E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektrezoluta për NATO-n, mazhoranca jep konsensusin

Komisioni i i Jashtëm diskuton sot draft-rezolutën e paraqitur nga PS për realizimin e reformave
Zogaj: "Nuk kemi arsye se pse ta refuzojmë atë, aq më tepër kur përgjegjësinë kryesore për anëtarësim në NATO e ka shumica"
Politika shqiptare ka zbutur tonet e debatit dhe i është kthyer plotësisht frymës së bashkëpunimit dhe konsensusit mes palëve. Pas fillimit të punës së Komisionit parlamentar të Ligjeve për diskutimin e projektligjit për riorganizimin e sistemit gjyqësor, si pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë, duket se është krijuar një terren i përshtatshëm për të dhënë dhe konsensuse të tjera. Kështu, në vijim të kësaj klime mazhoranca është e gatshme që t'i përgjigjet pozitivisht nismës së socialistëve, për të miratuar një rezolutë që do të angazhonte të gjitha forcat politike në një proces bashkëpunimi, me qëllim plotësimin e kushteve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Partia Demokratike ka shprehur dje vullnetin e saj për ta miratuar këtë projekt-rezolutë, e cila në vetvete përmban dhe angazhimin për të realizuar edhe dy reformat, atë zgjedhore dhe atë në sistemin e drejtësisë, për të cilat ka filluar dhe puna konkrete.
Diskutimi
Pikërisht projektrezoluta e paraqitur nga Partia Socialiste, e njohur ndryshe dhe si projekt-rezoluta për NATO-n, pritet të diskutohet sot në Komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme, si komisioni përgjegjës. Anëtarë të këtij komisioni kanë shprehur dje vullnetin për ta miratuar atë në tërësinë e vet, me përjashtim të ndonjë rregullimi teknik, por pa prekur thelbin e saj. Kreu i këtij komisioni, Preç Zogaj është shprehur dje për gazetën se, mazhoranca është e interesuar që ta miratojë këtë draft-rezolutë, pasi marrja ose jo e ftesës nga ana e Shqipërisë për anëtarësim në NATO është përgjegjësi direkte e saj. "Normalisht që rezolutën e paraqitur nga Partia Socialiste për angazhimin e gjithë klasës politike shqiptare për plotësimin e kushteve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, do ta miratojmë. Ne nuk kemi arsye se pse ta refuzojmë atë, aq më tepër, kur vetë Partia Socialiste është e interesuar për procesin e integrimit në NATO, në një kohë që përgjegjësinë kryesore e ka shumica. Ne mund të bëjmë vetëm vërejtje teknike, por kjo do të shihet gjatë diskutimit të rezolutës në komision",- u shpreh kryetari i Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Preç Zogaj.
Drafti
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste prej disa ditësh ka paraqitur për miratim në Kuvend projekt-rezolutën për përmbushjen përmes veprimit parlamentar të të gjitha detyrimeve që i lindin politikës shqiptare, për anëtarësimin e vendit në strukturat Euroatlantike. Kur kanë mbetur më pak se tre muaj nga mbajtja e Samitit të NATO-s në Bukuresht, deputetët socialistë kërkojnë angazhim edhe të gjithë kolegëve të tyre, për miratimin sa më parë të reformës në sistemin e drejtësisë dhe atë zgjedhore. Në nëntë pika që përmban projekt-rezoluta në fjalë, theksohet se ftesa për anëtarësim në NATO kërkon angazhimin e pandërprerë të të gjitha forcave politike parlamentare dhe se ajo mund të vijë vetëm në bazë të rezultateve konkrete në fushën e lirive e të drejtave demokratike, ku Shqipëria duhet të realizojë standardet e familjes Euro-Atlantike. Gjithashtu, shprehet bindja për nevojën e kapërcimit të periudhës së konfliktualitetit të vazhdueshëm politik dhe të afirmimit të vullnetit të mirë, për të krijuar një klimë besimi e bashkëpunimi mes forcave politike parlamentare, për të gjitha reformat e nismat ligjore, që në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë kërkojnë angazhim bipartizan.
Projekt-rezoluta
Jemi të vendosur në rrugën e natyrshme të Shqipërisë për t'iu bashkuar familjes Euro-Atlantike.
Jemi të vetëdijshëm se ftesa e shumëpritur për anëtarësim në NATO kërkon angazhimin e pandërprerë të të gjitha forcave politike.
Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësinë e kësaj sfide të përbashkët, në kushtet kur na kërkohet thellimi i reformave, duke nisur nga reforma zgjedhore dhe ajo e drejtësisë, si dy hapa kuptimplotë drejt realizimit të standardeve.
Jemi të bindur për domosdoshmërinë e kapërcimit të një periudhe historike konfliktualiteti të vazhdueshëm politik dhe të afirmimit të vullnetit të mirë, për të krijuar një klimë besimi e bashkëpunimi mes forcave politike.
Angazhohemi me të gjitha kapacitetet tona, për të ndihmuar në realizimin e reformës në drejtësi, si dhe të reformës zgjedhore.
Vleresojmë arritjet e deritanishme dhe u shprehim solidaritet e mbështetje të plotë Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Shprehemi të gatshëm të mbështesim çdo nismë që përshpejton hapat integrues në NATO.
Inkurajojmë të gjithë ushtarakët që të angazhohen pa rezerva, për të përmbushur në çdo detaj, detyrimet e procesit integrues në NATO.
Konfirmojmë qëndrimin tonë të vendosur për paqe, siguri, stabilitet, mirëkuptim e bashkëpunim në rajon dhe mbështesim zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës nëpërmjet shpalljes së Pavarësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›