E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët e BE-së, një javë inspektim kushteve shtesë për heqjen e vizave

Axhenda e zyrtarëve të Brukselit që mbërrijnë në mes të korrikut

Një ekip ekspertësh të Komisionit Europian do të vijnë në Shqipëri, në mesin e muajit korrik, për të parë nga afër atë që qeveria po bën me plotësimin e kritereve të evidentuara si të paplotësuara për liberalizimin e vizave. Burimet bëjnë të ditur se ekspertët e KE-së do të qëndrojnë rreth një javë në vendin tonë, do të vërtetojnë nga afër ato çfarë po bëhet me tre kriteret ende të paplotësuara për vizat. Nga ana tjetër përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme theksuan se qeveria do t’i ketë të plotësuara këto kritere gjatë kohës së vizitës së ekspertëve. Por përfaqësuesit e KE-së fillimisht do të kërkojnë të shikojnë të miratuar edhe strategjinë për të riatdhesuarit, e cila konsiderohet ende si një pikë e paplotësuar nga pala shqiptare. Në lidhje me këtë pikë, burimet bëjnë të ditur se në fund të qershorit pritet që Këshilli i Ministrave ta miratojë këtë strategji, pas hartimit të draftit nga ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, një fushë në të cilën po lëvizet me shpejtësi nga qeveria shqiptare në kuadër të plotësimit të kritereve është edhe rritja e kapaciteteve për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përpara se ekspertët të vijnë, qeveria pritet të marrë një vendim për rritjen e fondit të Policisë së Shtetit. Po kështu, një tjetër vendim që pritet të merret në këtë fushë është edhe shtimi i personelit në sektorin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha këto masa do të merren përpara se grupi i ekspertëve të vijë në Tiranë, në mënyrë që ndryshimet të jenë të prekshme nga ana e përfaqësuesve të KE-së. Por përveç punës së qeverisë për hartimin e strategjisë dhe rritjes së buxheteve dhe personelit, një punë e madhe po bëhet edhe me konfiskimin e aseteve kriminale. Kjo pikë konsiderohet ende paplotësuar nga KE-ja dhe legjislacioni në këtë kuadër nuk mungon. Ajo që do të kërkojnë të njihen ekspertët e KE-së lidhet me rastet e konfiskimeve dhe me çuarjen në gjykatë të këtyre çështjeve. Në këtë kuadër, përveç verifikimit të punës së ekzekutivit, ekspertët e KE-së pritet të verifikojnë edhe punën e gjyqësorit për sa i përket rasteve të konfiskimit të pasurive të banda kriminale dhe mafies. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e KE-së përveç punës me verifikimin e kritereve që pritet të plotësohen, do të zhvillojnë edhe takime me përfaqësuesit e lartë të ekzekutivit, si Kryeministrin Berisha dhe ministrat Ilir Meta dhe Lulzim Basha, ministritë e të cilëve kanë edhe ngarkesën kryesore në plotësimin e këtyre standardeve. Shqipëria pret që në fund të këtij viti të miratohet edhe lëvizja e lirë e shqiptarëve në hapësirën “Schengen”. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme, pas mbledhjes së fakteve nga grupi i ekspertëve në korrik pritet që në muajin shtator, Parlamenti Europian do të përmbyllë procedurat e miratimit të propozimit. Më pas radhën në këtë proces do ta ketë Këshilli i Ministrave i vendeve anëtare të Bashkimit Europian, i cili pritet t’i bëjë edhe propozimin përfundimtar Komisionit Europian në lidhje me kërkesën e Shqipërisë për të përfituar liberalizimin e vizave.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›