E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: Urgjenca spitalore, një copë Kalkute në Tiranë

Disa aktivistë të G99 vizituan dje shërbimin e urgjencës kirurgjikale të QSUT dhe folën me mjekë, infermierë dhe pacientë në lidhje me kushte e spitalit. Ata ngritën shqetësimin e kushteve skandaloze të higjienës dhe mungesën e theksuar të infrastrukturës së nevojshme për t‘iu ardhur në ndihmë qytetarëve të sëmurë. Punonjësit e stafit të spitalit u ankuan se puna e tyre e ditëpërditshme shpërblehet shumë pak dhe se investimet në shëndetësi janë peng i lëvizjeve politike të krahëve të ndryshëm. Erion Veliaj tha: "Ky nuk është as më shumë dhe as më pak sesa spitali më i mirë që ekziston sot në Shqipëri. Spitali universitar, qendra e kërkimeve mjekësore dhe mban emrin e Nënë Terezës. Tani që Nënë Tereza, fatkeqësisht, na ka lënë duke u nderuar dhe lumturuar si një shenjtore, problemi është se ne kemi ngelur me Kalkutën, kjo është një copë Kalkute në Tiranë. Dhe në qoftë se kjo është më e mira që mund t‘i ofrohet një të sëmuri në Shqipëri, atëherë duhet të ndihemi shumë fatkeq për shëndetin tonë, vaj halli ç‘ndodh me të sëmurët diku tjetër". Sipas tij, një shtet, i cili ka pa fund para për të bërë dhe transmetuar spote duhet të ketë qindarka për të shpenzuar për shtetasit e vet të sëmurë. "Unë e di që Shqipëria ka shumë asete për Fazliçin, po unë besoj fort që aseti ynë më i çmuar është jeta e qytetarëve tanë", u shpreh Veliaj në ambientet e QSUT-së.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›