Gjermanët e pasur kërkojnë tatime më të larta
Shumë gjermanë të pasur duan të kontribuojnë më shumë për rimëkëmbjen e financave shtetërore. Edhe ata besojnë që sistemet sociale po lëkunden. 15 shtatori 2008 ishte dita kur bota pa humnerën e një krize botërore të përmasave të papërfytyrueshme. Kjo ndodhi pas dështimit të bankës Amerikane të investimeve, Lehman Brothers. Tri vite më vonë, në Gjermani, bota financiare duket sërish në rregull, sepse asnjëherë nuk ka pasur kaq të pasur dhe super të pasur sa në verën e vitit 2011. Në llogaritë rrjedhëse të pasanikëve gjen rreth 7,4 bilionë euro, rreth katër herë më shumë se sa gjendja aktuale e borxheve të federatës. Defiçitetet buxhetore janë rritur në një masë të tillë, sa në të gjithë vendin po mbyllen biblioteka dhe pishina ose eliminohen vende pune. Komunave gjermane u mungojnë 126 miliardë euro. Shkollat, në të gjithë Gjermaninë nuk riparohen dot, sepse mungojnë paratë. Kështu ndodh, që kur bie shi mund të shohësh edhe kova, për të mbledhur ujin që bie. Jo vetëm përballë një situate të tillë tek shumë të pasur është shtuar gatishmëria për të paguar më shumë taksa. "Disa shifra përqindjeje, më shumë nuk i varfërojnë ata që jetojnë në mirëqenie," - thotë këngëtari i muzikës pop, Marius Müller Westernhagen, gazetës së përjavshme “Die Zeit”. Taksa për kapitalin, në vitin kur u hoq, kishte çuar në arkat shtetërore 4,6 miliardë euro.