E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Vdekja e çiftit, vera u helmua

Në shtëpinë e Tomorr Rrumbullakut gjendet një shishe me verë si ajo që të dashuruarit pinë para se të vdisnin. Policia këmbugul në pistën e vetëhemimit. Sot dalin analizat
Policia: Dyshimi,54 -vjecari  helmoi veten dhe të dashurën
TIRANË- Një shishe verë me helm, për të vrarë veten dhe të dashurën. Kjo është pista kryesore e policisë e cila po heton për vdekjen misterioze të Tomorr Rrumbullakut dhe Diana Xibrakut, dy ditë më parë teksa po drekonin në një restorant në Golem të Kavajës. Burime nga policia e Kavajës thanë se vdekja e çiftit dyshohet të jetë planifikuar nga njëri prej tyre. Megjithëse policia ende nuk ka mundur të vazhdojë më tej me hetimet për të zbardhur dyshimet e saj, pasi pritet përgjigjja e mjekësisë-ligjore, ka mundur të "hamendësojë" për ideatorin e ngjarjes. "Mendojmë se viktima Tomorr Rrumbullaku mund të ketë planifikuar ngjarjen, pasi ai kishte sjellë edhe shishen me verë, gjë e cila dyshohet se ka vrarë atë dhe të dashurën e tij",- thanë burime nga policia e Kavajës.
Vera e 54-vjeçarit
Shishja me verë e cila dyshohet t'i ketë marrë jetën çiftit, është sjellë nga viktima Tomorr Rrumbullaku. Policia e Kavajës menjëherë pas ngjarjes, mbërriti në banesën e 54-vjeçarit Tomorr Rrumbullaku që ndodhet në rrugën "Muhamet Gjollesha" në Tiranë. Burime nga policia thanë se pas një kontrolli të ushtruar në banesën e viktimës u gjetën dhe u sekuestruan pesë shishe verë. Vetëm njëra prej shisheve të sekuestruara është e njëjtë me shishen e verës që dyshohet të ketë helmuar për vdekje çiftin. Gjetja e shisheve të verës në banesën e Rrumbullakun vërteton dyshimin se shishen e verës e ka marrë me vete 54-vjeçari. Burime zyrtare nga policia thanë se shishja e verës e cila u gjet në banesën e viktimës, dhe që është e njëjtë me shishen që u gjet në restorant, do t'i nënshtrohet ekspertizës për të verifikuar nëse edhe ajo është helmuese. Ky hap pritet të saktësojë nëse vera ishte e helmatisur apo shishes i është hedhur lëndë helmuese nga jashtë.
Vetëvrasja e dyshuar
Tomor Rrumbullaku dhe Diana Xibraku vdiqën pak minuta pasi shfaqën shenjat e një helmimi, dhe nuk kanë mundur të japin asnjë shpjegim për fundin e tyre. "43-vjeçarja kaloi në gjendje agonie dhe ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa 54-vjeçari vdiq sapo mbërriti në spital",- thanë burime nga policia. Sipas policisë Rrumbullaku ka qenë i ndërgjegjshëm deri në momentin e fundit, por nuk tregoi asgjë. Sapo e dashura e tij filloi të shfaqte shenjat e para dhe shkoi në tualetin e lokalit për të gjetur "shpëtim" 54-vjeçari hodhi në plehra shishen e verës që kishte sjellë me vete. Më pas ai i kërkoi ndihmë për të gjetur një shofer që t'i çonte në spital. "Unë do të qëndroj në sendiljen e pasme për t'i dhënë ndihmë Dianës",- mësohet t'i ketë thënë Tomorr Rrumbullaku personit që drejtoi makinën për në spital. Rrumbullaku i ka bërë frymëmarrje artificiale 43-vjeçares, por ajo ka dhënë shpirt në krahët e tij. Më pas sapo kanë mbërritur në spital drejtuesi i mjetit ka konstatuar se 54-vjeçari nuk po ndihej më. Ai ka tentuar ta lëvizë por ka qenë e kotë pasi edhe burri kishte ndërruar jetë. Kështu janë shuar dy personat të cilët sipas policisë kishin vite që duheshin fshehurazi. "Ne dyshojmë sekemi të bëjmë me një vetëvrasje nga ana e Tomorr Rrumbullakut. Por nuk kemi asnjë motiv deri më tani" thanë për "Shekullin" burime nga policia e Kavajës.
