E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: “Triumfon Gjermania”



Teksa Kampionati i 13-të Europian i futbollit hapi siparin me ndeshjen Zvicër-Çeki (0-1), të gjithë ekspertët janë në një mendje: kapiteni i Gjermanisë, Mikael Balak do të ngrejë trofeun në fund të muajit. Në fakt, kujtesa e katër viteve më parë në Portugali, Europa pa në fron një ekip tërësisht “outsider”, Greqinë. Por, “king Otto” (gjermani Oto Rehagel u mund nga Shqipëria më pas) arriti të thyente me radhë Portugalinë, Spanjën, Francën, Çekinë e sërish Portugalinë. Në garë janë 16 kombe, ku pas 31 ndeshjeve në tetë qytete, katër zvicerane e katër austriake, përveç se do të ndiqen nga miliona në stadiume, do të shihen nga miliarda njerëz përmes transmetimeve televizive. Gjermania është vende fqinje me Austrinë (ku flitet gjermanisht) dhe Zvicrën (ku një pjesë e saj flet gjithashtu flet gjuhën e Mikael Balakut), dhe në një farë mënyrë është si të luaj në shtëpi. “Balack and boys” e kanë fiksuar mirë shumë që do të përfitojnë në rast se ata do të fitojnë Kampionatin Europian, gati 250 mijë euro për kokë. Por le t’i shohim grupet me radhë.

Grupi A
Zvicra
(renditja në botë 44, shanset 1/20)
Trajneri i “ndershëm” Jakob Kuhn tha pak ditë më parë, se ai do të jepte me kënaqësi dorëheqjen nëse lojtarët e tij do të arrinin në çerekfinale. Djemtë e tij janë rritur nga finalet e fundit të Kupës së Botës, ashtu si Valon Behrami është më i pjekur.

Çekia
6, 1/14
Formacioni i Karel Bruknerit luanë një futboll elegant, por nuk shihet si një ndër favoritët kryesorë. Dorëheqja e Pavel Nedved dhe dëmtimi i Tomas Roziçkit, i privon ekipi kreativitetin për t’i shërbyer sulmuesit gjigant, Jan Koller.

Portugalia
11, shanset 2/15
Shumë tifozë asnjanës dëshirojnë të shohin në kampionati një Kristiano Ronaldo e kompani, që vallëzon me topin në kërkim të triumfit dhe spektaklit. Kujtimet e hidhura të vitit 2004, kur Portugalia u mund në finale nga Greqia, tashmë kanë marrë nota revanshi. Ronaldo, kampion i Anglisë dhe Ligës së Kampioneve është në kohën e duhur.

Turqia
20, shanset 1/35
Turqia e Fatih Terimit ka disa futbollistë të talentuar, por dhe të njëjtin temperament ballkanas si Greqia. Në Kupën e Botës 2002, për pak sa nuk eliminuan Brazilin. Yildiray Basturk, Hamit Altintop dhe Nihat Kahveci janë dhe “asat nën mëngë” të “Perandorit” Terim.

Grupi B

Austria
92, shanset 1/100
Në fakt shanse kaq ë pakta për një vend organizator nuk ka ndodhur kurrë, por Austria, ku luan edhe shqiptari Ronalad Gërcaliu e meriton. Shumë nga lojtarët janë shumë të rinj për të kujtuar “Vunder Team” (Ekipin e Mrekullueshëm) të Hugo Meisel, ndërsa Hans Krankl e Toni Polster janë një kujtim i zbehtë. Slogani i tyre në Euro 2008 është i thjeshtë: “Organizuar nga një vend humbës, por miqësor”

Kroacia
15, shanset 1/12
Të shkathët, të ashpër dhe të përgatitur mjaft mirë teknikisht nga trajneri Slaven Biliç, kroatët mund të jenë të motivuar për të bërë më shumë sesa arritën ën Kupën e Botës 1988, kur përfunduan të tretët në botë. Lojtarët më të mirë kroat luajnë në kampionatet më të mirë europiane dhe ky është një argument më shumë. Mungon i dëmtuari Eduardo da Silva, por talenti Luka Modriç është i gatshëm.

Gjermania
5, shanset 1/5
Balak është një udhëheqës që inspiron karakter dhe frymëzim. Gjermania në fakt nuk vuan nga reparti i avancuar, por nga ai prapavijës. Gjithsesi, ekipi i Lëv është fizikisht i përgatitur mirë mund të fitojë çdo duel shpejtësie. Raundi i parë nuk është aspak problem për Gjermaninë, por “lufta” me polakët do t’i lodhë pak.

Polonia
28, shanset 1/40
Trajneri holandez Leo Benhaker punoi në mënyrë të mrekullueshme për të ndërtuar një grup solid për të siguruar një vend në finale. Pak ditë më parë Polonia mundi Shqipërinë 1-0 në një test kontrolli. Në ekip pesha e një krijuesi si Maciej Zuraëski dhe një golashënuesi si Euzebiusz Smolarek vlen shumë. Gjithsesi, përsa i përket përballjes së parë, duhet thënë se Polonia kurrë nuk e ka mundur Gjermaninë.

