E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë zgjedhje të parakohshme

Pas partive opozitare, tash edhe elemente brenda partive në pushtet, PDK dhe LDK, po kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Deputeti i PDK’së, Zafir Berisha ka thënë për Radion Europa e Lirë se zhvillimet në procesin e fundit zgjedhor dhe ato rreth balotazhit kanë dëshmuar se PDK dhe LDK nuk janë parti që mund të qeverisin edhe pas shpalljes së pavarësisë.

“Me deklarimin e pavarësisë dhe ruajtjen e stabilitetit në Kosovë, ky koalicion e ka përfunduar punën e vet”, thotë Berisha. “Detyrën, ky koalicion e ka kryer me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe, thjesht, PDK dhe LDK në koalicion është shumë e pakuptimtë. Unë e them këtë si deputet. E kam thënë edhe atëherë (2007) dhe vazhdoj ta them”.

Edhe deputeti i LDK’së, Bujar Bukoshi, vlerëson se koalicioni aktual është në krizë dhe se nuk po funksionon.

“Qeverisja nuk ka treguar kurrfarë performancë ose fare pak performancë. Kemi një varg të defekteve, të cilat alarmojnë. Kjo qeveri ose ky koalicion duhet të rikonsiderohet, të shihet se a ka masa të mundshme për ta sanuar gjendjen, për të cilën unë, personalisht, mendoj se është mjaft vështirë”, ka thënë Bukoshi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›