Helmimi, shishja e verës u hap në lokal
Pas shenjave të para të mbërritjes së vdekjes së sigurt, Tomorr Rrumbullaku ka kryer veprimet e shpejta për të fshirë gjurmët. Sapo ka shkuar në tualet shoqëruesja e tij, 54-vjeçari ka hedhur shishen e verës në një kosh plehrash. Ky veprim ka hedhur dyshime se bëhej fjalë për një vetëhelmim nga 54-vjeçari. Sipas policisë e cila ka rindërtuar ngjarjen, dyshohet se 43-vjeçarja nuk ka pasur dijeni për verën e helmatisur, ndërsa një gjë e tillë dyshohet të jetë kryer nga 54-vjeçari. Ky i fundit mendohet të ketë hedhur helmin në shishen e verës, por që askush nuk e ka vënë re nëse një veprim të tillë Rrumbullaku mund ta ketë kryer në lokal. "Verën Rrumbullaku e kishte sjellë me vete dhe i kërkoi kamerierit të bënte hapjen e tapës së saj",- thanë burimet nga grupi hetimor. Sipas policisë shishja e verës është hapur për herë të parë në lokal nga kamerieri në sy të çiftit. Më pas ende nuk është e qartë nëse Tomorr Rrumbullaku ka hedhur helmin apo vera ka qenë e helmatisur. Kjo gjë pritet të përcaktohet nga ekspertiza.
Tomorr Rrumbullaku dhe Diana Xibraku përcillen për në banesën e fundit
Të afërmit e Djanës: Ishte një vajzë e rrallë
Tomorr Rrumbullaku dhe Diana Xibraku janë përcjellë ditën e djeshme për në banesën e fundit. Ceremonia mortore e 43-vjeçares Xibraku është zhvilluar ditën e djeshme rreth orës 15:00 kur ajo është përcjellë për në varrezat e Tufinës. Vdekja e mistershme e 43-vjeçares ka shkaktuar jo pak dhimbje në familjen e saj e cila banon në rrugën "Ferit Xhajko" në Tiranë. "Diana ishte e rrallë. Nuk e dimë shkakun e vdekjes, ia kemi lënë në dorë policisë të zbardhë çështjen",- shprehen të afërm të së ndjerës. Ndërkohë që sipas deklaratës së familjarëve të viktimës dhënë në polici, ata nuk kishin dijeni për lidhjen e 43-vjeçares me Rrumbullakun, megjithëse ajo ekzistonte prej vitesh. Të njëjtën gjë kanë pohuar edhe familjarët e 54-vjeçarit. "Kemi marrë në pyetje djalin e Tomorr Rrumbullakut, dhe ai nuk dinte gjëpër lidhjen jashtëmartesore të babait të tij, ndërsa bashkëshortja e këtij të fundit ishte e paralizuar",- thanë burime nga policia. Ndërkohë që familja e Diana Xibrakut ka mësuar për vdekjen e saj nëpërmjet televizorit. Diana kishte vënë në dijeni familjen se do të dilte nga shtëpia, por pa dhënë adresë. Kështu fill pas vdekjes së saj, policia ka mundur që të lajmërojë familjarët e 43-vjeçares. Në listën e numrave në telefonin e saj, policia ka gjetur një numër të regjistruar me emrin daja, dhe nuk ka hezituar ta telefonojë atë për t'i dhënë lajmin. E ndërsa prindërit e Dianës kishin mësuar lajmin nëpërmjet televizorit, telefonata e dajës, u ka konfirmuar atyre lajmin e kobshëm.
Ngjarja
Tomorr Rrumbullaku i martuar dhe me fëmijë kishte dalë për fundjavë me të dashurën e tij, Diana Xibraku, për të drekuar në një lokal peshku në Golem të Kavajës. Të dy janë futur në lokal, pasi kanë parkuar automjetin e tyre të tipit "Benz" në parking dhe kanë zgjedhur tavolinën e tyre, ku uleshin zakonisht. Çifti frekuentonte prej katër vjetësh këtë lokal, deri mesditën e djeshme kur kanë humbur jetën. Rrumbullaku dhe Xibraku kishin porositur peshk, sallata të ndryshme dhe si fillim kishin pirë nga një birrë. Më pas 54-vjeçari ka ofruar dhe nga një gotë verë franceze, të cilën e kishte marrë me vete. Burime nga policia thanë se sheshja e verës ishte e pa konsumuar, dhe është hapur për herë të parë në lokal nga kamerieri. Sapo ka konsumuar pak verë Djana Xibraku ka shfaqur shenja helmimi. Ajo ka shkuar menjëherë në tualet, moment të cilin i dashuri i saj e ka shfrytëzuar për të hedhur shishen e verës në koshin e plehrave. Më pas, gjendja e 43-vjeçares është rënduar ndërsa të njëjtat simptoma ka shfaqur edhe 54-vjeçari. Të ndihmuar nga personeli i lokalit ata janë transportuar në spital, ku kanë vdekur njëri pas tjetrit ende pa mbërritur në duart e mjekëve. Të sinjalizuar për vdekjen brenda pak minutave të një çifti, policia e Kavajës ka nisur menjëherë hetimet. Oficerët e policisë kriminale mbërritën në lokalpër të marrë në pyetje personelin, ndërsa kanë sekuestruar të gjitha ushqimet që kishin konsumuar viktimat. Policia ka shoqëruar pronarin e lokalit i cili është marrë në pyetje. Më pas efektivat blu morën në pyetje edhe familjarët e dy viktimave të cilët kanë "ngritur supet" kur kanë mësuar për lidhjen e Rrumbullakut me Xibrakun. Asnjëra palë nuk kishte dijeni për këtë lidhje. Ndërkohë që policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e kësaj vdekjeje të dyfishtë.
