E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: I takon qytetarëve të reagojnë

Kotorri: Nëse rritet çmimi i energjisë, qeveria t'i kërkojë CEZ-it të ulë në nivelin e vendeve të rajonit humbjet

Energjia


TIRANË- Aplikimi për rritje me 31 për qind të çmimit të energjisë elektrike për familjarët është shoqëruar me shqetësim tek konsumatorët.


Një ditë pas bërjes zyrtarisht publike të shifrave të rritjes, ekspertë të fushës dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë shprehur kundër një rritjeje të tillë dhe kanë ftuar publikun që të tregohet më aktiv në momentet kur cënohen drejtpërdrejt interesat ekonomike të tyre.


Eksperti i energjetikës, Gjergji Simaku, shprehet se më shumë se çdokush tjetër është shoqëria ajo që duhet të senzibilizohet dhe të reagojë ndaj kësaj nisme.


Nga ana tjetër, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit ka nisur një fushatë sensibilizimi të publikut e cila do të zgjasë një jave duke u finalizuar më pas me një protestë kundër kësaj kërkese.


"Rritja e çmimit të energjisë nga një ent rregullator publik në favor të një biznesi privat në dëm të konsumatorëve të varfër shqiptarë është një akt absurd dhe i papranueshëm dhe në kundërshtim me rolin që duhet të luajë shteti në treg.


Entet rregullatore duhet të kujdesen për interesin publik të popullsisë dhe jo për interesin privat të një kompanie private duke dëmtuar financiarisht konsumatorët shqiptarë.


ZMK do të organizojë protesta kundër çdo vendimi në favor të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për llogari të OSSH-së në dëm të konsumatorëve shqiptarë", - citohet në qëndrimin e ZMK-së në lidhje me këtë çështje.


Ka edhe prej tyre që rritjen e çmimit të energjisë e cilësojnë si të pashmangshme por që sugjerojnë rritjen e rolit të shtetit në këtë aspekt dhe subvencionimin e shtresave në nevojë. Profesori i Fakultetit të Ekonomisë, Adriatik Kotorri, shprehet se është normale që investitori privat të mos i mbaje mbi veten koston e subvencioneve që shteti bënte më parë për energjinë ndaj kërkohet edhe rritja.


Por, sipas Kotorrit, krahas rritjes së çmimit, shteti duhet t'i kërkojë që të marrë masat për uljen e humbjeve në rrjet pasi nuk duhet që koston e tyre kompania të përpiqet ta mbulojë duke rritur çmimin. Një hap tjetër që duhet marrë në këtë rast për lehtësimin e pasojave të rritjes së çmimit të energjisë është subvencionimi për shtresat në nevojë.


"Nëse pranon rritjen e kërkuar nga kompania, shteti duhet t'i kërkojë asaj në përputhje edhe me kontratën të ulë në nivelin e vendeve të rajonit humbjet e energjisë në rrjet. Nuk duhet lejuar që humbjet kompania t'i mbulojë duke rritur çmimin e energjisë për konsumatorët. Po ashtu mendoj së është e nevojshme që shteti të përdorë forma subvencionimi për shtresat në nevojë",- tha ai.


Një ditë më parë, pronarët e rinj të OSSH-së, bënë publike sipas rregullave në fuqi, masën e rritjes së kërkuar për çmimin e energjisë elektrike. Në bazë të saj, bëhet fjalë për një rritje që vërtitet nga 19 deri në 31 për qind në varësi të konsumatorit dhe linjës me të cilën ai furnizohet.


Një ndryshim tjetër ka të bëjë me sistemin e tarifimit. OSSH propozon që të hiqet sistemi i mëparshëm ku tarifimi për konsumatorët familjarë bëhej me dy blloqe, ku ata që kishin konsumuar nën 300 kË/h do t'a paguanin me 7 lekë ndërsa ata mbi këtë shfër me 12 lekë. Tashmë pavarësisht sasisë së konsumuar, të gjithë abonentët familjarë do të paguajnë nga 9.15 lekë për kË/h.


Pas aplikimit për rritje të çmimit, është Enti Rregullator i Energjetikës që do të vendosë për masën që do të rritet duke marrë parasysh një serë treguesish. Pritet që vendimi të bëhet publik deri në datën 17 dhjetor.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›