Grupi C

Holanda
10, shanset 1/11
Holanda mund të fitojë, edhe pse lojtarët do të donin të kishin një tjetër trajner. Ylli i Milanit, Klarens Sedorf, nuk pranoi të stërvitej në urdhrat e Marco van Basten, duke ndikuar jo pak në atmosferën “portokalli”. Në të ashtuquajturin “Grup i vdekjes”, Holanda do ta ketë shumë vështirë edhe pse ka yje si Van Nistelroi e një portier të madh si Van der Sar.

Italia
3, shanset 1/7
Humbja e kapitenit Fabio Kanavaro pas dëmtimit në fazën përgatitore nuk i ka dobësuar kampionët e botës. Forma e tij te Reali i Madridit nuk ka qenë shumë bindëse. Me Xhixhi Bufonin në portë, e një magjistar si Andrea Pirlo në mesfushë e një kullë vrasëse si Luka Toni në sulm, të qenit edhe kampion Europe është një realitet.

Rumania
12, shanset 1/40
Rumania nuk ka gjeni të tillë si George Haxhi, por Adrian Mutu është shumë i ngjashëm. Sulmuesi e ka treguar shumë herë veten te Fiorentina se ç’mund të bëjë me mbrojtjen kundërshtare. Dhe një nga këto është ajo e Italisë. Skuadra e Viktor Picurkës (fitoi 2-0, 6-1 me Shqipërisë në kualifikuese) mund të rezultojë surpriza e kampionatit.

Franca
7, shanset 1/8
Për gati një dekadë, “Les Bleus” (Blutë) kanë mrekulluar turnetë e mëdhenj. Por Zinedin Zidan është i tërhequr. Ekziston një diferencë midis të vjetërve dhe të rinjve, por trajneri Rajmond Domenek beson shumë te një lojtar me cilësitë e Franck Riberi.

Grupi D

Greqia
8, shanset 1/25
Të gjithë thonë se ajo që bëri Greqia katër vjet më parë, mund të përsëritet një herë në një mijë vjet. Por, Greqia e drejtuar sërish ng Otto Rehagel fitoi 10 nga 12 ndeshjet kualifikuese dhe bëri një përformancë të shkëlqyer. Duket më e vjetër se katër vjet më parë, por ka një sulmues të ri e me kualitet, Theofanis Gekas.

Suedia
30, shanset 1/33
Trajneri Lars Lagerback thirri sërish sulmuesin veteran Henrik Larson, dhe me ndihmën e yllit të Interit, Zlatan Ibrahimovic beson se mund të shojë shumë larg. Suedezët të paktën shpresojnë se mund të shkojnë të paktën në çerekfinale.

Spanja
4, shanset 2/11
Të gjithë presin që spanjollët të dëshmojnë talentin e tyre. Kanë fituar 44 vjet më parë, por tani i kanë yjet e nevojshëm për të bërë “double”. Nga portieri Iker Casillas, për të kaluar më pas te mesfushori Cesc Fabregas e deri te sulmuesi Fernando Torres, Spanja i ka lojtarët për ta merituar titullin.

Rusia
24, shanset 1/32
Të gjithë i tremben një njeriut, trajnerit Guus Hiddink. Arritjet e tij me Holandën, Korenë e Jugut e Australinë meritojnë respekt. Të njëjtën gjë bëri ai dhe me Rusinë, duke eliminuar një ekip të frikshëm, si Anglia.

Po Anglia? Ajo nuk është si komb në finalet e Euro 2008, por 44 lojtarë nga të gjitha finalistet, me përjashtim të Italisë, Rumanisë e Rusisë, luajnë në klube angleze. Janë katër skuadra “angleze” brenda Europianit.

Miss Zvicra çel Europianin e 13-të

Me një ceremoni mbresëlënëse e plot ngjyra në stadiumin “St. Jakob-Park” në Bazel të Zvicrës morri udhë edhe Kampionati Europian i futbollit. Shfaqja, e konceptualisht e dizenjuar nga drejtori artistik Martin Arnaud dhe agjencia “Auditoire” sollën shumë elementë të kombinuar, për të sjellë imazhin dhe trashëgiminë e dy vendeve organizatore, Zvicrën e Austrinë.
Në fokus ishte sporti dhe kultura, por dhe mesazhi i vlerave të UEFA-s për lojën e ndershme. Gjatë shfaqjes, që zgjati 13 minuta, rreth 1 mijë performues nga kombësi të ndryshme, të moshës nga 14 deri në 70 vjeç, u dha imazhi i dy vendeve, që nis nga e bardha e Alpeve e deri te jeshilja e pamjeve pastorale.
600 vullnetarë mbajtën kube shumëngjyrësh, duke krijuar një seri imazhesh gjigante e peizazhe. Në Ceremoninë Hapesë parakaluan edhe 16 fëmijë, të cilët mbanin 16 flamujt, që përfaqësonin çdo vend pjesëmarrës të Euro, të udhëhequr nga Miss Zvicra 2007, Amada Aman, e cila është gjysmë zvicerane dhe gjysmë çeke. Mijëra tullumbace të bardha e jeshile, si dhe një zjarr spektakolar fishekzjarrësh i dha një një pritje të ngrohtë shfaqjes, që çeli edhe Kampionatin e 13-të Europian.

