E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marçelo Lipi: Besoj tek Amauri "italian"

Marçelo Lipi bën një analizë të përgjithshme të vitit 2008. Trajneri i Kombëtares italiane flet në 360 gradë, duke filluar nga Amauri, si kandidat për t‘u përfaqësuar me "axurrët", për të vazhduar te Murinjo, Interi dhe Barcelona.

Marçelo Lipi, 2008-a ishte viti i rikthimit tuaj. A jeni penduar që u larguat nga Kombëtarja italiane?

Jam penduar. Pavarësisht asaj që ndodhi në futbollin italian, veprova në mënyrë të nxituar dhe u largova. Gjatë fazës finale të Euro 2008, federata i kishte ofruar rinovimin e kontratës Donadonit, ndërsa ai e kishte refuzuar. Në anën tjetër, unë po prisja me padurim të rikthehesha. Përpara ofertës për të marrë sërish drejtimin e "axurrëve" kisha refuzuar shumë oferta.

Si e parashikoni vitin 2009?

Delikat. Do të na ndajë vetëm një vit nga Botërori i Afrikës së Jugut. Do të luajmë në eliminatore dhe në Kupën e Konfederatave. Janë aktivitete ku duhet dhënë maksimumi. Pastaj vjen seleksionimi i lojtarëve. Me ata që fituan Botërorin 2006 u tregova i qartë: nuk do të kem asnjë detyrim kur të bëj zgjedhjet teknike. Për shembull, Kanavaro e Materaci do të jenë 37 vjeç në 2010, nuk mund t‘i marr të dy.

Po Kasanon, Del Pieron apo Totin?

Kasano është autopërjashtuar, por e përsëris: kurrë nuk duhet thënë kurrë. Vërtet Del Piero është 34 vjeç, por nëse ruan këtë formë fizike, mund të flasim. Toti më ka dërguar sinjale se dëshiron të rikthehet? Unë i kam respektuar gjithmonë vendimet e tij për të hequr dorë nga impenjimet me Kombëtaren.

Për Amaurin çfarë mund të thoni? E shihni me Italinë?

Patjetër që po. Tashmë që procedurat për pajisje me pasaportë italiane janë drejt fundit, kam besim se ai do të përfaqësohet me fanellën "axurre".

Nuk keni frikë se Dunga dhe Brazili ua "rrëmbejnë"?

Jo, aspak.

Një vlerësim të përgjithshëm për Serinë A.

Lojtari më i mirë jo italian ishte padyshim Ibrahimoviç, ndërsa nga italianët, Del Piero. Trajneri më i mirë është Spaleti: Roma e mbylli kampionatin e kaluar në vendin e dytë, arriti në çerekfinale të Champions dhe fitoi Kupën e Italisë. Të gjitha këto me një kontingjent lojtarësh që dukej qartë se ishte më inferior se Interi. Pas largimit tim nga Juve, në vitin 2004, i këshillova drejtuesit e klubit ta merrnin.

Skuadra surprizë?

Mund të duket si provokim, por për mendimin tim ishte Juventusi i Ranierit. Sapo ishte ngjitur nga Seria B, e mbylli kampionatin menjëherë në vend të tretë. Së fundmi u kualifikua e para në grupin e Ligës së Kampioneve dhe është ndjekësja më e afërt e Interit në këtë sezon.

A ekziston ndonjë trajner që meriton të cilësohet "Lipi i ri"?

Hoze Murinjo. Më ngjason, sepse është konkret. Ashtu si unë, nuk bën revolucione, megjithatë nuk shfaqet as si konservator. Bën zgjedhje praktike.

Cila skuadër do ta fitojë Serinë A?

Interi.

A ka ende hapësirë në futboll që të bëhet një revolucion si ai i Holandës në vitin 1974?

Nuk e besoj. Pas futbollit total, nuk mund të kthehemi sërish te futbolli parcial, pra ku çdo lojtar mbulon vetëm një sektor të caktuar në fushë. Ky sport po shkon gjithmonë e më shumë drejt globalizimit të ideve, të taktikave dhe të trajnerëve.

Skuadra që po luan futbollin më të bukur?

Padyshim Barcelona. Do të fitojë Ligën e Kampioneve, po të doni hedhim bast...

Kapelo ka deklaruar: Pas Anglisë, tërhiqem nga puna si trajner. Po ju?

As që nuk kam ndërmend. Do të vazhdoj të punoj edhe pasi të largohem nga Kombëtarja italiane.

Një nismë për të përmirësuar futbollin?

Gjyqtarët që ruajnë vijën e portës. E kam ngritur këtë ide që prej vitit 2000, në një takim teknik në Nion.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›