E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Përgjegjës për aksidentet? Shteti

"Njeriu, Rruga, Mjeti. Është shteti dhe vetëm shteti që mban përgjegjësi për mbajtjen në kontroll të këtyre tre faktorëve parësorë nëpërmjet kërkesës për zbatimin e Kodit Rrugor... Rrugët e vëna në shfrytëzim pa sinjalistikën, me punime të pambaruara janë një tjetër problem." Këto janë disa nga deklaratat që jepen nga inxhinierë me një karrierë të gjatë në fushën e aksidenteve. Ismail Sadiku dhe Aleko Hykaj, të pyetur lidhur me numrin e lartë të aksidenteve rrugore në ditët e fundit nxjerrin përgjegjësit e vërtetë të tyre, duke vlerësuar gjithçka që ndikon në to. Moszbatimi i kodit, i cili sipas tyre fillon nga dikasteret qendrore e që vijon me organet e pushtetit lokal, si dhe shfrytëzuesit e rrugës, përbën një element thelbësor në numrin e lartë të vdekjeve në këto aksidente.
Aleko Hysaj është ekspert aksidentesh qysh nga viti 1959. Përgjigjen për shkaqet e aksidenteve ai e nis nga Kodi Rrugor.
Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë është i një niveli bashkëkohor, por sigurisht që kohë pas kohe kërkon përmirësime dhe plotësime. Lidhur me gjendjen e qarkullimit me shumë viktima, plagosje të rënda e të lehta e me shkatërrim jo të paktë të pronave mund të them se është moszbatimi i këtij kodi, që fillon nga dikasteret qendrore, vazhdohet me organet përkatëse të pushtetit lokal e të enteve pronare të rrugëve, si dhe shfrytëzuesit e rrugës, të cilët janë edhe drejtuesit e mjeteve motorike, pa motor dhe të këmbësorëve.
Ku është përqendruar moszbatueshmëria e Kodit?
Mund të përmend më tipiket: rrugët kryesore dhe sekondare të reja vihen në shfrytëzim pa sinjalistikën vertikale e horizontale, me punime të pambaruara në kufijtë e rrugëve dhe përbri tyre, gjë që po bëhet edhe veprim rutinë, për qëllime të caktuara. Shumica e rrugëve në shfrytëzim ka qenë e pajisur me sinjalistikën përkatëse, por ose është dëmtuar ose është zhdukur. Askush nuk merret me plotësimin dhe rinovimin e tyre. Në rrugë gjithashtu bëhen punime zgjerimi, riparime dhe pastrime nga rënia e gurëve, dherave apo mbetjeve të ndryshme, por nuk vihet sinjalistika përkatëse, e dukshme nga larg. Edhe kur vihet kjo sinjalistikë, është shumë afër vendeve të punimeve, gjë që nuk iu jep drejtuesve të mjeteve kohën të marrin masat përkatëse. Gjithashtu, fenomen masiv madje edhe në rritje është mosrespektimi i sinjalistikës rrugore si jashtë ashtu edhe brenda qyteteve ose qendrave të banuara prej drejtuesve të mjeteve pa motor dhe kryesisht këmbësorëve. Paaftësia profesionale (dëshmi aftësie) është bërë shkak serioz për aksidente të rënda. Përdorimi në masë i lëndëve narkotike dhe alkoolit nga drejtuesit e mjeteve para lëvizjes, përdorimi masiv i celularëve gjatë drejtimit të mjeteve, ul shumë vëmendjen dhe vonon reagimin.
Çfarë mendoni se duhet të bëhet?
Për përmirësimin e gjendjes sidomos në qytete, shërbimi i kontrollit të zbatimit të Kodit të Qarkullimit Rrugor të kryhet prej policëve bashkiakë, siç veprohet në vendet evropiane. Bashkitë, sipas ligjit, përgjigjen për problemet e mësipërme si pronar dhe administrues të të gjitha rrugëve e anekseve brenda qyteteve. Po kështu ministritë duhet të rrisin kontrollin e zbatueshmërisë së ligjit të kodit rrugor që nga vetë ato e deri tek organet vartëse të tyre poshtë. Ministria e Transporteve dhe e Brendshme të ushtrojë kontroll mbi të gjitha rrugët kombëtare dhe interurbane për plotësimin e kërkesave të Kodit Rugor për sinjalistikë horizontale e vertikale dhe për dëmtimet serioze të zbarave anësore të rrugëve etj. duke dalë në një plan masash për përmirësimin e gjendjes së rëndë që është krijuar. Disiplina në qarkullimin rrugor nuk kryhet me fushatë.
***
Ndërsa inxhinier Ismail Sadiku ndalet tek faktorët që ndikojnë dhe tek parandalimi i aksidenteve. Nëpërmjet skemave që i përdor mjaft gjatë ekspertimit të aksidenteve, Sadiku thotë se Njeriu, Rruga, Mjeti janë tre kategoritë që ndikojnë në shkaktimin e një aksidenti. Kështu tek Njeriu, ai thekson aftësinë për drejtim, gjendjen psiko-fizike, përdorimin e drogave dhe të alkoolit. Rruga, sipas tij, përfshin gjendjen fizike të shtesës, kthesat, gjatësia, moti dhe sinjalistika dhe së fundi në kategorinë Mjeti ai parashtron gjendjen fizike e teknike ku përfshihet gjendja e sistemit të drejtimit, frenimit, komoditeti dhe ndotja e ambientit.
"Automjeti është mjet me burim rreziku të shtuar. Një pakujdesi vret si personat në bord, ashtu edhe të tjerët në rrugë. Është shteti dhe vetëm shteti që mban përgjegjësi për mbajtjen në kontroll të këtyre tre faktorëve parësorë nëpërmjet kërkesës për zbatimin e Kodit Rrugor dhe të ligjeve të tjera. Ja disa nga dukuritë që hasen në veprimin e policisë: në aksident dënohen vetëm drejtuesit e mjeteve, ndërsa autoshkolla dhe komisioni që lëshojnë dëshmi të pamerituara nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. Po mungesa e kontrolleve të gjendjes teknike jo një herë në vit por gjatë gjithë vitit a nuk ndikon? Shteti ka policinë që nuk lejon të vriten njerëz kur ka shkelje si më sipër, por dënon ata që nuk zbatojnë kërkesat që parashton ligji. Në rast të një aksidenti me gjithçka merret policia dhe nuk ka një ekspertizë të pavarur. Kështu drejtimi i policisë rrugore duhet të bëhet nga inxhinierët më të aftë që ka policia rrugore".
Sipas specialistëve në rastet kur ndodhin aksidente policia duhet të bëjë një analizë për shkakun dhe të përcaktojë përgjegjësit kur nuk janë marrë masa parandaluese sipas rastit. Prokuroria të kërkojë ekspertizë nga ekspertë të paanshëm dhe të licencuar, dhe jo nga policia, që mund të jetë pjesë e përgjegjësisë për aksidentit. Po kështu duhet që edhe lëvizja e të aksidentuarit të bëhet nga njerëz të kualifikuar. Sadiku thotë se rritja e trafikut nuk është justifikim dhe duhet një inspektim i vazhdueshëm i rrugës pa një vend të stabilizuar. Bllokimi dhe gjobitja e mjetit duhet bërë e tillë që drejtuesi, pasi të mësojë këtë fakt, të mos vazhdojë lëvizjen pasi bëhet shkak për aksident. Përvoja e vendeve të tjera të BE-së është një shembull i madh që duhet ndjekur.

