Howard Dean: interneti dhe të rinjtë po ndryshojnë politikën
Në turin e vizitave në Ballkan guvernatori amerikan Howard Dean, pasi u takua me disa nga krerët e shtetit shqiptar, u ndal dje pasdite në Universitetin Europian të Tiranës për të mbajtur një leksion të hapur me temën “Lidershipi Politik në Kohë Sfidash” organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës dhe Instituti Demokratik Amerikan për Çështje Ndërkombëtare.
“Kam parë një ndryshim dhe progres të madh në Shqipëri në këta 20 vjet. Ju drejtohem juve, studentëve të Universitetit Europian të Tiranës, duke ju thënë se në politikë duhet të ketë patjetër të rinj. Padurimi që ata kanë, energjia e tyre çon drejt ndryshimit. Por edhe drejt shkurajimit, kur këto ndryshime nuk ndodhin. Sigurisht që në këto 20 vite keni pasur telashe, probleme, por jo të gjitha ditët janë të mira në politikë. Duhet të këmbëngulim, duhet të këmbëngulni për Shqipërinë. Kjo është ajo që vlen. Duhet të jeni pjesëmarrës në politikë. Mos u bëni të duruar për ndryshimet e as mos u shkurajoni duke e lënë pas dore. Ndryshimi vjen nga këmbëngulja, përfshirja është e rëndësishme”, iu drejtua ish-guvernatori Howard Dean studentëve dhe të pranishmëve në sallë.
Si një politikan me karrierë të gjatë dhe të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si guvernator në Vermont, kryetar i shoqatës kombëtare të guvernatorëve, shoqatës së guvernatorëve demokratë, kryetar i konferencës së guvernatorëve të New England, ai solli një panoramë të rrugëtimit të tij në politikë dhe strategjive që përdori ai dhe stafi i tij.
“Mbaj mend kur unë hyra në politikë. Kishte një qasje qesharake ndaj Partisë Demokratike në atë kohë. Njerëzit u tallën me mua, kur shkova në Alaska. Por ne nisëm atje fushatën tonë, takonim njerëz derë më derë. Tri ditë para zgjedhjeve kandidati republikan u akuzua për korrupsion. Ne kishim nisur të përdornim gjerësisht internetin dhe kishim database teknologjike. Unë shkova në Alaska duke mos menduar se do të fitonim atë vit. Por mendoja se do të fitonim brenda dhjetë viteve. Udhëtimi më i gjatë nis me një hap të vetëm. Askush nuk e di se ç’do të ndodhë në jetë, por mund të përgatitesh mirë për atë që mund të ndodhë. Nuk ka më koincidencë se politika”, tha ai duke shtuar se karriera e tij politike nisi krejt rastësisht ku, nga profesioni i mjekut që ushtronte në Vermont, u bë guvernatori i tij.
“Kur shkova në Vermont, ushtroja profesionin e mjekut dhe një ditë më thanë se do të isha guvernatori i ri. Guvernatori i vjetër vdiq në moshën 63-vjeçare. Duhet përgatitje për gjithçka. Në moshën tuaj ju keni mundësi të keni 3 apo 4 karriera. Jo vetëm përfshirja në partitë politike quhet politikë, edhe përfshirja në organizata joqeveritare është politikë. Çdo njeri duhet të bëjë diçka në politikë”, vijoi ai.
Në ligjëratën e tij guvernatori Dean e vuri theksin te kontributi që çdo individ duhet të japë në politikën e vendit të tij.
“Unë mendoja se demokracia është forma më e evoluar e politikës, por gabohesha. Duhet punuar dhe kontribuar çdo ditë për demokracinë, ose ndryshe do ta humbisni atë. Duhet të punoni që ta mbani. Duhet të përfshiheni. Mos mendoni se është punë e të tjerëve. Shoh progres dhe rritje në Shqipëri dhe jam shumë i lumtur për këtë. Ka shumë optimizëm. Të gjitha demokracitë kanë probleme. Është natyra njerëzore që kërkon më shumë pushtet dhe demokracia është për të balancuar”.
