Ekspertët: Në vitin 2012 rritja ekonomike do të arrijë deri në 7%

Rritja ekonomike për periudhën 2010 – 2012 parashikohet të jetë në nivelet e 6 -7 për qind, ndërsa inflacioni rreth nivelit prej 3 për qind. Këto të dhëna bëhen të ditura nga një publikim të Ministrisë së Financave, "Kuadri Makroekonomik e Fiskal për Periudhën 2010 - 2012".Sipas ekspertëve të financave publike, përgjatë tre viteve rritja ekonomike parashikohet të jetë, 6.7 për vitin 2010; 6.9 % për vitin 2011; dhe 6.6 % për vitin 2012.
Ekspertët thanë se bazuar në buxhetin e vitit 2009, në kuadrin makroekonomik, në politikat fiskale dhe përmirësimet administrative që do ndërmerren, të ardhurat e buxhetit të shtetit gjatë periudhës 2010 – 2012 parashikohen të rriten në mënyrë graduale e të qëndrueshme. Në vitin 2010 të ardhurat parashikohen të jenë rreth 28.55 % e PPB (ose rreth 371,009 milion lekë), 28.72 % e PBB në vitin 2011 (ose 411,846 milion lekë) dhe 28.85% % e PBB në vitin 2012 (ose 456,335 milion lekë).
Ndërkohë, elementet kryesore të politikës fiskale për periudhën 2010 – 2012 do të jenë: mbajtja kostante e normës së TVSH-së; aplikimi i efekteve pozitive që janë marrë nga zbatimi i politikës së taksës së sheshtë për tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimi mbi fitimin; rishikimi i nivelit të akcizës së mallrave të forta; ulja e të ardhurave nga taksa doganore si rezulat i zbatimit të angazhimeve tarifor në Marrëveshjen e Ndërmjetme BE-Shqipëri, CEFTA, MTL me Turqinë; ulja e normës së kontributeve të sigurimeve shoqërore për pjesën që paguan punëdhënësi nga 20 % në 15 %, masë e cila do t’i shtrijë efektet duke filluar që nga 1 maj 2009, së bashku me rishikimin e nivelit të taksave vendore. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore parashikohen që për vitin 2010 - 2012 të arrijnë në rreth 32.02 % të PBB.
Në këtë drejtim, ekspertët theksuan se nuk përfshihet përdorimi i të ardhurave nga privatizimet strategjike, pasi ato do të jenë objekt i buxheteve suplementare. "Burimet do të përdoren kryesisht për reduktimin e deficitit buxhetor në rreth 3 % të PBB, rritjen e diferencuar të pagave, rritjen e pensioneve mesatarisht 12 % në vit dhe për mbajtjen e një ritmi të lartë të investimeve prej 7.25 % të PBB në vitin 2010, 6.98 % në 2011 dhe 6.83 % në vitin 2012", nënvizuan ekspertët. Për sa i përket shpenzimeve korente ato parashikohen përkatësisht në masën 23.67 % të PBB në 2010, 23.57 % të PBB në 2011 dhe 23.55 % të PBB në 2012.
...