Sverkos prish festën zvicerane

Zëvendësuesi i gjigantit Jan Koller, Vaclav Sverkos u bë dhe golashënuesi i parë i Kampionatit Europian, kur me me golin e tij në minutën e 71-të çeku i dha fitoren skuadrës së tij në ndeshjen hapëse kundër vendasve të Zvicrës (1-0) në “St Jakob Park” të Bazelit. Pjesa e parë u mbyll e barabartë, ndërsa në lojë për Zvicrën si titullar edhe shqiptari Valon Behrami, i cili u zvëndësua në minutën e 84-t nga Eren Derdiyok. Valon Behrami zhvilloi një ndeshje të mirë, por pa mundur të ndihmojë ekipin në një fitore për Zvicrën. Zvicra humbi një shans të jashtëzakonshëm në minutën e 80-të. Gjuajtja e ulët e Trankulio Barnetës u bllokua nga portierit çek, Petër Ceh pasi mbrojtësi Tomas Ujfalusi “u kap” me top në dorë në zonën e rreptësisë. Johan Vonlanthen arriti të kontrollojë topin e kthyer, por gjuajtja e tij goditi traversën. Goli i Sverkosit shpëtoi Çekinë nga një paraqitje e varfër, në një takim që ishte tërësisht në kontrollin e Zvicrës.

Kujdes nga paruket, marrin flakë shpejt

Paruket portokalli të tifozëve holandezë mund të marrin shumë shpejt flakë. Paralajmërimi vjen nga qeveria holandeze. Sipas saj, pas një kërkimi të kryer rezultoi se 30 për qind e parukeve dhe qaforeve mund të merrnin shumë shpejt flakë nëse dikush pranë tyre do të ndizte një cigare me çakmak, pasi ato nuk plotësonin standardet. Policia holandeze pohoi se ajo parashikonte se rreth 30 mijë tifozë do të udhëtonin në Zvicër. Holanda do të luajë kundër Italisë (9 qershor), Francës (13 qershor) dhe Rumanisë (17 qershor) në Grupin C.

“Çmendet” Kapelo, i thur lavde Gjermanisë

Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo jep mendimin e tij për favoritët e Euro 2008. “Favoritët e mi janë Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja, por edhe Portugalia”. Ish-trajneri i Juventusit shtoi si e mbështet skuadrën e vendit të tij, Italinë, për arsye patriotike, ndërsa Gjermaninë për arsye pragmatike. Kapelo admiron eksperiencën, organizimin. “Klube si Bajerni i Munihut janë shumë të mirë për të qenë kompetitivë në Europë, por kur lojtarët luajnë për ekipin kombëtar ata janë shumë të fuqishëm. Ata nuk kanë probleme. Ndonjëherë dhe ata humbasin, por gjithmonë luajnë për të fituar. Mentaliteti gjerman është shumë i fortë. Gjermania është një nga ekipet favorite për të fituar Europianin”.

Javë e zezë për Adrian Mutu

Javë e zezë për sulmuesin e Rumanisë, Adrian Mutu. Jo vetëm që i duhet të paguajë 12 milionë euro dëmshpërblim ish-klubit të tij, Chelsea, pasi doli pozitiv si përdorues kokaine në vitin 2004, por të premten ylli i Fiorentinës, mori dhe një lajm të keq. Gjyshja e tij 80-vjeçare ndërroi jetë. Sipas mediave, Mutu kishte kaluar një pjesë të mirë të fëmijërisë në shtëpinë e gjyshes në malet Karpate në Rumaninë qendrore.

Rosi garon me top futbolli në kokë

Legjenda e botës së motorëve, Valentino Rosi, vazhdon të shpikë elementë të rrallë për të ndihmuar kombëtaren italiane të futbollit. Nëse para një jave piloti i MotoGP garoi me një kaskë ku në të ishte dizenjuar portreti i tij me gjuhën jashtë, në pistën e Montmelos në Barcelonë, garoi me një kaskë të dekoruar si një top futbolli e me stemën e Italisë. Rosi ka dashur t’i urojë sukses “axurrëve” të Donadonit në ndeshjen e tyre hapëse kundër Holandës.

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›