Hetimet, në pyetje të gjithë të njohurit e çiftit
"Do të marrim në pyetje të njohurit e çiftit, ndërsa do të hetojmë lidhjet e tyre",- u shprehën burime nga grupi hetimor. Policia e Kavajës deklaroi dje se po heton personat me të cilët shoqërohej çifti. "Po hetojmë për të zbardhur shkaqet që mund të kenë detyruar Tomor Rrumbullakun t'i japë fund jetës. Megjithatë vetëvrasja e ideuar prej 54-vjeçari mbetet në kuadrin e dyshimeve për policinë pasi ende nuk kanë përfunduar analizat e verës, për të përcaktuar shkakun e vërtetë të vdekjes së çiftit. Por policia do të marrë në pyetje shoqërinë e afërt të Xibrakut dhe Rrumbullakut për të zbardhur ndonjë problem që ata mund të kenë pasur gjë e cila mund t'i ketë çuar ata në planifikimin e vetëvrasjes. Për policinë nuk është përjashtuar edhe pista e vrasjes, apo vdekja nga vera e helmatisur, të cilat po hetohen.
Sipas drejtorit të ISHP-së, Ylli, nuk bëhet fjalë për një helmim të rëndomtë nga ushqimet. Vdekja e menjëhershme hedh poshtë këtë dyshim
ISHP: Vdekja, jo nga helmimi ushqimor,por nga lëndë kimike
Helmimi i dy personave të cilët gjetën vdekjen në Durrës nuk ka ndodhur për shkak të një intoksikacioni nga produktet ushqimore, por në to janë hedhur lëndë kimike. Kjo do të thotë se një helmim i thjeshtë nga ushqimet nuk do të sillte vdekjen e menjëhershme të Tomi Rrumbullakut dhe Diana Xibrakut, por helmimi i tyre është bërë pikërisht nga lëndë kimike që kanë sjellë edhe vdekje të shpejtë. Kështu u shpreh për gazetën "Shekulli", drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, i cili pohon se ndonëse nuk i kanë nxjerrë ende analizat përfundimtare hetimi epidemilologjik paraprak tregon se nuk kemi të bëjmë me një helmim nga produktet ushqimore që ndodh rëndom, por rasti në fjalë ka të bëjë pikërisht me helmim nga lëndë të forta toksike. "Mbi produktet që kanë konsumuar 2 personat janë hedhur lëndë të forta kimike. Këto lendë mund të jenë hedhur me qëllim apo pa qëllim por kjo nuk iu takon specialistëve të ISHP-së të japin shpjegime pasi janë struktuat përkatëse që merren me këtë hetim",- pohon AlbanYlli.
Helmimi
Specialistët e ISHP-së kanë zhvilluar hetim të hollësishëm epidemiologjik për vdekjen e Tomi Rrumbullakut dhe Diana Xibrakut dhe mendimi i tyre është se kjo tragjedi nuk ka të bëjë me një helmim nga ushqimet që ndodh rëndom. "Kur një përson helmohet nga ushqimet atëherë shfaqen shenjat përkatëe që kanë të bëjnë me këtë lloj helmimi. Nuk është e mundur që një helmim që ndodh rëndom nga ushqimet të sjellë vdekje të menjëhershme",- shpjegon Alban Ylli. Sipas tij specialistët e institucionit që ai drejton kanë zhvilluar hetimet përkatëse dhe mendimi i tyre paraprak është se mbi produktet që viktimat kanë konsumuar janë hedhur lëndë të forta toksike. Përqendrimi i hetimit sipas tij është pikërisht shishja e verës ku mendohet të jetë hedhur edhe lënda helmuese. Ndërsa sa i takon të dhënave të ekspertëve që në verë ka patur përqindje të lartë të alkoolit metilik, Ylli nuk e përjashton si mundësi, por ai këmbëngul se lënda e hedhur në të është kimikat i fortë ndaj dhe është shkaktuar vdekje e menjëhershme. Sa i takon faktit nëse këto lëndë janë hedhur mbi produktet e ushqimeve me qëllim apo pa qëllim nga dikush ai thekson se me këtë çështje duhet të merren strukturat përkatëse për ta zbardhur këtë histori pasi nuk është institucioni që ai drejton përgjegjës për të kryer një detyrë të tillë. Gjithashtu kreu i ISHP-së, Ylli, pohon se ky është një rast i pazakontë dhe shumë i çuditshëm i cili kërkon hetim njëkohësisht jo vetëm nga insitucion që ia drejton por edhe nga struktura të tjera të specializuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›