Howard Dean iu drejtua me një mesazh brezit të ri, atyre nën moshën 35-vjeçare, duke thënë se janë pikërisht ata që do të sjellin ndryshim, duke marrë shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku pikërisht kjo grupmoshë solli shumë vota për presidentin Barack Obama.
“Kam një mesazh për njerëzit nën moshën 35-vjeçare. Ka rregulla të ndryshme për këtë brez. Ky brez ka sjellë më shumë vota në SHBA sesa brezi mbi 60 vjeç. Barack Obama është president i këtij brezi. Sot në SHBA ky brez ka miq të çdo lloji, kulture, etnie, race, besimi fetar, seksualiteti. 2/3 e të rinjve votuan për Obamën. Megjithëse ai është 50 vjeç, ai është presidenti i të rinjve, sepse u përgjigjet pritshmërive të tyre”.
Me këtë president lind pyetja: A ka ikur racizmi në SHBA? Do të ketë gjithnjë racizëm, por ideja është të mos e lejojmë.
Jam i kënaqur me reformat zgjedhore në Shqipëri, kuotat 30% të pranimit të grave në politikë, megjithatë ka nevojë për shumë punë.
Unë kam një histori personale. Në 12 vjet shërbim shefja e stafit tim ishte grua. Për shumë vite vura re që kishte shumë gra. Kur i kërkova të punësonte një burrë, sepse ishin në minorancë shefja u përgjigj: nuk gjej dot asnjë burrë efecient për atë rol. Ne kemi tendencën të punësojmë njerëz të ngjashëm me veten. Kjo nuk na bën racistë, por tregon procesin sesi funksionon.
Partia Demokrate në SHBA ka diversitet. Emigrantë, afro- amerikanë, hebrej, të krishterë etj. Ndërsa republikanët në masën më të madhe janë të krishterë të bardhë. Edhe në Partinë Demokrate Amerikane ka të krishterë të bardhë. Është një parti me shumë minoritete brenda. Ajo që bëmë ishte të kishim anëtarë të grupeve minoritare dhe t’i shpërndanim në poste. Sepse njerëzit në parim nisen të punësojnë të ngjashëm. Kështu përfshirja është më e madhe, me një staf etnikisht të balancuar. Duhet të kapërcejmë boshllëkun e eksperiencës dhe të sigurohemi që gjithsecili të përfaqësohet. Ky grup i ri janë të ndryshëm, sepse jo vetëm që janë përfshirës, por kanë edhe njohurinë.
Interneti ka ndryshuar rolin e politikës
Hap i madh i teknologjisë ishte që librat të mos kopjoheshim më me dorë, por shumëfishimi i tyre, më pas erdhi interneti, deri tek Wikileaks, ku mund të marrësh vesh ç’bëhet në qeverinë e Kinës për shembull. Mosha juaj është shumë më e zgjuar se brezi ynë. Informacioni dhe njohuria tani janë të shpërndara më gjerë. Edukimi bën të gjykosh ç’është e vërteta dhe jo. Interneti ka ndryshuar rolin e politikës. Brezi im, kur ishim në moshën tuaj, mendonim se do të ndryshonim sistemin, kurse brezi juaj nuk beson te kjo, sepse nuk beson më as te sistemi.
Para tetë vitesh, kur unë kandidoja për president, nuk kishte as facebook dhe as youtube. Mesazhi im ka qenë gjithmonë që individi ka fuqi ta ndryshojë jetën e tij. Merre fuqinë që ke edhe përdore, kur bashkohet edhe me forca të tjera është shumë mirë. Ekzistonte një faqe interneti meet.com, ku njerëzit komunikonin me njëri-tjetrin edhe takoheshin. Kështu u bashkuam me të tjerët në internet. Ne e nisëm fushatën nga asgjë. Lëvizja eci vetë.