Parandalimi
Inxhinier Sadiku thotë se disa nga rrugët që duhen ndjekur janë aftësimi i drejtuesit, kushtet e rrugës dhe respektimi i kodit rrugor. "Rregullat që duhen plotësuar për të parandaluar pasojat e aksidenteve janë:
Të evitohet marrja e patentës pa meritë,
Të evitohet mospërdorimi i rripit sigurues,
Të mos përdoret telefoni gjatë lëvizjes,
Të evitohet gjobitja direkte,
Të evitohet përdorimi i alkoolit dhe drogës, i radios, cigarja gjatë drejtimit.
Të ndiqet zbatimi i kodit rrugor si nga drejtuesit e mjeteve, ashtu edhe nga udhëtarët.
Të bllokohen rrugët që nuk plotësojnë standardet sipas kualifikimit të rrugës duke gjobitur përgjegjësit.
Të kërkohet nga policia bashkiake dhe të plotfuqishmit të lagjeve ndjenja e zbatimit të kodit rurgor në sektorin që mbulojnë.
Të bëhen investimet e duhura për të parandaluar aksidentet".

"Policia rrugore punon me hope"Sipas Aleko Hysajt, "Policia rrugore, pavarësisht se në përgjithësi përpiqet, të lë përshtypjen e një pune rutinë, me hope dhe që ndihet më tepër kur ndodhin aksidente. Roli i saj në parandalimin e aksidenteve dhe për të nxjerrë përgjegjësitë jo vetëm të personave pjesëmarrës në aksidente, por edhe të organeve përkatëse të caktuara me ligj, është krejt i mangët. Përditë e kudo vërehen mjete që qarkullojnë me targa të huaja për më shumë se një vit siç edhe e përcakton kodi rrugor dhe reagimi i policisë është pothuajse zero. Kontrollet rutinë bëhen kohë më kohë për shpejtësinë e mjeteve, ndërsa për alkoolin ose drogën pothuajse vetëm kur ndodhin aksidente. Ka një indiferencë të plotë të policisë rrugore për zbatimin e Kodit Rrugor brenda qyteteve. Në rast aksidentesh të rënda kryhet testi alkoolik vetëm drejtuesit të mjetit dhe asnjëherë viktimave (duke marrë kampionë gjaku) pasi edhe ata mund të jenë shkak për aksident. Mbi të gjitha, heqja e punonjësve të policisë rrugore, disa edhe të specializuar me kurse të veçanta brenda e jashtë vendit për hir të reformave dhe zëvendësimi me të rinj pa kualifikim, mundet dhe me mangësi në drejtimin arsimor përkatës, ndikon në uljen e cilësisë dhe rendimentit të policisë rrugore e bënë atë të paefektshme.


