E Diel, 1 Nëntor 2026

Panairi i Ndërtimit, Berisha: Biznesi, promotori i ekonomisë

U çel dje panairi i parë ndërkombëtar në fushën e ndërtimit në Shqipëri, ku morën pjesë 60 firma ndërtimi nga e gjithë bota. Kryeministri Berisha, duke e cilësuar biznesin si promotor kryesor të zhvillimit të ekonomisë së vendit, u zotua për të nxitur më tej këtë komunitet për të investuar. Sipas Berishës, sistemi bankar po përmirësohet dhe interesat e kreditimit për bizneset do të jenë të favorshme. Në këtë mënyrë, kreu i qeverisë premtoi lehtësira të tjera për biznesin si, hartimin e regjistrit të tokës, krijimin e një portali për biznesin, ku çdo sipërmarrës të ndjekë on -line ecurinë e dokumentacionit që ka dorëzuar, për të konstatuar se në cilat institucione ka vonesa. “Sot jemi prapë në një moment të veçantë, nga kriza e flluskave financiare u kalua në krizën e borxheve. Kjo është një krizë më e thellë, ndaj është e domosdoshme që qeveria shqiptare e institucionet të bëjnë gjithçka sërish për të nxitur biznesin. Besojmë se nuk ka rrugë tjetër më të sigurt për të amortizuar pasojat e kësaj krize të thellë, e cila do të jetë më e zgjatur.”- tha ai. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në panair, Berisha ka garantuar se borxhi i Shqipërisë, që llogaritet në 59 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, nuk është shqetësim për ekonominë, pasi sipas tij, 35 % e tij është në lekë, çka do të thotë se buxheti nuk do të rëndohet nga luhatjet e kursit të këmbimit, në disfavor të monedhës sonë, ndërkohë pjesa tjetër e borxhit iu është marrë institucioneve financiare ndërkombëtare. Gjithsesi, shefi i ekzekutivit ripërsëriti qëndrimin për të ulur nivelin e borxhit pasi të përfundojnë tri projektet e mëdha infrastrukturore, si rruga Tiranë- Elbasan, rruga e Arbrit dhe tuneli i Qafë Murrizit. Gjatë takimit, prezantuan firmat që përfaqësojnë, Artan Dulaku, Carsten Conrad, Mohamed Abdyl Khaliq, etj. Ditën e sotme të panairit të ndërtimit, pritet në një konferencë për shtyp, direkt nga SHBA me videokonferencë , biznesmeni Donald Trump.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›