Gruaja gjendet e mbytur te Liqeni Artificial

Liqeni Artificial në Tiranë
TIRANE – Një grua 51-vjeçare e cila ishte denoncuar nga familja në Komisariatin Nr.2 si e humbur, u gjet e mbytur gjatë natës në Liqenin Artificial në Tiranë. Viktima është identifikuar nga familjarët e saj mëngjesin e djeshëm dhe, sipas burimeve nga Policia e Tiranës quhet Fatmira Kadare, 51 vjeçe. Kufoma e saj është parë fillimisht nga një kalimtar i rastit, i cili menjëherë ka lajmëruar Policinë. Trupi është transportuar drejt morgut të Tiranës, fillimisht si i paidentifikuar, ndërsa mëngjesin e djeshëm efektivat e Komisariatit Nr.2, ku ishte bërë një denoncim për largim personi nga banesa, 24 orë para ngjarjes, kanë orientuar të afërmit e saj, të cilët e kanë identifikuar. Të njëjtat burime konfirmuan se nisur nga rrethanat e ngjarjes, Kadare është mbytur qëllimisht në Liqenin Artificial, ndryshe nga çfarë u dyshua në fillim si një mbytje aksidentale. Ndërsa sipas deklarimeve të familjarëve të saj, dyshohet se motiv i ngjarjes mund të ketë qenë gjendja e saj e rënduar psikologjike, për shkak të problemeve që Fatmira Kadare ka pasur me depresionin. Ky dyshohet të jetë shkaku që detyroi 51-vjeçaren të vetëmbytej në Liqenin Artificial.