E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertë të FMN dhe BB takim me sekretarin për programin të PS-së, Ilir Beqja

TIRANE- Ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore zhvilluan të premten një takim me Sekretarin për Programin të Partisë Socialiste, Ilir Beqja. Pas takimit, z. Beqja deklaroi për mediat se "ishte një takim teknik i kërkuar nga ekspertë të FMN-së dhe Bankës Botërore". Sipas Beqës, biseda ishte e përqëndruar në punën e ekipit të ekspertëve të këtyre dy institucioneve në Tiranë, në muajt në tetor dhe nëntor.
Ekspertet e dy prej institucioneve me kryesore financiare ndërkombëtare mbërriten dy ditë më parë në Tiranë ku nisën axhendën e tyre të takimeve me Guvernatorin e Bankës Qendrore, Ardian Fullani dhe më pas me ministrin e Financave Ridvan Bode.
Grupi i misionit të FMN dhe BB janë në Shqipëri për të kontrolluar sistemin financiar shqiptar. 

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë, u bë e ditur të mërkurën se me kërkesën e institucioneve shqiptare, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore (BB) do të kryejnë përditësimin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP). 

Nëpërmjet vlerësimeve të FSAP-së, dy institucionet e rëndësishme ndërkombëtare ofrojnë një analizë të plotë mbi stabilitetin e sektorit financiar të një vendi dhe mbi nevojat që ai ka për t’u zhvilluar më tej. Vlerësimi i fundit i FSAP-së për Shqipërinë është kryer në vitin 2005, dhe ky ushtrim i planifikuar do të realizojë një përditësim të vlerësimit të mëparshëm. 

Sipas këtij njoftimi, misioni planifikues i FSAP-së do të qëndrojë në Tiranë në datat 17-19 korrik për të diskutuar me autoritetet vendase mbi spektrin e shtrirjes dhe procesin. Puna kryesore për FSAP-në do të kryhet gjatë një misioni të mëvonshëm, i planifikuar paraprakisht në periudhën tetor-nëntor 2013. Veçmas nga ky proces, një mision ekspertësh të FMN-së pritet të vizitojë Tiranën në fund të muajit shtator 2013. 

Kjo vizitë është pjesë e mbikëqyrjes ekonomike që kryen FMN-ja dhe do të pasohet nga një mision i Konsultimeve për Artikullin IV nga fundi i këtij viti. Zakonisht, gjetjet më të rëndësishme të Artikullit IV dhe FSAP-së përfshihen në raportin e stafit të FMN-së në përfundim të ciklit të konsultimeve. Ky "skanim" i sektorit financiar është mjaft i rëndësishëm për të bërë një diagnostikim të plotë të shëndetit financiar dhe makroekonomik të ekonomisë tonë. 
(e.m/ata/BalkanWeb

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›