Avokatët e PS: Padia e sotme më e plotë, ndaj u tërhoqëm nga e para
Avokatët socialistë nuk kanë dashur ta konsiderojnë një lëvizje taktike tërheqjen nga kërkesë-padia, që ishte dje për t’u shqyrtuar në Kolegj Zgjedhor. Duke folur pas seancës për mediat, avokati Eno Bushi ka theksuar se tërheqja nga shqyrtimi i kërkesës erdhi si pasojë e vendimmarrjes së Kolegjit për ta trajtuar atë sëbashku me kërkesën e re që kishte thuajse të njëjtin objekt, pra goditjen e vendimmarrjes së KQZ-së për të numëruar votat e gjendura në kutitë e gabuara. “Duke qenë se nga ana e trupit gjykues nuk u çmua që ajo padi të bashkohet, dhe në kushtet që ne kemi një padi edhe më të plotë, që është për shqyrtim, e vendosëm që më mirë të ishte dhe kjo e sotmja brenda gjykimit që do zhvillohet në seancën e ardhshme. Padia që kemi paraqitur është më e plotë, ku përfshihen edhe aktet normative, është më e plotë në objektin e saj, është futur dhe një vendim nga KQZ-ja. Duke pasur një padi më të plotë, dhe në këto kushte duke qenë se ata s’kanë asgjë në rrugë ligjore, u mendua pushimi i kësaj çështjeje dhe vazhdimi i saj në seancën tjetër”, - tha Bushi. Ndërkohë që ai nuk ka pranuar të komentojë lidhur me vendimin e një dite më parë të Kolegjit Zgjedhor, për të pushuar shqyrtimin e kërkesë-padisë për tabelën përmbledhëse të KZAZ-së 49. Megjithatë, pavarësisht kësaj vendimmarrje, Bushi ka këmbëngulur se veprimet e KQZ-së kanë qenë të paligjshme, duke shkelur procedurat. “Në lidhje me vendimin e një dite më parë, trupi gjykues e çmoi që çështja duhet të pushojë, por arsye nuk na kanë dhënë akoma. Thjesht na kanë vënë në dispozicion vetëm dispozitivin. Dhe vetëm kur të njihemi me mendimin e gjykatës, do ishte më mirë të flisnim. Argumenti kryesor është pavlefshmëria e akteve të miratuara nga KQZ-ja, të cilat janë veprime krejtësisht kundra ligjit, pra janë akte të paligjshme. Gjithsesi, unë mund t’ju them që të gjitha shkeljet e kryera nga KQZ janë paraqitur në akt-padinë e dorëzuar sot”, - tha avokat Eno Bushi.