E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Thellohet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve

Dita ndërkombëtare kundër varfërisë kaloi pothuajse në heshtje nga qeveria shqiptare, ndërsa Kryeministri i "qeverisë së kafshatës" nuk u kujtua të merret me të varfrit e vendit të tij dhe të tregojë se sa e kanë zbutur varfërinë kafshatat që ai ka premtuar të japë. Ky është qëndrimi radhës i Partisë Socialiste ndaj situatës ekonomike në vend, i paraqitur dje nga nënsekretari për programin, Ilir Beqja. Sipas tij, "Kryeministri nuk guxon të flasë për të varfrit, sepse në 3 vjet të qeverisjes hendeku midis të varfërve dhe të pasurve është thelluar. Ky hendek është sot 16.5% më i thellë se në vitin 2005". Beqja paraqiti disa shkaqe që kanë çuar në këtë raport negativ, duke përmendur "politikat antipopullore të kësaj qeverie", "zbatimin e taksës së sheshtë", si dhe "dështimin e skemës kompensuese të rritjes së çmimit të energjisë". "Është pikërisht varfëria ajo që ua bëri të padurueshme jetën 5 fatkeqëve dhe i detyroi të hipnin në varkën e vdekjes natën e 19 tetorit", tha dje Beqja, ish-drejtor i ISSH-së. Partia Socialiste është e angazhuar që në programin e saj të ri qeverisës, shqiptarët të gjejnë instrumentin për t‘u ndarë një herë e mirë nga varfëria.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›