të ndryshme të botës. Në 2008-ën, kanë qenë gjithsej 1176 emigrantë të topit, ose 8.4% më shumë se vitin e kaluar. Ky është një trend në rritje. Mjafton të mendosh se vetëm në vitin 1998, numri i lojtarëve që largoheshin nga Rio dhe rrethinat ishte 530. Lajmin e bën publik e përditshmja "As", duke cituar shifrat e Federatës Braziliane. Nga rreth 1200 lojtarë emigrantë, pjesa më e madhe ka zgjedhur Evropën (762). Pastaj Azia, kampionatet e tjera amerikano-jugore dhe vetëm 15 kanë përfunduar në Afrikë. Për sa u përket kampionateve evropiane, vendi i invazionit më të madh, me 209 futbollistë të zyrtarizuar me kontrata është "La Liga" portugeze. Janë shtuar shumë edhe ata në Gjermani, ku numërohen 58, Itali (53), Suedi (46) dhe Spanjë (34) dhe mes kombeve bie në sy edhe një komunitet në Korenë e Veriut (8). Motivi i emigrimit të të gjithë këtyre lojtarëve, shpesh të rinj, është i thuajse i njëjtë: në vendet e tjera fitojnë më shumë se sa në Brazil. Dhe menaxherët e tyre përfitojnë një përqindje të konsiderueshme nga transferimet, por edhe nga rrogat e tyre. Qeveria braziliane po mundohet të përmirësojë situatën, të paktën në lidhje me të rinjtë premtues. Javën e kaluar, Parlamenti ka filluar diskutimet për një ligj, i cili parashikon si moshë minimale 16-vjeçarët për të firmosur një kontratë si futbollist profesionist.