E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnistia në tatime, përfitojnë vetëm 2%

SHKRUAN: Sabina Veizaj 07-09-2011 11:29

Administrata tatimore, përmes një njoftimi për shtyp, u bën thirrje të gjithë personave që kanë detyrime tatimore të prapambetura, të paguajnë principalin e tyre sipas ligjit “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor” për të përfituar nga falja fiskale, e cila përfundon në 31 dhjetor 2011. Pasi, nga 420,000 raste; detyrim, gjobë, interes, në vlerën rreth 57,7 miliard lekë detyrime të papaguara, administrata tatimore, deri më 29 gusht 2011, nga subjektet që kanë paguar detyrimet e prapambetura, janë shqyrtuar dhe kanë përfituar faljen e detyrimeve të papaguara (tatim + kamatëvonesë + gjobe) 271 raste, nga të cilat 36 raste që kanë paguar 30% të principalit për detyrimet e vitit 2009, me vlerë 819 mijë lekë, 83 raste të cilat kanë paguar 50% të principalit për detyrimet e vitit 2010, me vlerë 6.8 milion lekë dhe 152 raste, të cilat kanë paguar kontributin e sigurimeve shoqërore me 100%, me vlerë 15 milion lekë. Sipas të dhënave të tatimeve, në total, vlera e paguar është 22.7 milion lekë nga 57,7 mld lekë, të vlerësuara nga administratat tatimore si detyrime të papaguara. Sipas tatimeve, nëse nga ana e debitorëve të organit tatimor, për kategorinë, e cila në zbatim të ligjit, duhet të paguajë 30% dhe 50% të principalit, do të likuidojnë, brenda afateve procedurale ligjore, (deri në datën 31.12.2011) vlerën rreth 4,3 miliard lekë, atëherë shuma potenciale e mundshme për t’u falur në zbatim të ligjit do të jetë rreth 28 miliard lekë. Aktualisht, nga Komisionet e administrimit të faljeve që janë vendosur në të gjitha drejtoritë Rajonale Tatimore të vendit janë shqyrtuar, falur dhe sistemuar rreth 20.600 raste, me vlerë rreth 11.4 miliard lekë për sa i takon TVSH-së, Tatim - Fitimit, Akcizës, Tatimit të Biznesit të Vogël, Sigurimet shoqërore, Tatim mbi të ardhurat nga punësimi, Lojëra fati, gjoba për mos pajisje me pajisje fiskale etj. Këtu përfshihen si detyrimet që falen pa pagesë dhe sistemohen (më shumë se 15 mije raste me vlerë rreth 11.2 miliard lekë), ashtu edhe ato që falen kundrejt pagesës së 30% të principalit, për detyrimet e vitit 2009, 50% të principalit për detyrimet e vitit 2010, apo 100% të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Administrata Tatimore është për realizimin brenda afatit të procesit të faljes fiskale. Në bazë të ligjit në fjalë, parashikohet falja e një pjese të borxhit tatimor e doganor, kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore si dhe, përcaktohen parimet dhe garancitë, veprimet e subjekteve që përfitojnë nga legalizimi i kapitalit.

Tabela

-Rreth 420,000 përfitojnë nga amnistia që po aplikon administrata tatimore

-Vlera e falur si gjobë, interes me vlerë 57,7 miliardë lekë

-Rastet e shqyrtuara dhe të falura

-271 raste

-36 raste kanë paguar 30% të principalit për detyrimet e 2009 me vlerë 819 mijë lekë

- 83 raste kanë paguar 50% të principialit për detyrimet e 2010 me vlerë 6.8 milion lekë

-152 raste kanë paguar kontributin e sigurimeve shoqërore me 100% me vlerë 15 milion lekë.

-Totali i paguar 22.7 milion lekë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›