E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq, vonohen tragetet në Vlorë e Durrës

Moti i keq ka shkaktuar vonesa në mbërritjen e trageteve në Vlorë e në Durrës.
Në Vlorë është pezulluar lundrimi i trageteve që përshkojnë linjën Brindisi-Vlorë. Ndërkohë, në portin detar të këtij qyteti puna është ndërprerë deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.
Shefi i Kapitenerisë së Portit të Vlorës, Anastas Goga thotë se "dy tragetet, që përshkojnë këtë linjë, nuk janë nisur mbrëmë nga porti i Brindisit për shkak të erës së fortë deri në 35 m/sek dhe detit me dallgë deri në 7-8 ballë".
Sipas tij, aktualisht është pezulluar edhe lëvizja e mjeteve lundruese, ndërkohë që katër të tilla me flamuj të shteteve të ndryshme, janë strehuar në gjirin e Vlorës.
E njëjta situatë është edhe në Durrës. Sipas burime nga kapiteneria e portit detar mësohet se deti i trazuar për shkak të motit të keq, nuk ka penguar nisjen e trageteve nga Durrësi, ndërkohë që sot paradite parashikohen vonesa të trageteve që mbërrijnë nga porti i Barit (Itali).
Sipas burimeve, reshjet e shiut po pengojnë përpunimin e anijeve me mallra, ndërsa ka vazhduar normalisht shkarkimi i kontejnerëve.
"Motopeshkatoret dhe anijet e tonazhit të vogël dhe të mesëm nuk do të lejohet të dalin nga porti për shkak të motit të keq dhe detit të trazuar me forcë 6-7 ballë" thanë burimet, duke shtuar se "sot paradite do të ketë vonesa në mbërritjen e katër trageteve që janë nisur mbrëmjen e kaluar nga porti i Barit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›