E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Niveli i arritur, rrezik për vendin

Të mbledhur në një tryezë të përbashkët, ekspertë të ndryshëm të ekonomisë kanë paraqitur qëndrimet e tyre rreth situatës makroekonomike të vendit, duke u nisur nga treguesit më të fundit të realizimit të buxhetit 2008. Thelbi kryesor i diskutimeve të tyre ishte mosrealizimi i investimeve, që për periudhën janar-shtator 2008 kishin prekur nivelin e 42 përqindëshit. Sipas Gjergj Teneqexhiut, ekspert i financave, "shqetësimi kryesor qëndron mbi faktin se niveli i ulët i investimeve duket te sektorët, të konsideruar prioritarë nga qeveria, si arsimi dhe shëndetësia". Eksperti i financave sugjeroi kryerjen sa më shpejt të rialokimeve, në mënyrë që t‘u jepet përparësi atyre projekteve që kanë ecur më shpejt se të tjerat. "Diferenca nga mosrealizimi i investimeve do të sjellë presione të mëdha për administratën, që ato të kryhen medoemos deri në fund të vitit, duke krijuar hapësira të bollshme korrupsioni, si dhe cilësi të dobët në punime", komentoi ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave. Ndërsa Adriana Berberi, ish-zv/ministre e Financave në kohën e socialistëve, e vuri theksin më tepër te paaftësia e administratës për të kryer brenda kohës dhe standardeve të kërkuara investimet e parashikuara nga buxheti i shtetit. Sipas saj, përqendrimi i investimeve në fund të vitit do të sjellë rritje të inflacionit, si pasojë e qarkullimit të parasë në duart e konsumatorit. Të pranishëm në tryezë ishin edhe ekspertë të tjerë, si Selim Belortaja, drejtori ekzekutiv i ACIT, ku sipas të cilit, qeveria duhet të marrë masat e menjëhershëm në përmirësimin e kuadrit ligjor në drejtim të reduktimit të këtyre problemeve. Ky ishte takimi i tretë radhazi, në kuadër të monitorimit të zbatimit të buxhetit 2008, projekt ky i financuar nga SOROS.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›