***************************************

Studimi i ISHP-së, vendi ynë rekord aksidentesh

Aksidentet rrugore po shkaktojnë çdo ditë e më shumë viktima, duke e renditur vendin tonë ndër më problematikët. Madje, mjekët e Qendrës Kombëtare të Traumatologjisë pranë Spitalit Ushtarak, pohojnë se po vdesin njerëz njësoj si në kohë lufte, për shkak të aksidenteve. Ndërsa studimet e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se Shqipëria ka 10 të vdekur për 15 mijë banorë, një numër që është 3.5 herë më i lartë se ai i vendeve të Europës Lindore. Ndërkohë, specialistët shpjegojnë shkaqet që sjellin aksidentet dhe masat që duhen marrë.
Aksidentet
Vendi ynë mban rekord sa i takon numrit të aksidenteve dhe kjo vërtetohet nga numri i lartë i vdekjeve dhe pacientëve që paraqiten në urgjencat e spitaleve për ndihmë mjekësore. Madje, shifrat tregojnë se numri i aksidenteve është disa herë më i lartë se i të gjithave vendeve të Evropës Lindore. Muajt e verës, sipas mjekëve të urgjencës së Traumatologjisë, janë më problematikët, sepse vijnë edhe shumë emigrantë për të kaluar pushimet. "Ndodhemi përballë shtimit të rasteve në mënyrë masive nga aksidentet me makinë. Këto aksidente po e dominojnë stinën, pasi kemi mbi 70 raste të dëmtuarish në aksidente me makinë çdo ditë", - theksoi shefi i urgjencës së Traumatologjisë, Myftar Torba, duke shtuar se spitali, pikërisht në këto ditë është i mobilizuar për të pritur fluksin e pacientëve të aksidentuar. Ndërkohë, mjekët e këtij spitali pohojnë se, nisur nga shifrat alarmante, po vdesin njerëz njësoj si në kohë lufte.
Masat
Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, rekomandojnë marrjen e një sërë masash nga qeveria shqiptare, një detyrim ky për të gjitha vendet e Bashkimit Europian, të cilat, brenda vitit 2012 duhet të reduktojnë në 50 % numrin e aksidenteve. Specialistet kanë kërkuar që të rishikohet shpejtësia e lëvizjes në qytete, por edhe jashtë saj. Një pikë e rëndësishme është jo vetëm ndërtimi i rrugëve dhe përmirësimi i atyre ekzistuese, por edhe pajisja me sinjalistikë. "Një pikë shumë e rëndësishme për parandalimin e aksidenteve është vendosja në akse qendrore apo në kryqëzime, i radarëve dhe i kamerave për kontrollin e shpejtësisë, si dhe pajisje për matjen e alkoolit", rekomandojnë specialistët e ISHP-së.

*******************************

Policia: Në korrik, dyfishohen aksidentet me vdekje


TIRANË- Numri i aksidenteve po rritet frikshëm, çdo ditë 2-3 persona mbeten të vdekur në rrugë dhe 10-ra të tjerë marrin plagë të rënda. Policia ka nxjerr sot buletinin e aksidenteve të muajtit korrik, ku thuhet se plot 48 vetë, kanë humbur jetën dhe 46 të tjerë janë plagosur. Krahasuar me një vit më parë, numri është dyfishuar. Në korrik të 2008-ës, vdiqën nga aksidentet 25 persona dhe 33 të tjerë u plagosën.

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit në komunikimin me median tha se "gjatë këtij sezoni nëpërmjet pikave të kalimit kufitar kanë hyrë dhe dalë nga Shqipëria 579 540 automjete, ose 133 mijë automjete më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Një pjesë e madhe e aksidenteve janë shënuar pikërisht nga emigrantët".

Policia e Shtetit i kërkon të gjithë drejtuesve të automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet normat e sjelljes së Kodit Rrugor, dhe të ndërgjegjësohen për pasojat e rënda që sjell mos zbatimi i këtyre rregullave për ta, pasagjerët apo qytetarët e tjerë. Policia e Shtetit do të ndëshkojë maksimalisht të gjithë ata drejtues të automjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

"Aksidentet rrugore gjate sezonit turistik dhe veçanërisht ato të ndodhura ditët e fundit, kanë krijuar një situatë shqetësuese", thotë zëdhënësi Klodian Branko. Policia Rrugore, e mbështetur dhe nga policia e Rendit dhe e Forcave Lëvizëse operacionale, prej disa ditësh ka kaluar në shërbim të përforcuar, duke shtuar prezencën e saj në akset rrugore.

Gjithashtu janë ngritur disa grupe Taskë Forcë, të drejtuar nga Drejtoria e Policisë Rrugore për të operuar në të gjithë territorin e vendit. I është dhënë kompetencë Patrullave të Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të operuar në fushën e qarkullimit rrugor.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›