E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Të rritet mosha dhe skema e kontributeve

SHKRUAN: Blerina Hoxha 07-09-2011 11:33

Duket se reforma e pensioneve do të marrë në konsideratë të gjithë versionet, që nga rritja e moshës, e kontributeve për disa kategori dhe rregullimin e skemës kontribut- përfitim. E ndërsa reforma ka startuar, ekspertët e ekonomisë kanë dhënë versionet e tyre. Ish – zv/ ministri i Financave Sherefedin Shehu, deputet në Kuvend, anëtar i komisionit të Ekonomisë, - tha dje për mediet se, - reforma mbi pensionet paraqet domosdoshmëri. Si një nga iniciatorët e kësaj reforme, Shehu e ka konsideruar rritjen e moshës së pensionit si një nga elementët kyç të reformës. Duke shtuar se, shqiptarët janë një popull që kanë simpati për punën dhe rritja e moshës do të ishte një nga zgjidhjet. Mirëpo, Shehu nuk ka përjashtuar edhe ndërhyrje të tjera në skemë. Një ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha, në takim me grupin parlamentar të PD-së sinjalizoi reformën e pensioneve si një emergjencë. Gjithashtu, ai la të kuptojë se në themel të reformës do të jetë rritja e moshës. Kështu, mosha e daljes në pension, për burrat pritet të jetë 70- vjeç dhe për gratë 65- vjeçe. Ndërsa, eksperti në fushën e ekonomisë, njëkohësisht deputet i parlamentit shqiptar, përfaqësues i Partisë Socialiste, Ervin Koçi, shprehet për “MAPO”-n, “pro” reformës imediate të pensioneve. Sipas Ervin Koçit, sistemi aktual i sigurimeve shoqërore ka dështuar, pasi çdo vit bie e më shumë numri të punësuarve që sigurohen. Ai i sugjeron qeverisë dhe kryeministrit Berisha që të mos shpenzojë para të kota për godinën e re të Parlamentit, por të nxisë punësimin, e si rrjedhojë, sigurimin e personave. Ai nuk e sheh të drejtë fokusimin e reformës tek mosha e pensionit, por mendon se ajo duhet të prekë raportin e kontributeve, pasi shteti aktualisht humb shumë para në financimin e kontributeve shoqërore. Sipas tij, shqiptarët janë shumë të lodhur e nuk mund të punojnë deri në 70- vjeç, por qeveria duhet të ketë parasysh të nxisë punësimin dhe të ndryshojë raportin e kontributeve mes shtetit, privatit dhe të punësuarve. Koçi, duke e konsideruar si reformën më të rëndësishme këtë të pensioneve, sugjeron se, pavarësisht se është emergjente, duhet punuar me kujdes që të jetë e suksesshme dhe të ndihmojë sa më shumë ekonominë shqiptare, e cila tanimë është në krizë. Ndërsa zv/ministri i Financave Nezir Haldeda, pohon se reforma e pensioneve është në fazën e konsultimit dhe të mbledhjes së informacionit. Sipas tij, problematikat e akumuluara deri tani duhet të reflektohen në reformimin e sistemit. Së pari: prezantimi dhe sjellja në veprim e dy shtyllave të tjera të sigurimeve. Tre pilarët bazë që ka çdo sistem i sigurimeve shoqërore. Dhe së dyti, lidhja më e mirë e raportit kontribut - përfitim. Sot dikush e ka rrogën 1 mln lekë dhe paguan 150 mijë lekë kontribute. Ndërsa ai që ka 200 mijë lekë rrogën, paguan shumë më pak. Kur të vijë koha e pensionit, nuk do të ketë diferencë dhe kjo nxit informalitetin, duke bërë që punonjësit privatë të mos jenë pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore”, - sqaron Haldeda. Në këtë logjikë, ai vazhdon argumentimin se, duke mos ndjerë këtë nxitje, personat që paguhen me pagë të madhe, janë të prirur të aplikojnë një pagë minimale për të paguar kontribute minimale. Në këtë mënyrë, sipas tij, nëqoftëse skema do t’i kishte nxitur për një raport të mirë mes kontributeve dhe përfitimeve, ata do të investonin më shumë. Një nga sfidat kryesore që i dalin përpara kësaj reforme, sipas tij, është konsensusi i gjerë politik dhe shoqëror. “Qeveria mund ta miratojë këtë me një shumicë të thjeshtë, por ajo duhet të përcaktohet për dekada. Flasim për ndërmarrje që atakojnë breza. Komunikimi me grupet e interesit është i rëndësishëm. Reforma do të ketë efekte mbi kapitale, tregun e punës. Është e vështirë si reformë, por duhet bërë shpejt, pasi edhe situata globale i shton një nevojë më shumë. Në disa vende e kanë përshpejtuar”, - shprehet Haldeda. Sipas tij, ajo që nuk duhet të bëhet, është politizimi i çështjes.

Propozimet për reformën e pensioneve

Koçi: Kontributet, të rritet punësimi

Deputeti i PS-së Ervin Koçi, shprehet “pro” reformës imediate të pensioneve. Sipas tij, sistemi aktual i sigurimeve shoqërore ka dështuar në vend, pasi çdo vit bie e më shumë numri të punësuarve që sigurohen. Ai nuk e sheh të drejtë fokusimin e reformës tek mosha e pensionit, por mendon se ajo duhet të prekë raportin e kontributeve, pasi shteti aktualisht humb shumë para në financimin e kontributeve shoqërore. Sipas tij shqiptarët janë shumë të lodhur e nuk mund të punojnë deri në 70 - vjeç.

Shehu: Mosha e pensioneve të rritet

Ish- zv/ ministri i Financave, Sherefedin Shehu shprehet për mediet, se reforma mbi pensionet paraqet domosdoshmëri. Si një nga iniciatorët e kësaj reforme, Shehu e ka konsideruar rritjen e moshës së pensionit si një nga elementët kyç të reformës. Duke shtuar se, shqiptarët janë një popull që kanë simpati për punën dhe rritja e moshës do të ishte një nga zgjidhjet. Mirëpo, Shehu nuk përjashton edhe ndërhyrje të tjera në skemë.

Haldeda: Duhet ndërhyrje në skemën e kontributeve

Sipas tij problematikat e akumuluara deri tani duhet të reflektohen në reformimin e sistemit. Së pari: prezantimi dhe sjellja në veprim e dy shtyllave të tjera të sigurimeve. Tre pilarët bazë që ka çdo sistem i sigurimeve shoqërore. Dhe së dyti, lidhja më e mirë e raportit kontribut - përfitim. Sot dikush e ka rrogën 1 mln lekë dhe paguan 150 mijë lekë kontribute. Ndërsa ai që ka 200 mijë lekë rrogën, paguan shumë më pak. Kur të vijë koha e pensionit, nuk do të ketë diferencë dhe kjo nxit informalitetin, duke bërë që punonjësit privatë të mos jenë pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore”, - sqaron Haldeda.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›