E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohet Çesk Fabregas, jashtë fushës për tre muaj

Pas barazimit 1-1 me Liverpulin kryesues, i cili e ka larguar edhe më shumë ëndrrën e Arsenalit për titullin e Premier League (tani -8 nga kreu), vjen edhe dushi i ftohtë, dëmtimi i rëndë i Çesk Fabregas, që, sipas të dhënave të "Sun" e "Daily Mirror", mund të qëndrojë përreth tre muaj larg fushave të futbollit. Shkak është bërë lëndimi në ligamentin e gjurit të djathtë të kapitenit të "Topçinjve", pas një përplasjeje gjatë lojës me Ksavi Alonso. Spanjolli i është nënshtruar vizitave mjekësore menjëherë pas ndeshjes me "Reds"-at për të mësuar diagnozën e saktë të dëmtimit. Por ekziston frika që Fabregas duhet t‘i nënshtrohet menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale, duke zgjatur kohën e rikthimit të mundshëm në fushë. Këtë e ka bërë të ditur për "The Sun" një mik i mesfushorit të "Topçinjve". "Çesk ndihet i dërmuar dhe ky dëmtim ka ardhur në një moment të keq për të dhe për klubin. I kanë thënë se nuk do të rikthehet deri në fund të muajit mars, gjë që do të thotë se do të humbasë turin tjetër të Champions League ndaj Romës dhe një numër të konsiderueshëm ndeshjesh të rëndësishme në kampionatin anglez. Në një kohë të shpejtë do të mësojë nëse do të duhet t‘i nënshtrohet një operacioni apo jo, por për momentin premisat nuk janë aspak të mira. Vetë Fabregas (i cili për të thënë të vërtetën vuante nga një dëmtim në gju prej rreth një muaji) e kishte kuptuar menjëherë se dëmi mund të ishte më i madh se sa ishte parashikuar. "Kam një parandjenjë të keqe për dëmtimin, por nuk mund të them se ishte faji i Alonsos, pasi ne ndërhymë të dy në të njëjtën kohë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›