Ekspertë europianë për interpretimin e vendimit të Kushtetueses

Dita e dytë e bisedimeve të iniciuara nga Presidenti Topi për zgjidhjen e krizës kanë pasur si rezultat fokusimin e interpretimit juridik të pikës 4 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për objektin e punës së komisioneve hetimore, si dhe në vazhdimësinë e dialogut politik mes palëve. Burime pranë takimit bënë të ditur për “Shqip” se pikërisht kjo çështje do të jetë objekt i përcaktimit nga ekspertë të njohur ndërkombëtarë të së drejtës, që priten të jenë prezentë në delegacionin e gjerë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që pritet të vijë në fillim të javës së ardhshme në Tiranë. Ndërkaq, një tregues, edhe pse jo shumë i rëndësishëm, është edhe fakti që Kryeministri Berisha gjatë deklaratave të tij publike të dhëna pas daljes nga Presidenca nuk e ka përmendur fjalën “kuti” apo “vendim gjykate”.
Por ndryshe nga tryeza e së shtunës, takimi i djeshëm ka nisur me bisedimet e Presidentit Topi me ambasadorët e BE-së, Montobjo, dhe Lohan, si dhe përfshirjen në negociata edhe të Kryeministrit belg, Yves Leterme, i cili vizitoi dje Tiranën dhe vendi i tij do të marrë presidencën e radhës së BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti.
AmbasadorëtKreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka nisur dje fazën e dytë të bisedimeve politike për zgjidhjen e krizës politike. Në fillim, pikërisht në orën 11.00 ka pritur në zyrën e tij, ambasadorin spanjoll, Manuel Montobio, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së dhe Kreun e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Takimi ka zgjatur rreth 45 minuta dhe është biseduar për konsultimet që të tre personalitetet kanë zhvilluar me krerët e politikës shqiptare, por edhe për mënyrat për të vazhduar negociatat e mëtejshme. Një burim diplomatik që përfaqëson Bashkimin Europian në Tiranë, i tha dje “Shqip” se “diplomatët nuk janë futur në detajet e një marrëveshjeje që mund të arrihet në tryezën e thirrur nga Presidenti, por kanë ushtruar influencën e tyre që këto bisedime të shkojnë përpara dhe të arrihet në një zgjidhje”. Në takimin me Kryeministrin belg Leterm, është biseduar edhe për krizën ku kreu i qeverisë së Belgjikës ka mbështetur nismën e Presidentit. Në takimet e djeshme kanë qenë prezentë edhe këshilltari juridik i Presidentit, Spiro Peçi, dhe ai diplomatik, Arben Cici, të cilët janë marrë me përpilimin e pikave konvertuese dhe me kontaktet diplomatike.
RamaSapo akrepat e orës kanë kapur mesditën, lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, dhe kreu i Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi, kanë mbërritur në zyrën e Presidentit, ku në më pak se 40 minuta është diskutuar për kërkesat e PS-së për të konvertuar me qëndrimin e mazhorancës. Rama ka bërë të ditur se opozita me njohjen e rezultatit të zgjedhjeve e ka bërë lëshimin e vet dhe pret nga mazhoranca të pranojë transparencën e plotë të zgjedhjeve. Krerët e lartë të PS-së kanë paraqitur një përcaktim juridik të respektimit të rezolutës së Këshillit të Europës, por edhe të vendimit të Kushtetueses. Kreu i Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi, tha pas takimit se “ajo që ne i ritheksuam Presidentit është që Partia Socialiste shpreh gjithë vullnetin e saj politik për të zbatuar këtë pikë të rezolutës të KiE, për të zbatuar këtë pikë sipas kërkesave të rezolutës së KiE, sipas nenit 77 të paragrafit të 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe sipas pikës 4 të interpretimit që i ka bërë Gjykata e Republikës së Shqipërisë objektit të hetimit të komisioneve hetimore”. Ruçi theksoi se nuk ishte pjesë e takimit paraqitja e propozimeve konkrete, pasi Presidenti ka dëgjuar palët. “Një komision hetimor ka modalitetet e paraqitura nga ligji për komisionet hetimore, ashtu sikurse komisionet hetimore është një e drejtë kushtetuese e opozitës e sanksionuar në Kushtetutë dhe s’është dakordësia apa kundërshtia e mazhorancës për ngritjen dhe funksionimin e komisioneve hetimore. Problemi këtu është tek objekti i hetimit, i cili ka qenë objekt interpretimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ku përcaktohet me të drejtë nga rezoluta e KiE”, theksoi Ruçi.
BerishaTakimi i Kryeministrit Berisha në Presidencë nuk është zhvilluar në orën 13.00 sipas parashikimit, por në 14.30, pas ardhjes së Kryeministrit belg në Tiranë, i cili mendohej se do të anulonte vizitën. Si dhe në rastin e kreut të opozitës, edhe Kryeministri Berisha, që është shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, takimi ka zgjatur 30 minuta. Kryeministri nuk ka paraqitur kërkesa, por ka bërë të ditur se është i gatshëm të lëshojë, përveç qëndrimit që ka për vendimin e gjykatave. Por pas takimit, në deklaratën publike, Berisha nuk e ka përmendur as fjalën kuti e as gjykatë. Para gazetarëve, Kryeministri Berisha tha se “diskutuam me Presidentin e Republikës dhe ne sërish riafirmuam qëndrimin tonë të vendosur të mbetemi të hapur për dialogun, të mbetemi të hapur për shqyrtimin e të gjitha problemeve të lidhura me procesin zgjedhor, të cilat kualifikohen si probleme bilaterale. Presidenti po vazhdon të eksplorojë të gjitha mundësitë”.
#