Ne thjesht e lidhëm bashkë të gjithën. Nuk ka shumë ndryshim mes të rinjve në SHBA që kanë në dorë të gjitha mjetet, me të rinjtë në vende të tjera në botë. Ajo që kanë kaluar prindërit tuaj, brezat e mëparshëm, ishte sakrificë, në vitet ’80, ’90, u është dashur të përballojnë edhe burgosjen. Interneti i ka sjellë shumë ndryshim demokracisë, njerëzit kanë sakrifikuar më shumë se mund të sakrifikoni ju sot. Brezi juaj po kryen një revolucion. Kur kandidova unë nuk kishte Youtube, por dy vite më pas ai u kthye në armë shumë të fortë politike. Në fushatën e Obamës Facebook-u, Myspace dhe Youtube ishin shumë të rëndësishëm dhe u përdorën gjerësisht për fushatën elektorale. Janë mjete evolucionare dhe revolucionare njëkohësisht. Fuqia e internetit dhe e brezit tuaj. Ndodhemi në mes të një krize financiare. Dua të përgëzoj Shqipërinë, e cila në vitin 2009 pati rritje në GDP.
Po pse ndodhi kjo? Ishin dy faktorë. Bankat amerikane dhe europiane dukeshin sikur luanin kumar me investimet, duke e kthyer Wall Street-in në një Casino të madhe. Sektori privat është më i shpejtë se publiku, por institucionet qeveritare e kuptuan me vonesë se ç’po ndodhte. Unë nuk jam kundër kapitalizmit, kapitalizmi është i mirë, por kur përfitojnë të gjithë. Nuk jam kundër pasurimit të njerëzve, por gjithsecili duhet të besojë se sistemi po punon për të. Në kapitalizëm duhet të përfitojnë të gjithë. Duhet ruajtur një balancë. Mendoj se interneti, veçanërisht në fushatat elektorale, është i mirë, por nuk mund t’i zëvendësojë takimet derë më derë, fytyrë me fytyrë, interneti është një shtesë e mirë, por nuk duhet humbur kontakti përballë, është mënyra më efektive, edhe në moshën e internetit. Partitë politike mbeten të rëndësishme, ato do të ndryshojnë shumë në moshën e internetit, por nuk do të zhduken, sepse është e rëndësishme të punojnë në terren.
Kush është Howard Dean
Guvernatori Howard Dean është ish-kryetar i Komitetit Kombëtar të Demokratëve në SHBA, kandidat presidencial dhe guvernator për 6 mandate. Gjithashtu ka edhe profesionin e mjekut. Aktualisht punon si konsulent i pavarur në fushat që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor, zhvillimin e hershëm të fëmijëve me energjinë alternative dhe zgjerimin në mbarë botën të politikës që drejtohet nga qytetarët.
Dean gjithashtu është kryetar bordi i Klubit të Librit Përparimtar. Ai shkruan artikuj për agjencinë e lajmeve CNBC dhe është themeluesi i qendrës Demokracia për Amerikën.
Dean e nisi karrierën e tij në shërbimin publik në vitin 1982 dhe shërbeu si guvernator për 12 vjet. Ai është personi i dytë në këtë shtet që ka shërbyer për një kohë kaq të gjatë.
Gjatë kohës që shërbeu si guvernator në Vermont, Dean ishte edhe kryetar i shoqatës kombëtare të guvernatorëve, shoqatës së guvernatorëve demokratë dhe kryetar i konferencës së guvernatorëve të New England. Dean e la postin në Vermont kur kandidoi për president në vitin 2003, duke zbatuar strategji të reja për grumbullimin e fondeve, siç ishte edhe përdorimi i internetit.
Si kryetar i komitetit të Demokratëve, Dean krijoi dhe zbatoi “Strategjinë e 50 shteteve” dhe mjetet për zhvillimin e fushatës së shekullit 21. Atij i është njohur kontributi që u ka dhënë demokratëve për arritjet e tyre historike gjatë viteve 2006-2008. Nën udhëheqjen e tij, burime të rëndësishme iu dedikuan rigjallërimit të Partisë nëpërmjet ndërtimit dhe fuqizimit të mjeteve organizative, mundësive teknologjike dhe infrastrukturës, të cilat ishin të nevojshme për të arritur fitoren, ndërkohë që hodhi themelet për një mazhorancë afatgjatë të demokratëve.