"Flijohen" mësuesit për të rregulluar nëndrejtorët
Studimi i Ministrisë së Arsimit në bashkëpunim me drejtoritë dhe zyrat arsimore në rrethe, duket se nuk ka llogaritur faktin se mësues që kanë edhe mastera do të detyrohen që të lënë punën e tyre në shkollat publike në arsim. Kjo, për shkak të ngarkesës së re mësimore dhe shkurtimeve të pritshme nga ky riorganizim i strukturave shkollore që ka përgatitur MASH dhe është përcjellë tashmë në çdo shkollë, edhe përmes një udhëzimi të veçantë të firmosur nga ministri Myqerem Tafaj.
Largimi nga detyra i 400 nëndrejtorëve, që sipas ministrit Tafaj është një kapacitet i pashfrytëzuar në arsim, ka sjellë për pasojë edhe një rishpërndarje të orëve të mësimit, në përputhje me normën e re, ku mësuesit e shkollave 9-vjeçare duhet të realizojnë 23 orë në javë, ndërsa ata të gjimnazeve 22. Për të mos larguar nga puna ata që deri dje kanë qenë nëndrejtorë mësohet se orët e mësimit që më parë zhvilloheshin nga mësues të tjerë janë vënë në dispozicion të këtij kontingjenti. Po ashtu edhe mësuesit e tjerë të lëndëve, sipas “hierarkisë” në këto institucione, kanë nxituar që të plotësojnë normën e re mësimore të caktuar nga MASH. Një gjë e tillë ka sjellë për pasojë që jo të gjithë arsimtarët të kenë një ngarkesë të plotë prej 22 apo 23 orësh në javë në varësi të shkollave apo të numrit të nxënësve në klasa. Dhe këtu bëhet fjalë për mësues të emëruar, pjesë e sindikatave të arsimit dhe jo për ata që MASH ka kontraktuar me kohë të pjesshme, të cilëve nuk iu rinovua kontrata.
Në shkollat kryeqytetase mësohet se arsimtarët, të cilët nuk kanë mundur që të plotësojnë ngarkesën mësimore të detyruar, janë duke “kërkuar borxh” orë shtesë në shkolla të tjera. Ata e konsiderojnë atë si shpëtimin e vetëm për të qëndruar në punë.
Nga ana tjetër, Sindikata e Mësuesve sot do të deklarohet me një qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje. Por ata që kanë mbajtur një qëndrim më të rreptë kanë qenë përfaqësuesit e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, që i kanë konsideruar këto lëvizje nga puna të mësuesve si politike dhe jashtë kritereve profesionale. Vetë mësuesit në mënyrë individuale pohojnë se duhet të organizohen për të kundërshtuar këtë ngarkesë mësimore që, sipas tyre, është e paarsyeshme pasi ministria nuk merr parasysh edhe punën suplementare që ata kryejnë madje edhe në shtëpi, jo vetëm për t’u përgatitur për të nesërmen, por edhe korrigjimet e provimeve apo përpunime statistikash e të dhëna të tjera.
Vetëm disa javë më parë, Këshilli i Ministrave nxori një vendim në bazë të të cilit rinovoheshin kontratat e përkohshme vetëm për 704 punonjës, ndërkohë që rreth 1300 mësues të sistemit parauniversitar, që punojnë me kontrata të përkohshme, do të duhet që të lënë radhët e arsimit, në muajin shkurt, pasi kontratat e tyre nuk do të rinovohen.
Nga 2011 mësues me kontrata të përkohshme deri në janar, vetëm 704 do të kenë mundësi që të mbyllin vitin shkollor në krye të detyrës. Këtyre të fundit u zgjatet kjo kontratë deri në fund të muajit qershor të këtij viti. Për plotësimin e normës mësimore, arsimtarët ngarkohen dhe me orë jashtë profilit.
Ngarkesa e re mësimore është përcaktuar në varësi të numrit të nxënësve që do të ketë çdo klasë. Kështu në arsimin parashkollor, numri i fëmijëve në një grup duhet të shkojë në jo më pak se 25, ndërsa në klasat e arsimit bazë dhe të mesëm, numri i nxënësve duhet të jetë jo më pak se 32. Për kryeqytetin, numri i nxënësve në një klasë vazhdon të jetë ende shumë i lartë.
#