E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri gra të kulturës vlerësohen Qytetare Nderi

Korçë Bashkia nderon Dhora Lekën, Jorgjie Trujan, Andromaqi Gjergjin dhe italianen Giana Pierdomenico

Tri femra korçare, figura të shquara të artit skenik, operistik dhe etnografisë shqiptare, janë vlerësuar nga Bashkia e Korçës me titullin “Qytetare Nderi”. Dhora Leka e ka marrë këtë titull nderi pas vdekjes për krijimtarinë muzikore dhe krijimin e traditës shqiptare të këngës partizane. E njohur si kompozitorja e parë femër, Dhora Leka ka shkruar opera, uvertura, por dhe poezi, prozë, tekste këngësh etj. Në vitin 1992, ajo ka marrë nga Presidenti titullin “Artiste e Merituar” për veprimtarinë e pasur në vite dhe kontributin që ka dhënë në artin muzikor. Një tjerë figurë e njohur e qytetit të Korçës që ka marrë titullin “Qytetar Nderi” është edhe e mirënjohura Jorgjie Truja. Ajo është vlerësuar pas vdekjes si një nga artistet që ka hedhur themelet e artit skenik, me veprimtari brilante në disa fusha të artit. Jorgjie Truja ka lënë gjurmë si këngëtare lirike, regjisore operistike në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe themeluese e pedagogjisë vokale skenike. Që në vitin 1930 është njohur si e para soprano lirike, ndërkohë që ka qenë një ndër pedagoget e para të shkollës muzikore shqiptare. Andromaqi Gjergji, etnografe e shquar korçare, është një tjetër figurë e vlerësuar me titull nderi. Ajo ka përjetuar emocionet e forta kur ndryshe nga dy shoqet e saj, i është dorëzuar titulli nga ana e Bashkisë së qytetit. Në veprimtarinë e saj numërohen mbi 176 tituj monografish, referatesh, kumtesa e aktivitete shkencore brenda e jashtë vendit. Andromaqi Gjergji njihet si femra e parë shkencëtare. Ajo ka qenë një nga dëshmitaret e para të zbulimit të epitafit të Gllavenicës, që ka vlera në artin bizantin. Andromaqi Gjergji është vlerësuar si shkencëtarja korçare, anëtarja e parë femër e Akademisë së Shkencave me motivacionin për kontributin e çmuar në fushën e etnogafisë dhe artit popullor duke e bërë pjesë të etnografisë europiane dhe botërore. Krahas vlerësimit të tri figurave të njohura të këtij qyteti me titullin Emblema e Artë nga Bashkia e Korçës është vlerësuar edhe një shtetase italiane - Giana Pierdomenico, e cila është mësuese prej vitesh në qytetin e Korçës. Mësuesja e italishtes në seksionin dygjuhësh, është nderuar për kontributin që ka dhënë në marrëdhëniet mes dy popujve. Giana Pierdomenico ka marrë titullin për marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe kontributin e saj në përhapjen e gjuhës dhe të kulturës italiane.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›